Home Politike PD-PS teatër skandaloz përpara eurodeputetëve

PD-PS teatër skandaloz përpara eurodeputetëve

671
0

Kriza politike që Sali Berisha dhe Edi Rama kanë sjellë në vend, mund të thuhet përfundimisht se nuk do të zgjidhet kurrë. Një tjetër tryezë negociatash ka dështuar dje për të kapërcyer atë që quhet ngërç politik dhe që ka marrë peng vendin për një vit e gjysmë. Një delegacion i Parlamentit Europian ka ulur në një tryezë dy palët politike për të gjetur një rrugëzgjidhje por rezultati ka qenë si gjithmonë negativ. Ka ardhur momenti se qytetarët duhet të kuptojnë se e keqja e krizës dhe mbetjes në klasë i vendit vjen nga papërgjegjshmëria e atyre që kanë zgjedhur në sallën e legjislativit. Pas dështimit të tryezës së djeshme, reagoi Eduard Kukan, i cili në ato pak fjalë që tha, nuk fshehu aspak zhgënjimin që mori nga pala shqiptare.
Takimi për zgjidhjen e krizës
Pas takimit që zgjati më shumë se një orë, shefi i delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore, Eduart Kukan, tha se nuk ishte arritur asgjë dhe përveç keqardhjes, ai kërkoi që palët të arrijnë kompromisin. Sipas tij, arritja e një kompromisi do të thotë deri diku humbje për njërën palë, por për evropianët interesi parësor është vendi. “Po jam i zhgënjyer sepse për herë të dytë nuk arritëm të siguronim një dokument të përbashkët. Po bëhet rutinë kjo dhe është shumë keq. Është e nevojshme të vazhdohet dialogu politik. Javën e ardhshme do jepet progres- raporti dhe opinioni nga Komisioni Europian. Kjo që ndodhi këtu nuk është lajmi i mirë që i duhej Shqipërisë para këtyre ngjarjeve. Është një mesazh i keq për Europën që nuk u arrit pas dy ditësh pune një konsensus prej palës shqiptare”, tha Kukan.
Më tej, ai u shpreh se ky është një mesazh i keq për Evropën, teksa pritet vendimin për statusin e vendit kandidat. “Unë thashë se mesazhi i keq për Evropën është se pas dy dite diskutimesh aktive me delegacionin e Parlamentit Europian dhe delegacionin e Parlamentit Shqiptar ne nuk mundem dot të arrinim në një dokument të përbashkët, sepse nuk kishte marrëveshje nga pala shqiptare. Sipas rregullores, nëse ka mosmarrëveshje, është e nevojshme vota dhe deklarata e përbashkët miratohet kur të dyja palët e delegacionit bien dakord me të. Nga pala shqiptare u refuzua i gjithë kompromisi i arritur, prandaj ne nuk kemi një dokument. Ky është mesazhi i keq. Kjo do të thotë që dialogu politik mes partive politike vazhdon të krijojë ngërçe për të ardhmen dhe rrugën evropiane të Shqipërisë”, vijoi ai.
Amendamenti i Doris Pack
Demokratët dhe socialistët diskutuan për një sërë çështjesh, por pika e ndarjes së tyre ishte amendamenti i Doris Pack, amendament i cili u refuzua nga demokratët dhe u pranua nga socialistët. Demokratët kërkojnë që në tekst të vendosej edhe pjesa “konform” Kushtetutës. “Ky Kod elektoral u bë, dhe unë e mbaj mend mirë, kundër Metës nga PS dhe PD. Përse nuk uleni bashkë dhe ndryshoni këtë nen të Kodit dhe të dilni nga ngërçi? Bëjeni dhe siguroni materialet zgjedhore. Qeveria ka garantuar kuti të reja, pra nuk është kjo çështja. Zgjidheni përfundimisht çështjen e djegies dhe mosdjegies sepse nuk është kjo e rëndësishme”, tha Pack.

Eduard Kukan: Po pengoni rrugën evropiane të vendit
“Unë thashë se mesazhi i keq për Europën është se pas dy ditë diskutimesh aktive me delegacionin e Parlamentit Europian dhe delegacionin e Parlamentit Shqiptar ne nuk mundem dot të arrinim në një dokument të përbashkët, sepse nuk kishte marrëveshje nga pala shqiptare. Sipas rregullores, nëse ka mosmarrëveshje, është e nevojshme vota dhe deklarata e përbashkët miratohet kur të dyja palët e delegacionit bien dakord me të. Nga pala shqiptare u refuzua i gjithë kompromisi i arritur, prandaj ne nuk kemi një dokument. Ky është mesazhi i keq. Kjo do të thotë që dialogu politik mes partive politike vazhdon të krijojë ngërçe për të ardhmen dhe rrugën europiane të Shqipërisë.”

Doris Pack braktis tryezën: Keni 20 vjet që bëni të njëjtat gjëra
Debatet mes përfaqësuesve të PS e PD që kanë përfshirë mbledhjen e djeshme të Komitetit të Stabilizim-Asociimit kanë bërë që eurodeputetja Doric Pack të braktisë mbledhjen që sapo kishte nisur. Eurodeputetja me dy fjale ka shprehur pakënaqësinë duke theksuar se në mbledhje të tilla diskutohen fatet e vendit ndërsa në tryezë vazhdojnë të njëjtat përplasje mes dy subjekteve politike kryesore në vend. “E patolerueshme një gjendje e tillë, jam shumë e zhgënjyer”, tha Pack dhe la mbledhjen përgjysmë.

Pas ikjes së Pack, flet Cornelssien: Të isha shqiptare, do më vinte turp për ju
Komiteti i Stabilizim-Asociimit, pas largimit të Pack, në tryezë e flet eurodeputetja Marije Cornelissen: “Të isha shqiptare do isha turpëruar me akuzat që bëhet në politikë. Këtu duhet të dialogohet, ju vazhdoni ende me akuzat”, ishte dushi i radhës për përfaqësinë shqiptare në tryezë.

Eurodeputeti Cancian: Jepini fund krizës, armiku i madh i juaji, papunësia
Eurodeputei italian Antonio Cancian, deklaroi se rezoluta e PE për Shqipërinë ishte një pikë e fortë në të cilën palët duhet të mbështeteshin për të shkuar drejt zgjidhjes se krizës. Do të ishte mirë, tha Cancian, që të binim dakord për disa pika, apo një deklaratë të përbashkët për ecurinë e mëtejshme në zgjidhjen e krizës, në të kundërt do të jetë shumë zhgënjyese për ne dhe për ju nëse edhe sot nuk ja dalim në këtë drejtim”. Eurodeputeti italian theksoi se në vend ka çështje të tjera që lënë shumë për të dëshiruar, siç është ekonomia, ku papunësia theksoi ai, “është armiku më i madh në masën 13 për qind”. Në këtë pikë eurodeputeti theksoi se ekonomia në vend duhet të funksionojë.

Delegacioni i PE ikën nga Tirana me zhgënjim
Delegacioni i Parlamentarit Europian përbëhet nga 8 deputetë dhe kryesohet nga Eduard Kukan. Takimi dje nisi me situatën politike në vend, ku në fokus ka qenë ngërçi ende i pazgjidhur politik. I ngarkuari me punë i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Brusa, ka përsëritur vërejtjet e njohura për pasojat që kjo situatë ka për integrimin e vendit dhe reflektimin e saj në vlerësimet e Brukselit për Shqipërinë.

Berisha e Rama sërish vendosin interesat e tyre përpara atyre të vendit

Palët akuza njëra-tjetrës për përgjegjësit e krizës

Me të mbaruar shfaqja që palët politike bënë në një nga sallat e hotel “Rognerit”, nisi dhe vendosja e gishtit te njëra-tjetra për treguar përgjegjësit e dështimit. Ishte e para Partia Socialiste e cila nëpërmjet anëtares së Kryesisë, Valentina Leskaj, bëri përgjegjëse mazhorancën për dështimin e gjetjes së një konsensusi. Po nuk vonoi shumë dhe Fatos Beja i PD-së, i cili përgënjeshtroi opozitën dhe deklaroi se mazhoranca është për të hetuar zgjedhjet por kjo të bëhet sipas Kushtetutës. Opozita për herë të parë ka qenë në një mendje me Doris Pack ndërsa mazhoranca ka kërkuar një amendim te propozimi i eurodeputetes, çka ka sjellë që të “hidhen në erë” gjithë negociatat që u zhvilluan dje, mes dy partive kryesore.
Reagimi i opozitës
Sipas deputetes Valentina Leskaj, në mbledhjen djeshme të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim Asociimit, deputetët demokratë treguan mungesë vullneti për rrugëzgjidhje. Në një konferencë për media, Leskaj theksoi se mazhoranca tregoi mosdëshirë për të gjetur zgjidhjen, duke refuzuar edhe propozimin e eurodeputetes Doris Pack, kur dihet që ajo është mbështetëse e së djathtës shqiptare. “Zonja Pack propozoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe amendimin për hetimin e kutive të materialeve zgjedhore. Ky amendament u mbështet nga të gjithë deputetët e delegacionit të PE-së dhe deputetët e Partisë Socialiste, por nuk u pranua nga ata demokratë, të cilët nuk dhanë argumente të qenësishme lidhur me veprimin e tyre”, tha Leskaj. Sipas saj, PS kishte negociuar prej kohësh për të arritur në një deklaratë përfundimtare për daljen nga kriza, por ishte PD ajo që refuzoi amendamentin e Pack.
Mazhoranca kundërpërgjigjet
Partia Demokratike me anë të Fatos Bejës, tha se përgjithësisht mazhoranca ishte dakord dhe dha konsensusin e saj. “Ne ishim dakord që deklarata e përbashkët të votohej. I kemi miratuar të gjitha amendamentet dhe kemi dhënë konsensusin tonë për të gjitha pikat, duke kërkuar që në amendamentin e paraqitur nga europarlamentarja Doris Pack të shtohej edhe paragrafi “në bazë të Kushtetutës dhe shtetit ligjor”, tha Beja. Beja theksoi se PD e mbështet amendamentin e europarlamentares Doris Pack, i cili parashikon ndryshimin e nenit 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, që përcakton dispozitat për fletët e votimit. “Ne kemi kërkuar vetëm që në këtë amendament të shtohej paragrafi “..në bazë të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, sepse e njohim situatën në Shqipëri”, tha Beja. “PS nuk donte që të përfshihej ky paragraf, ndërkohë që bëhet fjalë për dy dokumentet bazë të shtetit shqiptar”. “Duke refuzuar të shtoheshin këto fjalë, PS refuzoi të kalonte amendamentin e eurodeputetes Pack. Ne propozuam që të miratonim të gjitha pikat e tjera për të cilat ramë dakord gjatë mbledhjes së sotme, por edhe kjo u refuzua nga PS”, deklaroi Beja.

Beqja akuza PD-së
Socialistët më pas iu kundërpërgjigjën sërish demokratëve. “Zoti Beja është shembulli i vetëpërdorimit të një burri që në moshën e tretë gënjen sepse ia kërkon Saliu. Të gjithë e panë që ne dhe europarlamentarët e djathtë votuam pro amendamentit të zonjës Pack ndërsa PD votoi kundër mbështetëses m ëtë flaktë që ka në PE. Sot edhe vetë zonja Pack e pa kush e pengon zgjidhjen e krizës”, tha shkurt deputeti Ilir Beqja

Valentina Leskaj
“Zonja Pack propozoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe amendimin për hetimin e kutive të materialeve zgjedhore. Ky amendament u mbështet nga të gjithë deputetët e delegacionit të PE-së dhe deputetët e Partisë Socialiste, por nuk u pranua nga ata demokratë, të cilët nuk dhanë argumente të qenësishme lidhur me veprimin e tyre”, tha Leskaj. Sipas saj, PS kishte negociuar prej kohësh për të arritur në një deklaratë përfundimtare për daljen nga kriza, por ishte PD ajo që refuzoi amendamentin e Pack.

Fatos Beja
“Ne ishim dakord që deklarata e përbashkët të votohej. I kemi miratuar të gjitha amendamentet dhe kemi dhënë konsensusin tonë për të gjitha pikat, duke kërkuar që në amendamentin e paraqitur nga europarlamentarja Doris Pack të shtohej edhe paragrafi ‘në bazë të Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Beja theksoi se PD e mbështet amendamentin e europarlamentares Doris Pack, i cili parashikon ndryshimin e nenit 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, që përcakton dispozitat për fletët e votimit. Ne kemi kërkuar vetëm që në këtë amendament të shtohej paragrafi, në bazë të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, sepse e njohim situatën në Shqipëri”.

Bode-Malaj, përplasje për ekonominë me eurodepuetët
Në takim, pjesëmarrës dje ishin dhe ministri i Financave Ridvan Bode dhe përfaqësues të PS, si Arben Malaj. Ministri nga ana e tij theksoi se këtë vit, Shqipëria përballoi krizën dhe pavarësisht krizës që përfshiu shumë vende, Bode tha se këtë vit ekonomia njohu rritjen me të lartë. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Malajt që theksoi se pavarësisht se qeveria e ka të lehtë të manipulojë statistikat, është e vështirë fshehja e situatës reale. “papunësia e strukturuar në masën 13:8%, deficiti publik shqetësues”, tha Malaj para përfaqësisë së delegacionit europian në Tiranë.

Tahiri: PD e shkel ligjin në mes të Kuvendit
Sipas Tahirit, drejtësia në Shqipëri po bën hapa pas, duke sjellë në vëmendje situatën në Parlament dhe atë në sistemin gjyqësor. “Ne parlament shkelet rregullorja e Kuvendit dhe manipulohet vota. Në parlament ka mungesë transparence dhe është e qartë se mazhoranca me këto manovra synon zaptimin e gjyqësorit. Shqipëria rrezikon kapjen e shtetit”, ishin disa nga fjalët e Tahirit.
Sipas tij, Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për anti-mafian, por që nuk zbatohet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here