Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e sotëm në një stacion hekurudhor në Mynih të Gjermanisë. Si pasojë, një agjente policie dhe dy civilë kanë mbetur të plagosur.
Sipas BBC-së, një person është ndaluar nga policia, e cila po zhvillon një operacion të gjerë.
Ndërkohë gazetat gjermane “Bild” dhe “Focus” shkruajnë se, “autori është përpjekur t’i marrë pistoletën agjentes përpara se të qëllonte, por kjo nuk është konfirmuar ende”.
Në vendin e ngjarjes ndodhen rreth 100 oficerë, si dhe helikopterë që po fluturojnë mbi zonë. Lidhur me këtë ngjarje, policia lokale ka njoftuar se autori, i cili ka mbetur i plagosur, është arrestuar dhe ka shtuar se nuk bëhet fjalë për një sulm terrorist.
Gjithashtu bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në stacionin Unterfoehring, dhe se pasagjerët janë evakuuar e zona përreth është izoluar nga forcat e policisë.