Home Aktualitet Tirana nisi sot zyrtarisht festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë

Tirana nisi sot zyrtarisht festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë

1238
0

Kryeqyteti e ka veshur tashmë kostumin e tij kuq e zi, ndërsa në çdo ballkon valëvitet flamuri ynë kombëtar, atmosfera e festës së madhe ndjehet kudo.

Përgjatë këtyre javëve nuk kanë munguar aktivitetet e shumta, në nderim të firmëtarëve të Pavarësisë. Ndërsa sot Tirana nisi zyrtarisht festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festime këto që zgjasin plot 3 ditë, deri më 28 Nëntor. Festime për këtë jubile të madh ka pasur në të gjitha qytetet shqiptare, veçanërisht Vlora që prej disa ditësh ka veshur rrobat e festës e pret me padurim ditën e madhe.

Aktivitetet në Tiranë startuan në orën 11:00 me përkujtimin e 100-vjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë, tek Ura e Tabakëve, vend ku u vendos sot edhe mozaiku i flamurit kombëtar të gdhendur në gurë, i Gëzim Hidrit. Më pas u zbulua shtatorja e Ismail Qemalit në lulishten pranë Kryesisë së Kuvendit dhe Memoriali i Shqiponjës në rrethrrotullimin e Doganës në kryeqytet.

EMRI TEK SHTATORJA GJATË INAUGURIMIT DHE PAS INAUGURIMIT
Nuk dihet se cfarë ka ndodhur pas përfundimit të ceremonisë së inaugurimit sepse shtatorja nga fotoja që përcjellim tregon që shkronjat tek emri i shtatores së Ismail Qemalit kanë qenë në rregull.
berisha ve lule ke shtatorja ismail qemalit

RAMA DENONCON GABIMET NË EMRIN E ISMAIL QEMALIT
ismail qemali shkruhet keq
ORA-19:40-Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka denoncuar gabimet ortografike në shtatoren e sapo inaguruar të Ismail Qemalit në Tiranë.

Reagimi Ramës bëhet në rrjetin social, Twitter.
“Shikojeni sesi ia kanë shkruar vulgarët emrin Ismail Qemalit në shtatoren e inauguruar sot për faqen më të zezë”, shkruan Rama duke ekspozuar dhe një foto në pllakatin ku shkruhej emri ‘Ismai (pa l) Qemali’

PARLAMENTI SHQIPTAR NDERON FIRMËTARËT E PAVARËSISË
Ora: 18:20
 – Parlamenti shqiptar nderoi sot pasdite firmëtarët e Pavarësisë, në një ceremoni të organizuar në Kuvend, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Presidentes së Kosovës Ahtifete Jahjaga, kryeministrit Berisha e personaliteteve të tjera të trevave shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dorëzoi botimin special të Akteve të themelimit të shtetit shqiptar pasardhësve të firmëtarëve të Aktit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e saj kryetarja Topalli tha se jemi bashkë sot të lirë, nga të gjitha trojet, nga Shqipëria, Kosova, jemi bashkë me shqiptarët nga Presheva, nga Shkupi, Maqedonia e Mali i Zi, për të celebruar kryefestën, këtë ditëlindje të madhe kombëtare.

“Sot, ne jemi thirrur jo vetëm për të festuar ditën kur pavarësia jonë lindi, por së pari, jemi thirrur për t’u përkulur e për të nderuar me mirënjohje të thellë shpirtin e paepur e të pamposhtur të shqiptarisë, që bëri këtë ditë të mundshme. Jemi thirrur për t’i paguar atribut luftëtarëve shqiptarë, kryengritjeve shqiptare kudo: atyre në Kosovë, në Shkup, në malësi, në veri e jug e në çdo kënd të trojeve shqiptare”, – tha kryetarja e Kuvendit.

“Pa luftën e sakrificën e tyre, pa trimërinë e atdhedashurinë e pashembullt, pa shpirtin e pamposhtur te tyre, nuk do ishte e mundur pavarësia. Po të mos ishin këta burra te mëdhenj, po te mos ishin këta shqiptarë që e deshën këtë vend pa llogari, pa kushte, pa hile, po të mos ishte devotshmëria e tyre sot nuk do të ishim bashkë, të gjithë, të lirë duke festuar’, – theksoi Topalli.

BERISHA: SOT JEMI TË LIRË TË PUNOJMË PËR IDEALIN E BASHKIMIT
ORA 17:30-
Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij përshëndetëse në inaugurimin e memorialit “Shqiponja” theksoi se ky simbol do t’i printe përjetë kombit shqiptar.

“Të fluturojmë të lirë pas këtij simboli të çmuar dhe të ngrihemi gjithmonë e më lart”,- tha Kryeministri Berisha në mesazhin e tij drejtuar përfaqësuesve më të lartë nga të gjitha trevat shqiptare në ceremoni si dhe qindra qytetarëve pjesmarrës.
“Sot jemi të lirë të punojmë për idealin e bashkimit”.

PERUROHET “MEMORIALI I SHQIPONJËS”
SHQIPONJA TEK DOGANA Ora 17:25 –
 Është inauguruar sot, në prani të Kryeministrit Berisha, 13 kryetarëve të komunave nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, Memoriali i Shqiponjës, simbolit të shqiptarëve. Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, kryetarët e komunave të trevave shqiptare kanë zbuluar Memorialin e Shqiponjës, i vendosur në zonën e quajtur, rrethrrotullimi i Doganës, i cili njëherësh merr emrin sheshi “Shqiponja”.

Shqiponja, 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra do të qëndrojë nga sot denjësisht dhe krenare, në qytetin e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka cilësuar shqiponjën, simbol force, krenarie dhe lartësie për shqiptarët.

“Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100 vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”- u shpreh Basha.

Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha se sot shqiptarët ndihen krenarë, për atë që kanë arritur në këto 100 vite: “Sot, shqiptarët kudo që janë të gjithë, le të jemi krenarë për të arritur gjatë këtij shekulli të mëvetësisë së shtetit shqiptar! Sot Shqipëria është shtet në NATO, shtet i cili është afër integrimi të Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i bindur dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës, se përmbyllja e suksesshme e këtij procesi do të kremtohet kudo me të njëjtin entuziazëm, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, Kosovën lindore, Çamëri, Mal të Zi, në diasporën tonë dhe anekënd këtij globi”- u shpreh Mustafa.

LAZIM DESTANI: FALËNDEROJ ZOTIN QË ARRITËM T’IA DHUROJMË KOMBIT KËTË SHQIPONJË
Ora 17:15-
Në kuadër të festës së Pavarësisë, kryeqytetit i shtohet një dekor simbolik : skulptura monumentale e shqiponjës dykrenare, e cila synon të shndërrohet në një ikonë për qytetin e Tiranës.
Në ceremoninë e përurimit të simbolit kombëtar morën pjesë kryeministri Sali Berisha, kryebashkiaku z. Lulzim Basha dhe z. Lazim Destani, biznesmen dhe filantrop i njohur i cili kontribuoi personalisht për realizimin e këtij projekti.

“Fillimisht, dua të falënderoj autoritetet e vendit dhe gjithë qytetarët e Tiranës për realizimin e këtij projekti simbolik të krenarisë sonë kombëtare. Në këtë moment të veçantë për mua dhe familjen time, falënderoj Zotin që arritëm t’ia dhurojmë kombit këtë shqiponjë dy-krenare të cilën çdo shqiptar e ka në zemër”-theksoi z. Destani.

z. Lazim Destani, njihet gjithandej për rolin dhe kontributin e tij të çmuar në çështjet dhe mbështetje të zhvillimet të komunitetit shqiptar, si dhe një biznesmen i suksesshëm i cili aktualisht është Kryetar Bordi i disa kompanive të njohura të drejtuara nga familja e tij.
“Ta zhvillojmë ekonominë e atdheut për të siguruar lumturi për brezat që vijnë. Kontributi ynë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të trojeve tona është mirënjohja më e mirë ndaj përpjekjeve brez pas brezi dhe amanetit të të parëve tanë për ta bërë Shqipërinë të lirë, të pavarur e të fuqishme.”-theksoi z. Destani.

Ai konsiderohet një filantrop i shquar, i cili falë iniciativave të tij ka dhënë një kotribut të drejtpërdrejtë në ndërtimin e shkollave, implementimin e iniciativave mjedisore e komunale dhe duke dhënë ndihma të ndryshme humanitare.
Monumenti-skulpturë i shqiponjës dy-krenare, simbol krenarie për gjithë shqiptarët ndodhet në kryqëzimin e Doganës dhe peshon plot prej 16 ton çelik.

Me vendim të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit ky rrethrrotullimi do të quhet “Sheshi Shqiponja’ dhe së shpejti synon të kthehet në një pikë referimi për qytetin si ditën ashtu edhe natën. Me anë të një një pajisje të veçantë do të sigurohet ndriçimi me ngjyrë të kuqe për të ri-krijuar ngjyrën e sfondit të flamurit kombëtar.

ZBULOHET SHTATORJA E ISMAIL QEMALIT NË TIRANË, BERISHA: FALË KËTIJ BURRI JEMI TË LIRË
ismail qemali
Ora 16:15-
Nëse sot jemi të lirë kudo jetojmë dhe ekzistojmë si të tillë, jemi falë shpalljes së pavarësisë, falë këtij burri”, u shpreh kryeministri Sali Berisha pasi zbuloi shtatoren e Ismail Qemalit.

Shtatorja e arkitektit të Pavarësisë së Shqipërisë u zbulua në prani të shumë qytetarëve. Në ceremoni merrnin pjesë edhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi si dhe kryeparlamentarja, jozefina Topalli.

Të pranishëm ishin edhe krerët e disa prej komunave kryesorë në të gjithë hapësirën shqiptare.

Shtatorja e Ismail Qemalit është punuar nga Odise Paskali dhe është vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryesisë së Kuvendit.

Kryeministri, Berisha vlerësoi maksimalisht figurën e Ismail Qemalit, kur e cilësoi atë reformator të përmasave të medha, si njërin prej burrave më të mëdhenj, më të shquar, më të guximshëm dhe më vizionar të historisë së kombit tonë.

“Sot përurojmë shtatoren e babait të pavarësisë të Shqipërisë, një prej burrave më të mëdhenj, më të guximshëm e vizionarë të historisë së kombit tonë, Ismail Qemal Vlora, pasardhës i një prej familjeve më të fuqishme shqiptare”, tha në fjalën e tij kreu i qeverisë.
Kryeministri theksoi se Ismail Qemali, burri reformator i përmasave botërore, bëri gjithçka për të reformuar një perandori ku jetonin dhe shqiptarët. “Ai qe ndër të parët që e kuptoi se kjo perandori nuk mund të reformohej. Ai e kuptoi se xhonturqit, të cilët arritën të mashtrojnë në një mënyrë apo një tjetër shqiptarët, ishin kryekëput antishqiptarë. Në këto kushte, Ismail Qemali merr përsipër, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Dedë Gjo Luli e burra të tjerë, që të punojnë me vendosmëri për pavarësinë e Shqipërisë”, theksoi Berisha.
Më tej në fjalën, e tij kryeministri tha se Ismail Qemali, një politikan i kalibrit botëror, e kuptoi se aleanca ballkanike nuk ishte gjë tjetër veçse një aleancë kryekëput antishqiptare, një aleancë ku fqinjët ballkanikë kishin vendosur të ndanin në mënyrë përfundimtare trojet e kombit shqiptar.
“Pas një udhëtimi biblik 27 ditor, ku kaptoi detra, shtete dhe male, ai erdhi e zbarkoi në Durrës dhe rendi në Vlorë për të shpallur aty, pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912, për të ngritur flamurin kombëtar, flamurin e Skënderbeut”, tha ai.
Kryeministri theksoi se Ismail Qemal Vlora jo vetëm është ati i pavarësisë, por ai themeloi dhe kryesoi qeverinë e parë të shqiptarëve në një vend të pavarur, qeverinë, e cila përcaktoi interesin kombëtar si yllin e saj polar.
“Themeluesi i pavarësisë sonë ishte njohës më i mirë se kushdo tjetër i planeve ogurzeza që ishin thurur për trojet shqiptare dhe ai nuk mund të pajtohej kurrë me to, ndaj dhe shpalli pavarësinë me synimin e vetëm që ky akt të përfaqësonte të gjitha trojet shqiptare”, theksoi ai.
“Ata që lexojnë dokumentin themelor të pavarësisë, vijoi Berisha, do të gjejnë aty firmat e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e diasporës. Ky është dhe dokumenti i themelimit të Shqipërisë etnike, të Shqipërisë që do të shtrihej në të gjitha territoret ku shqiptarët ishin një vazhdimësi etnike dhe gjeografike”, tha Berisha.
Sipas tij, Lufta e parë Ballkanike, ndër aktet e para kishte pushtimin e trojeve shqiptare dhe në këto kushte fuqitë e mëdha do të mblidhnin Konferencën e Londrës, e cila në pamje të parë vendosi parime të drejta, vendosi kufijtë e shteteve që të respektojnë shumicën e vazhdimësisë etnike e territoriale, por tjetër u shpall e tjetër u vendos.
“Dhe i pari që e kuptoi këtë ishte babai i pavarësisë së Shqipërisë. Ai bëri gjithshka për t’iu kundërvënë këtij projekti që ditën shpallej i drejtë dhe natën copëtonte njëra pas tjetrës trevat shqiptare nga trungu i Shqipërisë. Në këto kushte fuqitë e mëdha, në një akt madhor antishqiptar e internuan në Nisë, por ky burrë vigan çdo orë, çdo ditë, kudo që ishte, punoi me vetmohim të madh për Shqipërinë etnike, për Shqipërinë e pavarur në të gjitha territoret ku jetonin shqiptarët si shumicë”, vlerësoi kryeministri Berisha në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të shtatores së Ismail Qemalit.

KRIJOHET KUVENDIT KOMBËTAR I NJËSIVE VENDORE SHQIPTARE
Ora: 16:30 –
 Krahas ngritjes së flamurit në Tiranë, nga sot 26 nëntori do të kujtohet edhe si dita e vendimit për krijimin e Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare. Krijimi i Kuvendit u formalizua sot me miratimin e të zgjedhurve vendorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha deklaroi se ky Kuvend do të shërbejë për të çuar përpara, praktikat më të mira të mirëqeverisjes lokale dhe njehsimin kombëtar.

“Uroj që kjo datë e rëndësishme për qytetin e Tiranës, të kthehet në një datë për t’u mbajtur mend edhe për qytetarët që ne përfaqësojmë sot rreth kësaj tavoline, duke i dhënë sot aprovimin formal një prej iniciativave që kemi diskutuar së bashku këtu në Tiranë por edhe në Prishtinë, në Tetovë, në Preshevë, në Ulqin dhe kudo tjetër, në Gjakovë, atë të themelimit të Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare. Një kuvend i përhershëm, i organizuar sipas përvojave më të mira ndërkombëtare, evropiane e që do të shërbejë për të çuar sa më përpara, praktikat më të mira të mirëqeverisjes lokale dhe njehsimin kombëtar, pavarësisht se ku jetojnë qytetarët tanë, caktimin e një sekretariati për të ndjekur aktualizimin e kësaj iniciative dhe nisjen pa vonesë të një kalendari, i cili do të na afrojë më shumë me njëri – tjetrin, do të bëjë të mësojmë më shumë nga përvojat e njëri – tjetrit, të ndihmojmë për të zgjidhur probleme të përbashkëta apo të përveçme, që gjithsecili prej nesh ka dhe me të cilat ballafaqohet, siç ballafaqohen qytetet dhe qytetarët tanë dhe të çojmë përpara nëpërmjet kësaj ndjesie të ribashkimit kombëtar, aspiratën e qytetarëve tanë për identitet evropian dhe për bashkim në Bashkimin Evropian” – theksoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

KORÇË, PËRKUJTOHET NË VENDLINDJE AUTORI I HIMNIT KOMBËTAR, ASDRENI
Ora 16:20
– Eshtë përkujtuar sot në vendlindjen e tij, në Drenovë të Korçës, një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), autor i Himnit Kombëtar të Shqipërisë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga Komuna Drenovë janë bërë homazhe e janë vendosur kurora pranë bustit të birit të këtij fshati dhe te Shqipërisë, në emër të qeverisë shqiptare nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, deputetë të Korçës si dhe nga Institucioni i Prefektit dhe Qarkut Korçë.

Njëherazi është përuruar edhe muzeu i komunës me emrin “Asdreni”, qe u vlerësua për fondin e pasur. Ne koncertin festiv që përmbylli këtë veprimtari, të pranishmit i përshëndeti kryetari i kësaj komune Flamur Sala, por edhe deputeti e ministri Bode, i cili duke folur për 100 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, vuri në dukje se kjo ngjarje na bën të ndihemi krenarë për luftën dhe kontributin e brezave që lartësuan dinjitetin tonë kombëtar e bënë që shqiptarët sot anë e mbanë të jenë më të bashkuar se kurrë. Pjesë e këtij akti madhor, nuk ishte thjesht ngritja e Flamurit, theksoi Bode, por kalvari për të përballuar e tejkaluar sprovat e kohës dhe formësuar e mbrojtur kombin.

Duke vlerësuar figurën e Asdrenit e përpjekjet e tij krahas atyre të gjithë patriotëve të kohës, Bode u shpreh, se në këtë 100 Vjetor, përkujtimi i Asdrenit është për shërbimin e madh që ai i bëri aspiratës shqiptare, me Himnin Kombëtar të Flamurit, si një monument para të cilit përulemi me respekt të gjithë ne pasardhësit e atyre rilindasve të pavdekshëm.

Aleksandër Stavre Drenova u lind në Drenovë të Korçës në vitin 1872. Në vitin 1885, i mbetur jetim në moshën 13 vjeçare emigron në Bukuresht, Rumani, ku plotëson studimet e lëna përgjysmë në vendlindje, në Fakultetin e Shkencave për Drejtësi. Shquhet për një veprimtari të madhe patriotike në Koloninë shqiptare të Bukureshtit, ku spikat edhe bashkëpunimi me gazetën “Albania” të Faik Konicës. Në vitin 1912 boton vëllimin me vjersha “Endrra e lot”, ku përfshihet edhe Himni i Flamurit, i cili e bëri të pavdekshëm si dhe një përmbledhje tjetër me poezi, ku e bren malli për atdheun në vitin 1904. Në vitin 1932 ishte Konsull Nderi i Shqipërisë në Rumani, ku edhe vdiq në vitin 1947.

VLORA BËHET GATI PËR TË KREMTUAR 28 NËNTORIN
festime vloreOra 13:25- Tani që akrepat kanë filluar të numërohen mbrapsht, kur e ndajnë edhe dy ditë nga dita e kremtimit të madh, Vlora ka veshur rrobat e festës.

Aktivitetet e shumta që po zhvillohen në këtë qytet, mes të cilave edhe Festivali Mbarëkombëtar Folklorik, përurimet e statujave të figurave të spikatura të kombit, i kanë rritur dukshëm dimensionet e kësaj atmosfere.

Në mjedise të ndryshme publike jepen koncerte gjatë gjithë ditës nga grupe të ndryshme që kanë mbërritur në Vlorë në kuadrin e Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik, ndërkohë që vazhdojnë me intensitet veprimtari të larmishme, në përkujtim të kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë kombëtare.

Dekori i pasur është një tjetër element i rëndësishëm që i ka dhënë qytetit larminë e ngjyrave të 100- vjetorit të Pavarësisë Kombëtare.

POLICIA VLORË: JA RRUGËT QË BLLOKOHEN MË 27-28 NËNTOR
13:10- Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë në kuadër të masave të marra në bashkëpunim me Institucione Shtetërore dhe Agjensitë ligjzbatuese, për organizimin e aktiviteteve festive për 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë bën me dije gjithë qytetarët se në datat 27 dhe 28 Nëntor do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në akse rrugore të caktuara të qytetit, marrë shkas nga numri i lartë i qytetarëve Shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që kanë mbërritur në Vlorë dhe që pritet të mbërrijnë.
Konkretisht do të bllokohen për qarkullim të mjeteve akset rrugore si më poshtë:
Në datat 27 dhe 28 Nëntor do të bllokohet Bulevardi Kryesor nga Xhamia e Plumbit – Rrethrrotullimi i Skelës; po në datën 27 dhe 28 Nëntor do të bllokohet qarkullimi në aksin Rrugor nga Shkolla e Mesme “Halim Xhelo” – Xhamia; do të bllokhet edhe aksi rrugor nga Mobilieri Aliko – Kapelja;
Gjithashtu në datat 27 pasdite dhe 28 Nëntor paradite do të bllokohet për qarkullimim edhe aksi rrugor nga Shkolla e Muzikës – Transballkanike;
Nuk do të lejohet parkimi në të dy krahët e rrugës Transballkanike, parkime të cilat janë përcaktuar për autobuzat që do të vijnë nga qytetet e tjera të vendit dhe jashtë tij, ndërsa qarkullimi në rrugën Transballkanike do të lejohet.
Në mënyrë kategorike, mbështetur edhe në Urdhrin e Kryetarit të Bashkisë Vlorë nuk do të lejohet në asnjë aks rrugor të qytetit, qarkullimi i mjeteve të rënda.
Gjithashtu në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e aktiviteve festive Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë kërkon mirëkuptimin e qytetarëv që të kufizizojnë sa më shumë të jetë e mundur qarkulloimin me automjete gjatë këtyre ditëve. U bëjmë thirrje gjithashtu edhe administratorëve të nëjsive hoteliere të qytetit të Vlorës që ti pajisin gjithë klientët e tyre me fletë-hartën e 4 parkimeve falas në qytet që Drejtoria e Policisë Vlorë i ka krijuar për orientimin e të gjithë qytetarëve që do të vijnë në Vlorë për festën e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Drejtoria e Policisë Vlorë në dalje të autostradës do të pajisë të gjithë drejtuesit e automjeteve me Hartat e 4 Parkimeve Falas në qytet me qëllim disiplinimin dhe rrjedhshmërinë e trafikut rrugor në qytet gjatë ditëve të festimeve.

FIERI ‘PRET’ DELEGATËT E KOSOVËS DHE MAQEDONISË
delegatet e fieritOra 13:00- Fieri që prej dy ditësh është kthyer në një stacion të zhurmshëm dhe plot jetë. Delegatë nga Gjilani, nga Prekazi, vendlindja e heroit Adem Jashari, nga Prishtina dhe gjithë Kosova, nga Shkupi, artistët e teatrit shqiptar në Nju Jork etj, bujtën për një natë në qytetin e Fierit mes dashurisë vellazërore, bujarisë dhe mikëpritjes. Ata u pritën edhe nga kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, duke improvizuar kështu historinë para 100-vitesh.

Pasi kaluan në këmbë, me karrocë dhe mjete në shëtitoren kryesore të qytetit, të shoqëruar nga tingujt e muzikës dhe të veshur me Flamurin Kombëtar, ata ndoqën kalendarin e veprimtarive artistike të organizuara nga bashkia në përkujtim të jubileut të Pavarësisë. Me mjaft emocion u ndoq dokumentari historik kushtuar Himnit të Flamurit. Gjithashtu, ata morën pjesë në ngritjen e një flamuri të madhësisë 500 m2 në godinën e Universitetit “Kristal”.

BERISHA: U ÇEL GALERIA E KRENARISË KOMBËTARE
Ora 12:39-
 Sot rreth orës 12:00 një tjetër aktivitet kulmoi në Muzeun Historik Kombëtar, ku në kuadër të manifestimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë u çel ekspozita e Prof. Eqerem Zenelaj.

Në fjalën e tij përshëndetëse autori tha se e ka hapur këtë ekspozitë “Që historia të jetë ashtu siç është. Në veprat e mia nuk e kam falsifikuar historinë, ne e kemi të bujshme dhe krenare, kemi figura madhore. Kjo ekspozitë është dhuratë për Muzeun Kombëtar me rastin e 100-vjetorit”, tha autori.

Ndërsa kryeministri Berisha i pranishëm në këtë ceremoni, u shpreh se kjo ekspozitë është galeria e krenarisë kombëtare.
“Dëshiroj të shpreh falenderimin dhe mirënjohjen për punën e shkëlqyer që profesor Zenalaj ka bërë në arkivat e huaja, për jetën e shqiptarëve dhe ia ka dalë të na paraqesë këtu në një moment kulmor të kombit, të paraqesë portretin e shqiptarëve më të shquar nga koha e Skënderbeut deri më sot, që vijnë nga penelat e piktorëve botërorë. Kjo është galeria e krenarisë kombëtare. Galeri në historinë e madhe të Evropës dhe njerëzimit”, tha Berisha

Sipas tij, “ky 100- vjetor është leksion i madh për shqiptarët për të njohur vlerat e së shkuarës dhe gabimet”.

ÇELET PANAIRI “BLEJ PRODUKTE SHQIPTARE”
Ora 11:30- Ashtu siç ishte parashikuar, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë është çelur sot edhe panairi “Blej produkte shqiptare” në rrugën “Murat Toptani” e njohur ndryshe edhe si Pedonalja. Që në orët e para të hapjes, panairi ka ngjallur kureshtjen e vizitorëve, pasi aty tregtohen vetëm produkte shqiptare.

VLORË, MBËRRIJNË “3 UDHËTARËT E PAVARËSISË” NGA KOSOVA
ORA 11:28
 Tre udhëtarët këmbësorë të udhëtimit të Pavarësisë kanë mbërritur mesditën e sotme në qytetin e Vlorës.
Ibrahim Laci, Cahil Beqja, Zemri Bushi, Rexhep Shkreta u nisën në datën 16 nëntor nga Hani i Elezit në Kosovë për të përshkruar rrguën drejt qytetit të Flamurit në këmbë, por gjatë rrugës ata mbeten vetëm tre pasi bashkëudhëtari i katërt u lëndua në këmbë. Udhëtarët e Pavarësisë u pritën nga nënkryetari i Bashkisë Vlorë.

PËRKUJTOHET NGRITJA E FLAMURIT NË TIRANË, INAUGUROHET MOZAIKU I FLAMURIT
Basha Inauguron mozaikun e FlamuritOra 11:00-
 Edhe pse ka disa javë që kryeqyteti ka nisur përgatitjet për të kremtuar këtë jubile të rëndësishëm për kombin, sot startuan disa prej aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës. Në orën 11:00 u përkujtua 100-vjetori i ngritjes së flamurit në Tiranë, si dhe u inaugurua mozaiku i rrallë i flamurit kombëtar, të gdhendur në gurë.

Vepra e Gëzim Hidrit është realizuar me gurë të përzgjedhur nga vende ku janë zhvilluar beteja për mbrojtjen e trojeve shqiptare ndër shekuj, ndërsa prej ditës së sotme do vendoset në kryeqytet pranë Urës së Tabakëve.

“Si sot 100-vjet më parë në këtë vend u ngit flamuri i Pavarësisë në Tiranë. Sot në këtë ditë të rëndësishme për qytetin tonë që ka nisur festën në çdo lagje, unë dua të ndalem dhe të nderoj firmëtarët e ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Tiranë. Mirënjohje për ta dhe familjen e tyre”, tha Basha ndërsa shtoi se, “Jemi mbledhur sot pikërisht në vendin ku u ngrit flamuri për të vendosur një mozaik të rrallë, të gdhendur në gurë .Ky mozaik është autentik, një vlerë e thellë dhe e vjetër e qytetit tonë, gurët janë mbledhur në trevat shqiptare, në vendet ku janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme”, shtoi ai.

Basha deklaroi gjatë nisjes së aktiviteteve festive se Tirana është sot qyteti që rrezaton shpresë dhe besim për mbarë kombin shqiptar.

“Para 100- vitesh Tirana qytet i vogël me zemër të madhe dhe bujare. Qytetarët e Tiranës hapën dyert dhe zemrat më pas për shqiptarët nga treva të tjera. Ky qytet nisi të rritej së bashku me Shqipërinë e pavarur, deri sa u bë kryeqendra e kombit shqiptar. Tirana është sot qyteti që rrezaton shpresë dhe besim. Zoti e bekoftë Tiranën tonë të bukur, zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha ai.

“ISMAIL QEMALI MBËRRIN NË DURRËS”
Durres Festime pavaresiaOra 09:50 
Në vigjilje të 100- vjetorit të Pavarësisë, atmosfera festive ka përfshirë Shqipërisë. Teksa nga Kosova kalorësit kanë nisur udhëtimin historik për të risjellë dhe përjetuar hapat e Isa BoletInit drejt Vlorës, në qytetin e Durrësit qindra qytetarë kanë pritur mbërritjen e Ismail bej Vlorës në port.

Në portin e Durrësit mëngjesin e sotëm është improvizuar ardhja e Ismail Qemalit me një anije nga Italia, ndërkohë që qindra të rinj me flamur në dorë kanë përshëndetur ardhjen e “arkitektit” të Pavarësisë së Shqipërisë.

Historia është rikthyer në Durrës, si për të përjetuar të njëjtat emocione të 26 Nëntorit të vitit 1912-të, ku Ismail bej Vlora mbërriti në Durrës, por sot ai është pritur nga kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, të cilit i ka dorëzuar flamurin kuq e zi. Qindra qytetarë skuqën sheshin e qytetit bregdetar si për t’i uruar mirëseardhjen plakut të urtë të Vlorës.

Datë 26 Nëntor:
11:00 Ceremoni përkujtimore për ngritjen e flamurit në Tiranë, 100 vjet më parë –Inaugurimi i Mozaikut të Flamurit
11:30 Nisja e panairit “Blej produkte shqiptare” (rruga “Murat Toptani”)
11:30 Ekspozita historike e AQSH “100 vjet Tirana” (trotuari përpara Galerisë Kombëtare të Arteve)
12:00 Koncert me grupe rock (rruga “Murat Toptani”)Unit Band; Xhejn Kumria; The Room; Marsela Çibukaj; Grupi Na; Burn; Renis Gjoka Band
17:00 Ceremonia e inaugurimit të sheshit “Shqiponjës” (rrethrrotullimi i Doganës)
18:30 Koncerti filarmonik i Orkestrës Rinore Shqiptare, drejtuar nga dirigjenti Aldo Ceccato (TKOB)
20:00 Koncert me këngë patriotike, me këngëtarë e grupe Rap (rruga “Murat Toptani”) Big Basta; Lazy feat Elia; Bimm-Bima; Egen Nr; Noizy; Tuna; Mc Kresha; Lyrical Son; Lavda; Dafina Zeqiri

Datë 27 Nëntor:
10:00 Vazhdon panairi “Blej Produkte Shqiptare”
10:00 Koncert me këngëtarë të rinj (rruga “Murat Toptani”)
11:00 Prezantimi i përmbledhjes me këngë patriotike (Teatri i Metropolit)
15:00 Ceremonia e përurimit të shtatores së heroit Adem Jashari (rruga e Durrësit)
20:00 Koncert me grupe rock, me këngë patriotike (rruga “Murat Toptani”)
Renis Gjoka; Kamela & Top Show Band; Valon Shehu; Grupi Na; Grifshat; Vedat Ademi

Data 28 nëntor:
Aktivitetet nisin nga ora 10.00-14.00
Rruga “Murat Toptani”:
* Panairi “Blej produkte shqiptare”
* Koncert me këngë të muzikës së lehtë dhe popullore
Eranda Libohova; Eni Koci; Ardian Trebicka; Soni Malaj; Redon Makashi; Greta Koci; Elton Deda; Valon Shehu; Mentor Haziri; Elhaida Dani; Bojken Lako; Alban Skënderaj
* Ekspozita “100 vjet Tirana” – (trotuari i GKA)
Lulishtja tek parku “Rinia” (tek Shatërvani)-Këndi i Fëmijëve:
* Telajo për pikturën me temë “100 vjet Pavarësi – Shqipëria ime” (12m*1.5m)
* Koncert për fëmijë (Qendra Kombëtare për Fëmijë, shkolla e Baletit, Liceu Artistik etj)
* Teatër për fëmijë (Teatri i Kukullave)
* Animatorë (lojra, pikturime në fytyrë, tullumbace)
* Foto point me personazhe të Pavarësisë
Lulishtja “Tre Vëllezërit Frashëri”:
* Koncert për të rinj (Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, shkolla e Baletit)
Ura tek rruga “Ibrahim Rugova”:
* Performancë e Cirkut
Rr. “Ismail Qemali” (pedonale):
* Ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit
Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”:
* Foto point me personazhe historike
* Rreth 100 animatorë, të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhura me festën, që shpërndajnë flamurë të vegjël dhe organizojnë lojra
sheshi “Skënderbej”:
* Ceremonia e prerjes së Tortës (TKOB)
* Hedhja e parashutistëve të Red Bull me Flamurin Kombëtar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here