Home Aktualitet Tanja Fajon: Veshtiresite qe hasa per arritjen e liberalizimit te vizave

Tanja Fajon: Veshtiresite qe hasa per arritjen e liberalizimit te vizave

665
0

Pikë së pari me këtë bisedë do të donim të dinim diçka më shumë për Tanja Fajon. Kush është ajo, cila ka qenë karriera e saj? Mua më ka pëlqyer fakti që, kur lexova se ju keni qenë një nga gazetaret e njohura në Slloveni, apo jo?
Po, unë isha gazetare për shumë vjet, ky qe profesioni im dhe vazhdoj ta dua shumë. Gjatë asaj kohe mësova shumë. Dua të them se të jesh gazetar dhe me pas politikan, të dyja këto profesione kanë diçka të përbashkët sepse në të dyja rastet duhet të dish të komunikosh me publikun. Kur isha gazetare kisha shume kontakte me politikanët dhe mund të them për veten, besoj se isha një gazetare kritike. Ndiqja veçanërisht integrimin e Sllovenisë në Europë dhe isha për 8 vjet korrespondente për çështjet Europiane e jo vetëm për çështjet europiane por edhe për 3 vendet pranë Belgjikës dhe NATO-n gjithashtu, Sllovenia po iu bashkohej të dyja institucioneve. 2 – 3 qeveri ndryshuan gjatë asaj kohe në Slloveni, dhe unë vazhdova të qëndroj, kjo besoj është një provë se unë isha një gazetare profesioniste.
Thatë me të drejte që ka diçka e cila bashkon gazetarët me politikanët. Zakonisht pjesa që i ndan gazetarët nga politikanët, është se gazetarët nuk mund të gënjejnë, ndërsa politikanet po. Ndaj besoj do ketë qenë shume i çuditshëm fakti që keni punuar 7 vjet në Bruksel, keni qenë një ‘insider’ dhe më pas keni përfunduar sërish në Bruksel si një MEP. Pra si një anëtar i Parlamentit Europian.
Ju thatë se gazetarët nuk mund të gënjejnë, por politikanët gënjejnë, unë mendoj se ata nuk duhet ta bëjnë, dhe unë nuk e bëj, por ju keni të drejtë se të kalosh nga njëra anë në tjetrën ka goxha ndryshim dhe për mua personalisht qe një sfidë e madhe. Mbase në kohën kur mora këtë vendim të rëndësishëm për veten nuk e dija tamam se çfarë po beja, por personalisht isha e shtyrë nga ideja se mund të arrija shumë, isha e interesuar në politikën europiane dhe pasi e kisha ndjekur atë për shumë vjet, vjen një moment qe t’i thjeshtë do të ndryshosh gjërat, të bësh diçka, dhe si politikane unë kam influencë tani në politikë, kam raportuar për gjerat dhe kam qene edhe kritike ndaj institucioneve europiane. Nëse do më pyesnit para disa vjetësh, mund të thoja se nuk do doja të isha pjesë e tyre, por të jesh pjesë e tyre mund të jesh edhe kritike dhe unë kam qenë e tillë disa herë ndaj institucionit tim, kur kolegët e mi nuk e kuptonin se çfarë doja unë në fund të fundit. Keshtu që e them shpesh se për mua qe një eksperiencë e vlefshme dhe një avantazh, të qenit gazetare më parë në Bruksel sepse i shoh institucionet më ndryshe se ata të cilët hynë direkt atje. Unë di sesi të orientohem atje dhe di si të merrem me problemet dhe di sesi të anashkaloj diçka apo sesi mund të arrihet diçka të cilën e do vërtet. Ishte një avantazh i mirë për mua, dhe mbase unë e di më mirë se si funksionon, por unë nuk dua të jem një politikane e thjeshtë, normale do doja të them.
Për këtë jemi të gjithë dakord pasi kemi parë energjinë jo të zakontë të një politikaneje europiane, në personalitetin tuaj, sidomos në rastin tonë të liberalizimit të vizave. Le t’i kthehemi këtij problemi në fakt. Ju përfaqësoni të majtën në vendin tuaj dhe gjithashtu në Parlamentin Europian, a ishte e vështirë në rastin tuaj për të lobuar për një qeveri të qendrës së djathtë?
Unë nuk po loboja për një qeveri të qendrës së djathtë dhe as për opozitën, unë po e beja për njerëzit dhe të them të drejtën njerëzit në Shqipëri më kanë nxitur të luftoj për ta dhe jo vetëm për njerëzit në Shqipëri por edhe ata në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Për mua ishte e rëndësishme të flisja me njerëzit dhe nëse jam e sinqerte kam marrë për rreth një vit një numër shume të madh letrash dhe mesazhesh mbështetjeje dhe kjo qe nga njerëz të rinj, gjë e cila qe shumë e rëndësishme për mua. Shpesh thoja se vij nga Sllovenia e cila është vetëm disa qindra km larg Shqipërisë dhe për gjeneratën time po dhe më të rinj e sidomos për ata që janë më të rinj është e vështirë të kuptojnë, se ekzistojnë akoma të rinj ose edhe njerëz në përgjithësi, të cilët nuk mund të udhëtojnë jashtë shtetit. Këto rregulla që kanë të bëjnë me vizat, po na ndajnë nga miqtë e familjet tona, apo të njohurit. Ne kemi pasur shume njohje në të kaluarën, më pas Shqipëria ka qenë e izoluar. Në një vit takova shume njerëz të cilët më thanë shume histori qe do ti quaja tragjike. Pra ajo qe lufta ime dhe ishte për njerëzit, për lëvizjen e studentëve, të artistëve, të muzikanteve. Unë vij nga një familje muzikantësh dhe artistesh gjithashtu, shpesh flas me ta për politikën dhe nuk më kuptojnë shumë por kur vjen puna për jetën e përditshme ata mund të më japin këshilla shumë të mira.
Tanja Fajon, atëherë do doja t’iu pyes: ishte ideja juaj apo kush jua propozoi nismën që ju morët për të mbështetur Shqipërinë dhe Bosnjën, dhe për të lobuar për rezolutën për liberalizimin e vizave për këto dy vende?
Fokusi kryesor i punës sime si gazetare qe të ndiqja zgjerimin e Komunitetit Europian dhe ndiqja si Slloveninë edhe zgjerimin me vende të Ballkanit Perëndimor. Unë isha shumë e interesuar të vazhdoja të punoja në atë fushë, sepse unë e njihja mirë dhe vazhdoj ta njoh mire atë. Kur hyra në Parlamentin Europian unë e dija se do të fillonim së shpejti të merreshim me çështjen e liberalizimit të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe vitin që kaloi fillova të isha shumë aktive dhe pjesëmarrëse për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kështu që isha duke raportuar vitin që kaloi dhe ishim të suksesshëm madje. Në fakt që vitin që kaloi kishim një mbështetje të madhe për të përfshirë edhe Bosnjën e Shqipërinë në të ashtuquajturën Lista e Bardhë, por siç e dini Parlamenti nuk kishte shumë për të thënë vitin që kaloi dhe kështu që ne nuk patëm shumë sukses, por unë isha duke u përpjekur gjatë gjithë kohës që vendet tuaja duhet të ishin gjithashtu pjesë e procesit të liberalizimit të vizave sigurisht. Në këtë kontekst dua të shtoj se çështja e Kosovës është gjithashtu tepër e rëndësishme për mua, sapo erdha nga Prishtina. Sidoqoftë tani i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor është për mua një çështje të cilën dua vërtetë ta zgjidh në fund të fundit. Jam vërtet e bindur dhe besoj se ne jemi tashmë vetëm një hap larg një vendimi të rëndësishëm, i cili për Shqipërinë do të jetë mund të them një vendim historik dhe unë jam shumë e lumtur që e arritëm këtë së bashku dhe më pas unë do të jem seriozisht e vendosur për të sjellë Kosovën pranë një vendimi të ngjashëm për lëvizjen e lirë.
Ishte e vështirë, Tanja Fajon, të kalonit rezolutën në Parlamentin Europian?
Ishte e vështirë, dhe nganjëherë nuk është e lehtë të kuptosh sesa e vështirë është, sepse në të janë të përfshirë interesa të ndryshëm dhe shtete të ndryshme, ti nuk je vetëm duke bërë negociata me kolegët e tu të Parlamentit Europian, të cilët vinë natyrisht nga 28 vendet anëtare dhe kanë interesa të ndryshme, duhet për më tepër të negociosh me Komisionin dhe më pas me vendet anëtare. Tanimë me Traktatin e Lisbonës, Parlamenti Europian u bë më i fuqishëm, dhe ne jemi në të njëjtin procedurë legjislative si vendet anëtare, kështu që çfarë ne themi në parlament duhet të aprovohet nga vendet anëtare, është një proces paralel. Tani nga fundi, ishte e rëndësishme të tregoheshim shumë të kujdesshëm, sepse çështja që shumë sensitive. Çfarë në vendosnim në Parlament për Shqipërinë dhe Bosnjën, vendet anëtare duhet të aprovonin sepse nëse ne merrnim vendime të kundërta dhe mbanim pozicione të ndryshme, kjo mund të çonte në falimentimin e të gjithë procesit. Ishte dhe vazhdon të jetë goxha e vështirë sepse çdo ditë del ndonjë gjë e re, por unë besoj se ne kemi arritur larg dhe nuk ka më kthim mbrapa. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet teknike, këtë duhet të kemi parasysh.
Ne kemi dëgjuar se disa nga kundërshtarët e procesit të liberalizimit të vizave, për Bosnjën dhe ne, kanë përdorur mund të themi kartën fetare kundër nesh, domethënë që ne kemi një popullsi mbizotëruese në Bosnjë por edhe në Shqipëri, islame. Por ajo që do të doja t’iu pyesja përtej përdorimit të kësaj karte, a ka vërtet një opinion të tillë për vendin tonë dhe nëse ky opinion prevalon në shumicën e vendeve anëtare?
Nuk kam patur këtë përshtypje, kur filluam të merreshim me çështjen e liberalizimit të vizave, se këto të ashtuquajtura çështje fetare, apo myslimane mund të ishin në ndonjë farë mënyrë pjesë e procesit. Unë nuk kam hasur kurrë kundërshtime për atë arsye, dhe me çfarë ne po përballeshim në fakt, ishin kritere të ndryshme, çfarë mendoj se që e rëndësishme dhe e kritikuar shpesh është çështja e korrupsionit dhe krimit të organizuar. E gjitha kjo të drejton natyrisht tek siguria e kufijve. Kishte shumë gjera të hapura, të cilat ishin arsye për shqetësim në vendet anëtare. Ju e dini mirë si është situata në Shqipëri dhe në rajon, por unë mendoj se hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë gjithashtu në lidhje me këtë, ne lidhje me sigurinë e kufijve, dokumentet dhe pasaportat biometrike. Mendoj se hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar por ky nuk është fundi, ky është vetëm fundi i një procesi, monitorimi do të vazhdojë. Edhe tani teksa ne vendosim për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, do të ketë një deklaratë speciale nga Komisioni Europian, e cila do ti bashkëngjitet procesit dhe ata do të vazhdojnë të monitorojnë në të ardhmen të gjitha implementimet e standardeve të cilat kanë qenë dhe janë në fuqi. Pra nuk është fundi i procesit por do të thoja është fillimi i një pjese të tij dhe asaj çka do vijë në vijim.
Zonja Fajon do të doja tani në këtë pjese t’iu bëja disa pyetje, të themi pak me politikë dhe që lidhen me situatën brenda vendit. Këtu qeveria dhe kryeministri Berisha kane akuzuar opozitën dhe qeveritarët e saj se kanë lobuar në Bruksel dhe Strasburg kundër liberalizimit të vizave, ose së paku të themi duke kërkuar shtyrjen e afatit të heqjes së vizave, pas zgjedhjeve lokale të 8 majit të ardhshëm. A jeni kontaktuar ju apo ndonjë nga parlamentarët e tjerë apo ndonjë zyrtar i Brukselit, a jeni kontaktuar direkt apo indirekt nga ndonjë lobist, në emër të opozitës shqiptare për ta bërë një gjë të tille pra; për të stopuar liberalizimin e vizave apo për ta shtyrë atë për pas 8 majit?
Nuk jam kontaktuar në mënyrë direkte apo vënë nën presion. Unë kam qenë duke bërë punën time si reportere përsa i përket liberalizimit të vizave. Nuk mund të them se nuk kam patur kontakt, kam patur kontakt me të gjitha palët e përfshira. Kisha kontakt me socialistët shqiptarë, kisha kontakt me palën qeverisëse të Shqipërisë, kisha takime të shumta me ministrin e Brendshëm, sepse ai ishte partneri me të cilin unë diskutoja. Sigurisht përgjatë situatës që ju e dini, delikatë dhe sensitivë, të para disa muajve, ne kishim kontakte… për ne ishte e rëndësishme të shihnim se ekzistonte dialogu, që të dyja palët diskutojnë dhe se institucionet funksionojnë. E rëndësishme është që vendi të jetë në një gjendje të stabilizuar, se çdo gjë tjetër mund të kanosë procesin, kështu që unë kisha shumë kontakte më shumë përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, por që të kisha një presion direkt? Jo nuk e kisha. Unë po punoja në interes të njerëzve, dhe nëse do të kisha pasur presion nuk do ta kisha patur problem. Nuk do ta merrja seriozisht, sepse unë po punoja me faktet, me shkresat, me ato që pashë kur kam vizituar Shqipërinë, dhe për të mirën e njerëzve siç e thashë.
Pra që ta kuptojmë mirë ju nuk keni pasur asnjë lloj kërkese, nga përfaqësues të opozitës shqiptare për ta shtyrë procesin e liberalizimit apo për ta penguar atë? Dhe nëse, kjo është përgjigja për ju, a keni dijeni që kjo mund të ketë ngjarë me anëtarë të tjerë të Parlamentit?
Për të qenë tepër e qartë: si anëtare e Parlamentit Europian unë do të isha vërtet e zhgënjyer nëse do të kisha patur një presion të tillë direkt. Besoj se nuk është diçka të cilën ne do ta duronim në Parlamentin Europian, do të ishte tepër kundër-produktive. Unë nuk kam patur asnjë lloj presioni apo lobingu çfarëdo, nuk ka arritur tek unë. Unë nuk jam anëtare e Komitetit të Punëve të Jashtme, kështu që nuk isha e përfshirë në ndonjë shantazh direkt me ndonjë politikan nga Shqipëria, unë jam anëtare e punëve të brendshme dhe drejtësisë, kjo është një fushë e ndryshme. Unë po konsideroja faktet dhe kriteret, dhe nëse Shqipëria i përmbushte ato. Duke qenë se jam pjesë e grupit socialist në Parlamentin Europian, është normale që kam patur kontakte me socialistët shqiptarë, sepse ata janë pjesë e familjes sonë europiane dhe kemi folur edhe për shume çështje të tjera, por unë sinqerisht kam patur më shumë kontakt me pjesën qeverisëse sepse ata më çonin mua informacionet dhe nëse do të flisja për koleget e mi siç më pyetet, nuk e di se çfarë kontaktesh ata kanë patur!
Ka mbetur dhe një hap i fundit, Këshilli i Ministrave do të diskutojë rezolutën përpara se ajo të kthehet në një hap konkret, duhet të presim ndonjë surprizë, a ka ndonjë shans që kjo të dështojë, apo do të shkojë çdo gjë “smoothly” siç i thonë?
Shpresoj të kemi sukses, në 8 nëntor ministrat e Bashkimit Europian do të japin një dritë të fundit jeshile. Nuk mund të flas në emër të tyre, por mund të shpreh optimizmin tim sepse nuk besoj se ka ndonjë arsye që ndonjë prej shteteve në Bashkimin Europian mund të bllokojë apo shtyjë këtë proces. Siç e dini Komisioni Europian dha një rezultat pozitiv, i cili deklaroi se Shqipëria është gati dhe i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike. Parlamenti Europian deklaroi të njëjtën gjë, ne dhamë një mbështetje të fortë. Nëse vendet anëtare, apo qoftë ndonjë prej tyre do të veprojë ndryshe, besoj se do të japin një mesazh të gabuar në rajon. Sidomos sepse do të jetë në lojë tani edhe besueshmëria e Bashkimit Europian. Ne bëmë një premtim në Parlament të cilin e mbajtëm, dhe besoj se atmosfera është e mirë, kur vjen puna te përmbushja e kritereve, rezultatet ishin të mira. Edhe një herë sidoqoftë dua të insistoj se ky nuk është fundi i këtij procesi, në kuptimin që gjërat mund të ndryshojnë… të ndryshojnë në kuptimin që nëse ne shohim se mbas disa muajsh njerëzit fillojnë të keqpërdorojnë këtë lëvizje të lirë, mund edhe të ndodhë që vendet anëtare të marrin vendimin ta vënë vendin serish në listën e zezë. Po përdor këtë mundësi për të theksuar se liberalizimi i vizave është një hap i rëndësishëm, do të thotë lëvizje e lirë e njerëzve por me disa kufizime. Kështu që është shumë e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të dinë se sa gjatë mund të udhëtojnë pa viza. Kjo nuk iu jep atyre të drejtën të kërkojnë nënshtetësinë, azil apo të kërkojnë për punë atje, do të jetë si një udhëtim turistik. Mendoj qe qeveria shqiptare dhe te gjithë personat e përfshirë, duhet t’i informojnë mirë qytetarët për detyrimet e tyre.
Në fakt jua bëra këtë pyetje pasi kemi dëgjuar së përveç një vullneti absolut të Parlamentit Europian për të kaluar rezolutën e propozuar nga ju, vende si Franca, Holanda, Belgjika deri diku dhe Gjermania kane shprehur herë pas here, gjatë vitit të shkuar por edhe këtij viti, kanë shprehur më shumë se skepticizëm ndaj faktit siç thatë dhe ju, abuzimit nga qytetarë të ndryshëm të vendeve ku janë liberalizuar vizat, siç janë Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, po ashtu edhe skepticizëm ndaj shtetasve shqiptarë dhe atyre boshnjakë.
E kuptoj skepticizmin e treguar nga këto vende anëtare të cilat ju i përmendët, sepse është e vërtetë se në fillim të këtij viti, pas heqjes së vizave për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, kishte shume persona të cilët kërkuan azil në perëndim dhe në vendet që ju përmendët. Numri i azilkërkuesve u rrit dhe natyrisht që e drejta për azil nuk iu dha askujt sepse nuk ekziston e drejta për ta kërkuar atë. Të kërkosh azil në bazë të gjendjes së keqe social-ekonomike, t’i nuk e fiton azilin. Ky ka qenë problem i qeverive të këtyre vendeve, sepse nuk e dinin se çfarë të bënin me këta azilkërkues, ndaj u desh ti çonin ata mbrapsht dhe kjo ka kosto për të dyja qeveritë. Në fillim të vitit, qeveritë Serbe dhe Maqedonase vepruan shumë shpejt, ata filluan të informonin qytetarët që shumë njerëz ishin keqinformuar nga agjenci të ndryshme të cilat po ju shisnin atyre bileta të lira pa kthim drejt perëndimit, që të udhëtonin atje e të mos ktheheshin mbrapsht. Kështu që ne u përpoqëm shumë dhe po përpiqemi, në Shqipëri dhe Bosnje, që të ketë fushata sensibilizuese që njerëzit të kenë informacionin e duhur për të ditur se nuk kanë të drejtë ta bëjnë ashtu. Çështje të tilla sjellin situata ilegale dhe ky është një problem për Europën. Dhe jo vetëm për Europën, por është një problem human, sepse nëse je në një situate ilegale, nuk mund të kërkosh punë, dhe jeton në kushte të këqija. Dua të them dhe një herë që lëvizja e lirë pa viza, ka kufizimet e saj. Këshilloj të gjithë shqiptarët që kur duan të udhëtojnë të këshillohen me konsullatat e vendeve anëtare në të cilat do të udhëtojnë, të pyesin për kufizimet, të jenë të qartë se ku po shkojnë, sa mund të rrinë atje, dhe çfarë duhet të paraqesin pranë kufijve dhe të jenë të qartë se ata do të mirëpriten në vendin në të cilin do të udhëtojnë.
Megjithatë siç thatë dhe ju është akoma për tu marrë vendimi nga Këshilli i Ministrave, dhe ditët e fundit në fakt kemi parë shumë reagime shqetësuese nga Bashkimi Europian, paralajmërime qoftë nga komisionerja Malstrom, se vendimi për heqjen e vizave për këto vende, si Serbia apo Maqedonia, mund të tërhiqet pikërisht për shkak të problemeve të shkaktuara nga qytetarët e këtyre dy vendeve. Sa real mund te jetë ky skenar i frikshëm dhe sa mund të ndikojë ai në vendimin e Këshillit të Ministrave për Shqipërinë dhe Bosnjën?
Është një nga skenarët e mundshëm, nëse do isha e sinqertë. Mendoj se Shqipëria dhe Bosnja nuk duhet të bëhen viktima të kësaj. Ndodhi sidomos pas pushimeve të verës që shumë njerëz nga Serbia dhe Maqedonia, erdhën të kërkonin azil në vendet anëtare, kjo është edhe arsyeja që Komisionerja Malmstrom dërgoi atë letër paralajmëruese për të dyja qeveritë. Ne ishim në kontakt të shpeshtë dhe unë pata shume bisedime dhe diskutime dhe ne besojmë se të dyja qeveritë po e luftojnë këtë fenomen që u rishfaq. Prandaj thashë se i kuptoja shqetësimet e shteteve anëtare, sepse nëse ke një numër të madh azil-kërkuesish dhe nuk e di se sa kohë mund t’i mbash me një vendbanim, me të gjitha kushtet e jetesës, është gjithashtu një problem për publikun. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar që kjo të ndodhë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me rastin e Shqipërisë dhe Bosnjës sepse në rastin e Serbisë, shumica e personave të cilët erdhën në Perëndim ishin romë, të cilët shpesh deklaronin se vinin nga Kosova. Unë mendoj se është një situatë e hidhur për këta njerëz, në shtëpi duhet të kesh kushte të mira për të jetuar, kjo është arsyeja pse njerëzit shkojnë jashtë shtetit. Unë e di se njerëzit e kanë të vështirë të gjejnë punë, masa e papunësisë sidomos tek të rinjtë dhe studentët është e lartë. Por besoj është e rëndësishme të sigurohen kushte të mira në vendin e tyre dhe kjo është edhe përgjegjësia e politikanëve dhe qeverive të tyre. Shpresoj që ajo çka ndodhi më parë nuk do të përsëritet në raundin pasardhës të vizave sepse do të kishte një influence të keqe jo vetëm në liberalizimin e vizave por edhe në zgjerimin e BE në tërësi. Siç e thashë tashmë për Shqipërinë ka ngelur vetëm një hap për arritjen e liberalizimit të vizave, një hap i rëndësishëm por ama vetëm një hap drejt Komunitetit Europian. Do ketë dhe të tjerë më kërkues dhe mendoj është e rëndësishme t’i përmbahemi idesë së perspektives europiane të gjallë këtu.
Atëherë një pyetje jo me nëse por me kur. Kur mund të presim që ne të udhëtojmë pra, me pasaportat biometrike, këtë duhet ta theksojmë, pa viza drejt Komunitetit Europian.
Bëtë mirë që përmendet pasaportat biometrike sepse ky është një detaj i rëndësishëm dhe unë mendoj se njerëzit e dinë këtë. Unë mendoj që mesi i dhjetorit do të jete ajo ditë, sepse nëse do të merret një vendim në 8 nëntor në Këshill, dhe do të duhen rreth 4-5 muaj dhe publikimi në ditarin zyrtar, kur kjo të ndodhë, ditën tjetër liberalizimi i vizave do të jetë këtu, unë mendoj…
4 deri ne 5 muaj apo 4 deri ne 5 jave?
Jo jo 4 deri në 5 javë, nëse thashë muaj, ajo do të jetë…më falni për gabimin por 4 deri në 5 javë ne mund ta arrijmë atë në mes të dhjetorit. Nuk dua të spekuloj për ditën, por do të jetë e mundur të jetë përpara Krishtlindjeve dhe kjo do të ishte gjë e mirë. Vitin e kaluar bëmë të njëjtën gjë dhe gjatë sezonit të pushimeve është koha e përkryer për njerëzit që të përdorin atë kohë për të shkuar diku gjatë pushimeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here