Home Aktualitet Sot, Dita Ndërkombëtare kundër SIDA-s

Sot, Dita Ndërkombëtare kundër SIDA-s

602
0

sidaSot është Dita Ndërkombëtare e SIDA-s, e cila shihet si një mundësi për njerëzit në gjithë botën që të bashkohen në luftën kundër virusit HIV. Ky i fundit vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik, duke marrë më shumë se 36 milionë jetë njerëzish deri më tani.

Në vitin 2012 janë llogaritur rreth 35.3 milionë njerëz të prekur me virusin HIV. Afrika sub-sahariane është rajoni më i prekur me pothuajse një në 20 të rritur që jeton me HIV. 69 për qind e të gjithë njerëzve që jetojnë me HIV, jetojnë në këtë rajon.

HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Individët nuk mund të infektohen me kontakte të zakonshme, si puthja, përqafimi, shtrëngimi i duarve etj.

ISHP: NË SHQIPËRI 671 TË INFEKTUAR
Sipas raportit të përgatitur nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), deri në muajin nëntor të këtij viti, në vendin tonë janë regjistruar 96 raste të reja me virusin HIV, duke e çuar në 671 numrin total numrin total të personave me SIDA në Shqipëri. Mjekët ngrenë shqetësimin për nivelin e ulët të testimeve vullnetare për të zbuluar virusin HIV, çka e ka bërë të vështirë njohjen reale të shkallës së përhapjes së tij në popullatë.

“Nga 96 rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit 2013, 53 prej tyre janë diagnostikuar në stadin AIDS. Kjo diagnozë e vonshme tregon për shkallën e ulët të testimit vullnetar. Për pasojë, këta persona mund të kenë infektuar, pa e ditur, edhe partnerët e tyre gjatë një periudhe kohe relativisht të gjatë”, shpjegojnë specialistët e ISHP-së. Por, për shkak të mosdiagnostikimit, shumë femra kanë sjellë në jetë fëmijë të infektuar me virusin HIV. “Transmetimi nga nëna te fëmija është hasur në 25 raste.

Në 6 raste ky infeksion është marrë nëpërmjet transfuzioneve të gjakut dhe në 2 raste ka disa hamendësime të lidhura me kujdesin shëndetësor”, shpjegojnë specialistët. Kapja e sëmundjes në stadin AIDS, siç ka ndodhur thuajse në gjysmën e rasteve të zbuluara, e bën edhe më të vështirë trajtimin e saj. Vetëm pak ditë më parë në Spitalin Infektiv në QSUT ka humbur jetën një 26-vjeçare me SIDA, duke çuar në katër numrin e rasteve që kanë përfunduar me mortalitet për këtë vit. Përsa i përket rrugës së transmetimit të virusit, në pjesën më të madhe të rasteve predominon ajo seksuale. Mjekët thonë se shpërndarja sipas rrugëve të transmetimit shkon paralel me shpërndarjen sipas grupmoshave. Në vendin tonë grupmosha 25-45 vjeç përbën 62.1% të totalit të rasteve me SIDA.
Lidhur me shpërndarjen gjeografike, numri më i madh i rasteve ose 48% e tyre janë raportuar në Tiranë. Më pas vijnë qytete të tjera të mëdha, si Durrësi, Elbasani, Vlora etj. Aktualisht numri i personave që jetojnë me SIDA dhe trajtohen me terapinë antiretrovirale është 312, midis të cilëve 292 janë të rritur dhe 20 fëmijë.

RAPORTI I ISHP
Infeksionet e reja për vitin 2013
Totali 96
Meshkuj 66
Femra 30
Të rritur 81
Të rinj (16-25 vjeç) 10
Fëmijë nën 15 vjeç 5
Vdekje nga AIDS 4
Të diagnostikuar deri në nëntor 2013
Totali 671
Meshkuj 469
Femra 202
Të rritur 558
Të rinj (16-25 vjeç) 80
Fëmijë nën 15 vjeç 33
Vdekje maj 1993–nëntor 2013
Vdekje në të rritur 112
Vdekje në fëmijë 6
Vdekje në meshkuj 87
Vdekje në femra 31

PARANDALIMI 
Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura (pa prezervativ) apo gjaku janë arsyet kryesore në transmetimin e HIV-it nga një person te tjetri. “Shkëmbimi i shiringave dhe manipulimi me instrumente të ndotura është një rrugë e rëndësishme për transmetimin e infeksionit. Instrumentet që shërbejnë për shpimin e lëkurës (akupunktura, tatuazhet, shpimi i veshëve etj.), instrumentet e përdorimit vetjak (makinat e rrojës, furçat e dhëmbëve etj.) dhe instrumentet mjekësore të pasterilizuara janë burim i transmetimit të HIV-it nëpërmjet kësaj rruge”, shpjegojnë specialistët.

Ndërkaq, ata e vënë theksin te parandalimi, si mënyra e vetme për t’i shpëtuar infeksionit, të cilit deri më tani nuk i është gjetur një ilaç për kurimin. “Disa nga masat që duhen marrë për parandalimin e infeksionit përfshijnë abstenimin ndaj seksit, përdorimin e prezervativit gjatë çdo forme të marrëdhënieve seksuale, mosshkëmbimin e ageve, brisqeve apo instrumenteve të tjera që përdoren për piersing, tatuazhe, mjekimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, bërja e testit për HIV nëse mendohet se ka pasur sjellje risku etj.”, këshillojnë ekspertët e ISHP-së.

ZBULIMI 
Një problem tjetër që vërejnë ekspertët e ISHP-së lidhet me diagnostikimin e vonshëm të sëmundjes. Për këtë arsye ata rekomandojnë testet vullnetare, të cilat mund të kryhen në 12 qarqet e vendit. “Infeksioni HIV zakonisht diagnostikohet nëpërmjet testeve të gjakut, të cilat tregojnë prezencën ose mungesën e antitrupave HIV. Në Shqipëri, testimi për infeksionin HIV kryhet në 12 qarqet e vendit në Qendrat e Këshillimit e Testimit Vullnetar (QKTV), të cilat ofrojnë këshillim dhe testim vullnetar”, shpjegojnë specialistët e ISHP-së. Ndërkohë që, në kuadër të 1 Dhjetorit, Ditës Botërore e Luftës kundër HIV/AIDS, ata apelojnë për më tepër testime vullnetare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here