Tiranë Erdhën të zinjtë! Të kanë rrethuar shtëpinë! Ky sinjal, i përgjuar përmes telefonit i ka dhënë biletën e arratisë Gëzim Çelës, që tashmë është në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Një burim i policisë tha se Çela është lajmëruar përmes telefonit në momentin që RENEA kishte rrethuar vilën e tij 3-katëshe në Fushë-Kuqe. Në këtë kohë, korrieri i kokainës, Reald Hysolli ishte arrestuar në Morinë, ndërsa të dyshuarit e tjerë po mbaheshin nën përgjim telefonik dhe vëzhgim policor. Mëngjesin e së enjtes policia ndaloi Reald Hysollin në pikën e kalimit kufitar në Morinë, ndërsa Çela mësohet se ka tentuar të lidhet disa herë me të, por nuk ka mundur. Pikërisht në këtë kohë, kur u ndalua në kufi Hysolli, drejtuesit e operacionit urdhëruan edhe ndërhyrjen në banesën e Çelës në Fushë- Kuqe, si dhe në atë të rrugës “Don Bosko”, ku edhe kishte një supermarket që e menaxhonte prej një viti e gjysmë si pronë të tij.
Edhe pse operacioni i policisë rezultoi i suksesshëm, mësohet se Çela i ka kaluar prej hundësh punonjësve të policisë. Në momentin e nisjes së operacionit, vendndodhja e telefonit, e diktuar përmes një antene, tregonte se ai gjendej në ambientet e vilës në Fushë-Kuqe. Mirëpo ky detaj, sipas hetuesve ishte llogaritur gabim, nisur nga fakti se antena e telefonisë tregon vendndodhjen me përafërsi, por jo vendin e saktë. Kur hetuesit kanë hyrë në banesë, kanë vënë re se Gëzim Çela nuk ndodhej në shtëpi. Pak minuta më vonë është dëgjuar në biseda kur dikush i thoshte Çelës se policia i kishte rrethuar shtëpinë. Fill kësaj momenti “baroni” i drogës ka bërë një telefonatë dhe është zhdukur në rrethana ende të paqarta për policinë, me një prej makinave të tij. Më vonë është marrë vesh se Çela kishte qenë në një lokal, rreth 500 metra larg shtëpisë së tij, kur e kishin njoftuar për zbarkimin e RENEA-s. “Është larguar me ndihmën e një miku”, – shtuan më tej burimet nga grupi i hetimit.
Nga verifikimet e kryera prej sistemit TIMS rezulton se Gëzim Çela nuk ka dalë jashtë vendit në rrugë zyrtare. Hetuesit dyshojnë se ai fshihet ende në Shqipëri, kjo edhe për faktin se me vendet fqinje ka probleme me policinë. Hetimet kanë zbuluar të dhëna të reja për rrjetin e kokainës të drejtuar prej tij. Sasia prej 7 kilogramësh që u bllokua në Morinë, kishte udhëtuar një herë më parë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Por ishte rikthyer në Kosovë, pasi cilësia e saj konsiderohej e dobët. Kjo situatë mësohet se ka ndodhur pikërisht pak ditë më parë se të kapej në Morinë sasia e lëndës narkotike, e cila ishte nisur fillimisht nga Kosova pasi ishte përpunuar në laboratorin përkatës. Hetuesit pohojnë se laboratori në Kosovë drejtohej nga Veim Berisha, tashmë i arrestuar. Burimet thanë se pasi lënda narkotike ishte vendosur që të nisej në drejtim të laboratorit të Kosovës, në drejtim të këtij vendi është nisur edhe Valentina Tufina, e njohur si “Tezja”. Ajo është nisur në drejtim të Kosovës dy ditë përpara se të arrestohej në Morinë. Burimet e policisë thanë se Tufina është nisur me një nga autobusët e linjës Tiranë- Prishtinë në drejtim të Morinës. Aty, ajo mësohet se është pritur nga një person i caktuar prej Veim Berishës. Ky i fundit njihej nga autoritetet policore dhe të Prokurorisë në Kosovë si nga njerëzit më të paprekshëm të krimit të organizuar, dhe i përfshirë në trafikun e drogave të forta. Pasi ka shkuar në vendin ku ishte vendosur laboratori, Valentina Tufina ka pritur mbërritjen e korrierit, Reald Hysolli nga Shqipëria. Një ditë përpara se të arrestohej në Tufinë, Hysolli është nisur me mjetin “Mercedez- Benz”, me ngjyrë të zezë në drejtim të Kosovës, ku e prisnin Valentina Tufina, Veim Berisha dhe personat e tjerë të caktuar prej këtij të fundit për përgatitjen e lëndës narkotike që do të blihej nga Gëzim Çela. Ndërkaq, gruaja me profesion inxhiniere kimiste mësohet se ka fjetur në një hotel që ishte i vendosur në një pikë të tregtimit të karburantit, anës rrugës nacionale të zonës. Po ashtu, aty ka qëndruar edhe bashkëpunëtori i Gëzim Çelës. Gjatë qëndrimit tij në Kosovë, apo gjatë komunikimeve telefonike mësohet se Hysolli është identifikuar si “Nipçja”.