Skënderbeu nuk njeh limite, thyen tabunë duke u bërë i pari ekip shqiptar që kualifikohet në fazën e “Play-Off”-it të Champions League dhe nëse në këtë raund dështon e ka të sigurt fazën e grupeve të Europa League.
Kampionët e Shqipërisë mundën ekipi moldav të Milsamit me rezultatin 4-0 në total, teksa edhe ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Elbasan e fituan 2-0 duke përsëritur ndeshjen e parë.
Sfida në “Elbasan Arena” u zhvillua në një atmosferë inkandeshente me mbi 10 mijë të pranishëm në stadium, ndërsa heronjtë e korçareve ishin sulmuesi Hamdi Salihi dhe Progni.
Salihi kryeson në këtë fazë me 5 gola të shënuar, ndërsa Skënderbeu arkëton mbi 6 milionë Euro duke pritur i qetë kundërshtarin e radhës.
Pjesa e parë
Skënderbeu i papërmbajtshëm. Kampionët e Shqipërisë nuk e diskutojnë kalimin në “Play-Off”-in e Champions League.
Korçarët e kanë nisur mjaft mirë edhe ndeshjen e dytë ndaj moldavëve të Milsamit duke kaluar në avantazh sërish me heroin, Hamdi Salihi në minutën e 16 të pjesës së parë.
Pas një goditje të fuqishme nga jashtë zone të Nimagës, portieri i Milsamit devijoi sferën duke ia ‘dhuruar’ shkodranit që nuk fal në zonë duke e dërguar në rrjetë dhe ngritur stadiumin në peshë.
Gjithçka u bë më e lehtë për kampionët e Shqipërisë pas daljes me karton të kuq të Andronic, i cili shkaktoi një ndërhyrje mjaft të ashpër ndaj
Eskardinjës dhe arbitri nuk ka hezituar duke e nxjerrë nga fusha pas 14 minutash lojë. Goli i parë në sfidën e dytë i jep qetësi Skënderbeut, pasi ndeshjen e parë e fitoi 2-0 në Moldavi.
Pas golit të shënuar Skënderbeu kthehet në mbrojtje duke kërkuar që të administrojë rezultatin për të mos harxhuar shumë energji.
Nga rreshtimi i vendasve përfitojnë miqtë që tentojnë të gjejnë hapësira për të ngushtuar rezultatin.
Rastin më të mirë Milsami e kishte në minutat e fundit të pjesës së parë për të barazuar, pas gabimit të Vangjelit në mbrojtje, përfiton Belaku që vendoset përballë me
Shehin, i cili tregon se pavarësisht moshës është ende në formë duke bërë mrekullinë duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Mbyllet pjesa e pare 1-0.
Pjesa e dytë
Skënderbeu e nis fraksionin e dytë të ndeshjes me Milsamin aty ku la të parën, në kërkim të golit të dytë që do të vuloste gjithçka.
Mjaftojnë pak minuta të pjesës së dytë që korçaret të marrin në dorë frenat e lojës.
Pas disa rasteve të rrezikshme, Skënderbeu shënon edhe golin e dytë këtë herë me Prognin.
Vangjeli korrigjon gabimin e fundit të pjesës së parë duke dhënë një pasim perfekt për Prognin nga krahu i djathtë duke e nxjerrë të vetëm përballë portierit, ku nuk mund të gabonte.
Në stadium ndodhej edhe trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit De Biasi.
Mirel Josa: Ëndrra u bë realitet
“Ëndrra u bë realitet, tashmë duhet që të menaxhojmë suksesin. Gjithcka ia kushtojmë lojtarëve për përgatitjet dhe maksimumin që kanë dhënë në fushë.
Përsa i përket ndeshjes, mendoj se u vulos në pjesën e parë, pasi luajti shumë mirë në Moldavi”deklaroi trajneri i Skënderbeut Josa.
Presidenti Takaj: 1 mln Euro për Champions
“Salihit i thashë që e lidhe litarin me duart e tua. do qendroje. Nëse kalojmë turin tjetër dhe shkojmë fazën e grupeve të Champions League premio për ekipin do të jetë 1 milion Euro.
Kjo është rruga se si pasurohet ekipi dhe arrihen sukseset. Futbolli tani shikohet si biznes, kjo është një arritje e madhe.
Nëse edhe kombëtarja do të shkojë në Francë do të jetë një tjetër arritje e madhe. Në turin tjetër nuk kam frikë të luajmë ndaj Partizanit të Beogradit, presim shortin”deklaroi ai.
Shkëmbi: Po shkruajmë historinë në Europë
“Gjithcka është meritë e ekipit. Kemi merituar suksesin që kemi arritur. Jemi krenar që kemi arritur deri këtu, Skënderbeu do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar.
Shpresoj që të kemi fat në shortin që do të hidhet të premten dhe të kalojmë në Champions League”deklaroi ai.
Kundërshtarët e mundshëm
VAZO E PARE
Basel
Celtic
APOEL
BATE Borisov
Dinamo Zagreb
VAZO E DYTE
Maccabi Tel-Aviv
Partizan Beograd
Malmö
Skënderbeu
Astana
Kundershtari i Skenderbeut do percaktohet te premten dhe do jete nje skuader mes 5 qe gjenden ne grupin e pare.
PRAG NDESHJA/Kalimi i Milsamit, historik
Në stadiumin “Elbasan Arena” Skënderbeu do të nis të shkruajnë historinë në futbollin shqiptar, pasi do të bëhet ekipi i parë që do të kalojë në turin e tretë eliminator në Champions League, si askush tjetër më parë.
Ndeshja e parë mes Skënderbeut dhe Milsamit, ekipi nga Moldavia ka përfunduar me rezultatin 2-0, një avantazh i madh për kampionët e Shqipërisë, të cilët duhet vetëm të mbajnë portën të paprekur për të kaluar më tej.
Kalimi i Milsamit do të thotë biletë për fazën e “Play-Off”-it në Champions League për shqiptarët, çka do të sillte edhe një shumë të madhe të ardhurash duke mbushur arkat e kampionëve të Shqipërisë me mbi 6 mln Euro.
Skënderbeu pritet që të zbresë në fushë me formacionin; Shehi, Radas, Jashanica, Vangjeli, Eskuerdinja, Shkëmbi, Lilaj, Nimaga, Progni, Berisha dhe Salihi.
Nga Korça për të ndjekur ekipin bardhekuq kanë udhëtuar mbi 30 autobusë, ndërsa në stadium llogaritet që të jenë mbi 10 mijë tifozë për t’i dhënë mbështetje maksimale Skënderbeut.
Siguria për ndeshjen është maksimale, jo vetëm nga policia e shtetit, por edhe nga kompani siguri private për të shmangur incidentet që ndodhën në ndeshjen e Kukësit me Legian.
Policia ka kryer kontroll të imtësishëm për të mos lejuar tifozët që të fusin në stadium sende të forta, mes tyre edhe buzëkuqin për femrat.
Madje, tifozëve të Skënderbeut u është ndaluar edhe baneri me mbishkrimin “Ujqërit e Dëborës”.