Home Aktualitet Tjeter skandal ne gjyqesor. Lirohet trafikanti nga Fieri

Tjeter skandal ne gjyqesor. Lirohet trafikanti nga Fieri

575
0

taverna-pelikaniNë një kohë kur Policia e Shtetit, ka arrestuar një super të kërkuar të drejtësisë italiane, të dënuar me 32 vite e 6 muaj për trafik kokaine, heroinë dhe prostitucion, gjykatat shqiptare çdo ditë e më tepër vijojnë të surprizojnë me vendimet e tyre, duke urdhëruar lirimin e personave të rrezikshëm. “Ping-Pongu” me ligjin procedurial këtë herë ka ndodhur në Gjykatën e Apelit të Vlorës, ku me vendimin e datës 20 shkurt 2014, treshja gjykuese Alma Liçaj, Gjenovefa Gaba dhe Skënder Damini, kanë urdhëruar të lirojnë shtetasin Arben Gropa, allias Vangjel Zijaj.

Ky i fundit njihet në Fier si biznesmen në fushën e ndërtimit dhe administrimin e dy lokaleve të njohur, njëri prej tyre i quajtur “Taverna Pelikani”, që ndodhet në hyrje të qytetit të Fierit. Gropa është vënë në pranga nga agjentët e policisë së Fierit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në datën 20 janar të këtij viti, mirëpo kur është mbushur plot një muaj nga arrestimi i tij, Gjykata e Apelit Vlorë ka urdhëruar lirimin e tij, me motivacionin se është biznesmen dhe duhet të administrojë bizneset e tij në Fier.

“Arrest shtëpie” pa policë
Në seancën gjyqësore të 20 shkurtit 2014 avokatët mbrojtës të të arrestuarit Arben Gropa, kanë pohuar se klienti i tyre ka qënë në Itali disa vite më parë dhe se problemet me drejtësinë italiane i ka mbyllur kohë më parë. Sipas avokatëve, Arben Gropa, allias Vangjel Zijaj, në qytetin e Fierit ushtron aktivitet privat në fushën e ndërtimit dhe të administrimit të lokaleve. Në këto kushte sipas tyre izolimi në burg i tij do të sillte keqmenaxhimin e bizneseve të Gropës.

Një tjetër argument që avokatët kanë përdorur para gjykatës së Apelit, është dhe rrezikshëmria e ulët që ka në shoqëri shtetasi i arrestuar nga policia e Fierit. Avokatët kanë përdorur faktin tjetër se Arben Gropa, nuk ka rrezik për ikje dhe për pasojë deri në sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes, duhet të qëndrojë në një masë më të butë se ajo e “arrestit në burg”. Nga ana tjetër përfaqësuesi i prokurorisë i ka kërkuar gjykatës që të linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit, e cila caktonte masën e “arrestit me burg”, deri në ardhjen e letërporosisë nga autoritet italiane, për kërkesën e ekstradimit të Arben Gropës.

Pasi ka dëgjuar të dyja palët treshja gjykuese Alma Liçaj, Gjinoveva Gaba dhe Skënder Damini, kanë vendosur të lirojnë nga qelia 35-vjeçarin Gropa. Në vendimin e saj gjykata nuk shprehet që policia të ruajë banesën ku do qëndrojë në “arrest shtëpie” i kërkuari i drejtësisë Italiane, por urdhëron Gropën që të mos largohet nga banesa deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës për ekstradim. Pavarësisht se gjykata nuk e ka kërkuar momentalisht në banesën e Gropës me urdhër të drejtorit të policisë Fier qëndrojnë dy efektivë policie, për të parandaluar një arratisje të mundshme.

Rreziku për arrati
Që prej 13 ditësh Arben Gropa është liruar nga qelia duke u vendosur në masën e “arrestit shtëpiak” në banesën e tij, të ndodhur në lagjen “Liri”, pranë rrugës “Feride Bega”, pallati ngjitur me ambulancën e vjetër. Qëndrimi në arrest shtëpie të këtij shtetasi shton rrezikun për arratisjen e tij nga vendi i caktuar nga gjykata e Vlorës, duke i dhënë mundësi që ai t’i fshihet drejtësisë, duke sjellë dhe dështimin e ekstradimit drejt shtetit italian, drejtësia e të cilit e ka dënuar me 32.6 vite burg për një sërë akuzash të rënda.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here