Nishane apo tumor i lëkurës? Si ta kuptojmë me çfarë kemi të bëjmë dhe t’i drejtohemi mjekut në kohë, para se këto njolla në lëkurë të kthehen tumore malinje.
Nëse nishanet karakterizohen nga një sipërfaqe e lëmuar, kufij të përcaktuar mirë dhe dimensione të vogla (disa milimetra), atëherë nuk ka vend për dyshime.
Por, ekziston mundësia që një nishan të kthehet në tumor dhe shqetësimi duhet të fillojë nëse ai ndryshon formë, ngjyrë apo përmasa.
Dermatologët rekomandojnë kontrolle të shpeshta sidomos për personat që kanë shumë nishane, lëkurë në ngjyrë të çelët apo familjarë që janë prekur nga melanoma. Këta persona duhet të ekzaminohen të paktën një herë në gjashtë muaj, ndërsa ata që nuk i kanë këto karakteristika duhet të vizitohen te dermatologu të paktën një herë në vit.
Por përveç ekzaminimit profesional, secili mund të bëjë një kontroll vetjak, i cili bazohet në rregullin e njohur ndërkombëtarisht si ABCDE.
A -Asimetria. Nishanet kanë pothuajse gjithmonë formë të rregullt, të rrumbullakët simetrike; një nishan anormal ka formë asimetrike dhe të çrregullt.
B- (borders) Muret anësore. Një nishan e ka të rregullt pjesën anësore, ndërsa një formacion malinj është i çrregullt në formë.
C – (colour) Ngjyra. Një nishan normal ka ngjyrë homogjene, ndërsa ato që mund të shndërrohen në tumor kanë tonalitete të ndryshme të ngjyrës në trajtë njollash.
D -Dimensionet. Një nishan beninj nuk është më shumë se 6 milimetër. Nëse ai e kalon këtë përmasë, duhet t’i drejtoheni mjekut.
E – Evolucioni. Një nishan që ndryshon me kalimin e kohës: ngrihet më lart se sipërfaqja e lëkurës, ndryshon përmasat apo ngjyrën, duhet ekzaminuar nga dermatologu.
Melanoma, një nga format agresive të kancerit, haset shpesh në moshat e rritura. Kjo sëmundje është shumë e rrallë te fëmijët.