Presidenti i Republikës Bamir Topi, për të disatën herë brenda pak ditësh është takuar me treshen e ambasadorëve me kërkesën e këtyre të fundit. Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën pas-zgjedhore në vend, veçanërisht pas shpalljes së rezultatit për Tiranën nga ana e KQZ-së. Kur pritet që vendimin përfundimtar ta shpallë kolegji, presidenti dhe ambasadorët ranë dakord në domosdoshmërinë e përmbylljes së këtij procesi sipas ligjeve në fuqi. Kjo situatë sipas tyre, duhet pritur me durim dhe qetësi.Sot, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë kërkesën e parë ankimore të Partisë Socialiste në lidhje me vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që çoi në nxjerrjen e rezultatit për Tiranën.
Qëndrimi i Presidentit
Topi vlerësoi kontributin e vyer dhe rolin e jashtëzakonshëm të Ambasadorëve Arvizu, Sekui dhe Volfart për kapërcimin e kësaj sfide, duke ndarë të njëjtin mendim me ta në këtë drejtim, theksoi se palët duhet të përmbahen me shpalljet e rezultateve: “Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit!” Në kushtet kur cështja e rezultatit për Tiranën tashmë ndodhet në dorën e Kolegjit Zgjedhor, Presidenti inkurajoi këtë institucion me mbështetjen që i jep si kryetar shteti dhe kërkoi nga anëtarët e këtij Kolegji, një proces të drejtë dhe pa ndërhyrje politike. “Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike”.
Qëndrimi i ambasadorëve
Presidenca njoftoi se në takim me ambasadorët Topi theksoi se është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike. “Sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar!”.Presidenca njoftoi se biseda në këtë takimin qe zgjati rreth 40 minuta u përqendrua në situatën pas-zgjedhore në vend duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi. Më tej apelohet për pritje me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces. Në takimin dje me kreun e shtetit shqiptar Ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Vollfarth u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor. Gjithashtu, të tre Ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend.
KQZ vendos largimin e forcave të rendit nga ambientet e KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme vendosi largimin e uniformave blu nga ambientet e brendshme dhe të jashtme të KQZ-së. Kryetari i këtij institucioni Arben Ristani deklaroi se forcat e rendit u thirrën me kërkesë të Komisionit Zgjedhor Qendror për shmangien e incidenteve të mundshme që mund të shkaktonte procesi i certifikimit të shpalljes së kreut të ri të bashkisë së Tiranës. “Forcat e rendit u thirrën me kërkesën tonë dhe tani do të marrim një vendim që të largohen nga ambientet e brendshme dhe të jashtme të Komisionit Zgjedhor”. Në mbledhjen e sotme të Komisioni Qendror Zgjedhor vijoi me shqyrtimin e kërkesave ankimore të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 8 majit. Deri tani nga 100 ankesa të depozituara në KQZ nga ana e subjekteve zgjedhore, janë shqyrtuar rreth 60.
Vendimi KQZ-së, rruga ligjore e PS
Brenda dy ditëve në vijim do të mësohet edhe rruga ligjore që do të ndjekë Partia Socialiste për të kundërshtuar vendimin e ditës së hënë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo u pohua nga avokati socialist, Eridian Salianji, i cili tha në Top Shoë se një grup juristësh brenda PS-së po punojnë për këtë cështje. Salianji zbuloi se fillimisht cështja do të ankimohet sërish në KQZ, duke qenë se ky institucion veproi si KZAZ. Më pas ankimimi shkon në Kolegjin Zgjedhor ku, sic tha ai, do të vlerësohet procedura e ndjekur nga KQZ gjatë vlerësimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Kjo procedurë sipas tij, është e jashtëligjshme, nuk ka ndjekur rrugën e duhur që përcakton ligji dhe do të rrëzohet nga Kolegji Zgjedhor.