Home Aktualitet Skandal: Atasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO, vetegradohet Admiral

Skandal: Atasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO, vetegradohet Admiral

135
0

admiral-gerveniAtasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO, Kristaq Gërveni përfshihet në një tjetër skandal, pas atij të paktit detar me Greqinë. Me një rast të paprecedent në rradhët e Forcave të Armatosura, Gërveni rezulton të jetë “vetëgraduar” Admiral pa asnjë lloj dekreti të firmosur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Fakt është se Gërveni është graduar Kundëradmiral me dekret të ish-kreut të shtetit, Bamir Topi në Nëntor 2009. Dhe prej atij viti ai vazhdon të mbajë zyrtarisht këtë gradë edhe sot. Por në NATO, atasheu ynë ushtarak prezantohet me një tjetër gradë, atë të Admiralit, më të lartë se edhe të vetë Shefit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Jeronim Bazos. Skandali është zbuluar gjatë takimit të 170-të të shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të zhvilluar rreth një javë më parë në selinë e Aleancës në Bruksel.

I pranishëm në këtë aktivitet, Gërveni është shfaqur, siç shihet edhe nga fotoja e siguruar nga “Gazeta Shqiptare”, me gradën madhore të Admiralit në krah. Grada Kundëradmiral sipas rregullores është ideuar me një vizë të trashë dhe një të hollë me sfond në ngjyrë të verdhë. Ndërkohë që grada që mban në krah Gërveni është me një vijë të trashë dhe tri vija të holla që korrenspondon me atë të Admiralit. Por ky nuk është i vetmi rast kur atasheu ynë ushtarak në NATO shfaqet në publik me këtë gradë. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë edhe një tjetër foto pak më të hershme, respektivisht të 23 tetorit 2013. Aso kohe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u prit në një takim në Bruksel nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen. I pranishëm në këtë takim, në krahun e majtë të ministres Kodheli qëndron i ulur Kristaq Gërveni, i cili siç shihet edhe në foto është prezantuar para zyrtarit më të lartë të NATO-s me gradën e “vetëshpallur” të Admiralit.

Skandali kësisoj merr përmasa edhe më të rënda duke cënuar për pasojë seriozitetin e Shqipërisë brenda Aleancës. Fakti që institucionet tona të mbrojtjes prezantohen në Bruksel me një atashe ushtarak i cili gënjen publikisht për gradën që mban mbi supe nuk e nderon shtetin shqiptar, përkundrazi. Ndoshta është edhe kjo arsyeja pse zyrtarisht Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në një reagim zyrtar për “Gazeta Shqiptare” paralajmëroi dje se ndaj Gërvenit do të merren menjëherë masat në përputhje me rregulloren ushtarake.

Karriera e Gërvenit në rradhët e Forcave të Armatosura mori një ngjitje të menjëhershme pas firmës që ai hodhi mbi paktin detar anti-kushtetues me Greqinë. Ish-Presidenti, Bamir Topi i dha atij gradën Kundëradmiral për ta emëruar mandej deri edhe në postin e Zv/Shefit të Shtabit, ish-komandatin e Flotës Detares, i cili dy vite më vonë po me firmën e Topit do të emërohej atashe ushtarak në NATO.

Shtabi i FA: Do marrim masa ndaj Gërvenit
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” paralajmëroi dje marrje të masave ndëshkimore ndaj atasheut ushtarak të Shqipërisë në NATO, Kristaq Gërveni lidhur me “vetëgradimin” e tij Admiral pa asnjë lloj dekreti të firmosur nga Presidenti i Republikës. Të kontaktuar nga “GSH” lidhur me zbulimin e këtij skandali, Shtabi i Përgjithshëm i FA sqaroi se për rastin në fjalë atasheu ynë ushtarak mban përgjegjësi personale dhe se ka nisur puna për analizimin e këtij rasti. “Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura pasi evidentoi faktin se në takimin e Komitetit Ushtarak në formatin e Shefave të Shtabeve të Përgjithshëm të vendeve të NATO-s, ku një nga ushtarakët e pranishëm në takim, mban gradat që nuk korrespondojnë me atë të dekretuar nga Presidenti i Republikës, shprehet se vendosja e gradave në uniformat ushtarake sipas modeleve të reja të miratuara, është përgjegjësi personale e ushtarakut. Në lidhje me rastin konkret, pasaktësia është korrigjuar menjëherë, pasi u konstatua nga përfaqësuesi më i lartë i SHPFA, gjatë takimit. SHPFA do të vijojë punën për analizimin e rastit në fjalë dhe marrjen e masave në përputhje me rregulloret ushtarake në fuqi”, – thuhet në reagimin e mbërritur në adresë të Gazetës.

“GSH” ka mundur të faktojë se në të paktën dy raste, Kundëradmirali, Kristaq Gërveni prezantohet në NATO me një tjetër gradë, atë të Admiralit, më të lartë se edhe të vetë Shefit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Jeronim Bazos. Skandali është zbuluar gjatë takimit të 170-të të shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të zhvilluar rreth një javë më parë në selinë e Aleancës në Bruksel. Gjithashtu “GSH” ka mundur të faktojë se me të njëjtën gradë, Gërveni është prezantuar edhe në takimin që ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilloi në datën 23 tetor 2013 në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Anders Fogh Rasmussen. Në të dyja rastet, Gërveni prezantohet me dy grada më lart se ajo që mban zyrtarisht (Kundëradmiral).

Previous articleQelluan me arme autobusin, arrestohen autoret
Next articleSituata e rendit, realiteti dhe perceptimi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here