Gripi sezonal ka prekur qindra njerëz në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik raporton se janë izoluar tanimë rastet e para me grip.
E kontaktuar me telefon, ekspertja e sëmundjeve infektive pranë këtij Instituti, Silva Bino, thotë se në vend është duke qarkulluar virusi AH3, por paralelisht ka edhe shumë viroza respiratore, të cilat për shkak të simptomave të ngjashme, shpesh ngatërrohen me gripin nga njerëzit.
Në Urgjencën e Shërbimit të Pediatrisë, në Tiranë, këtë të diel deri në mesditë janë vizituar rreth 150 pacientë të vegjël, të cilët për shkak se Qendrat Shëndetësore janë pushim, i janë drejtuar QSUT-së.
“Kam ardhur këtu ta vizitoj fëmijën, e kam me të vjella dhe i dhemb edhe veshi. Të shohim se çfarë do të na thonë këta të Urgjencës, sepse qendra jonë është pushim”, shprehet një prind.
“U bënë 3-4 ditë që e kam fëmijën me temperaturë. Është dy vjeç, kam ardhur ta vizitoj”, thotë një tjetër prind.
Simptomat e gripit janë temperaturë e lartë, dhimbje fyti, gjendje dobësie, por pak a shumë këto simptoma shfaqin edhe viroza, të cilat në disa raste nuk shfaqin temperaturë.
Shefja e Departamentit të sëmundjeve infektive, Silva Bino, u bën thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë simptomat e gripit, por të paraqiten menjëherë te mjeku i familjes, pasi vetëm ai mund të përcaktojë mjekimin.
Nga ana tjetër, ajo thotë se nuk është vonë për vaksinën antigrip, pasi në të është e përfshirë edhe virusi AH3. Specialistët thonë se ky është vetëm fillimi i gripit sezonal, por rastet do të vijnë duke u shtuar, pasi fundi i muajit janar shënon pikun e qarkulimit të virusit të gripit në vendin tonë. / Top Channel