Home Aktualitet Shuhet familja, katër të vdekur në aksident

Shuhet familja, katër të vdekur në aksident

85
1

Shuhet familja me katër anëtarë nga një aksident në aksin Shijak-Gjepalaj. Si pasojë e furtunës që përfshiu zonën rreth orës 22:00 të së enjtes, një rrymë e fuqishme uji ka marrë para më shumë se 100 metra nga aksi rrugor mjetin me të cilën po udhëtonin viktimat, pjesëtarë të një familjeje. Viktimat, sipas Policisë, janë: Baki Keçi, 42 vjeç, Mimoza Keçi, 39 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, Ronaldo Keçi, 14 vjeç dhe Arbër Keçi, 10 vjeç.
Në momentin e ngjarjes, stuhia e fortë me rrebesh shiu bllokoi disa akse nga prurjet e mëdha me inerte. Një situatë e tillë është shkaktuar edhe në aksin Shijak-Gjepalaj, teksa udhëtonin viktimat. Ata po ktheheshin nga një darkë tek një i afërmi i tyre në Shijak kur makina e tyre me targë DR 8071 C është rrëmbyer nga uji. Mjeti ka goditur bordurën e urës që lidh dy njësitë vendore, por prurjet kanë qenë aq të mëdha, sa makina ka rënë nga ura që ishte e mbuluar me ujë. Për rreth 100 metra mjeti është marrë nga uji i furishëm dhe është ndalur pasi është përplasur me një pemë. Të parët që kanë konstatuar ngjarjen kanë qenë banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë, të cilët kanë mundur të gjejnë brenda automjetit tip “Benz” dy prej viktimave, ndërsa trupi i tretë i njërit prej fëmijëve është gjetur vetëm 50 metra larg vendit në të cilin kishte përfunduar makina. Vetëm pas më shumë se 90 minuta kërkimesh nga forcat e rendit dhe nga banorë të zonës, të cilët kishin mbërritur në vendngjarje, është bërë i mundur gjetja dhe më pas nxjerra nga vendi ku kishte mbetur viktima e katërt e aksidentit, 10-vjeçari Arbër Keçi. Burime policore bëjnë të ditur se veç reshjeve të mëdha të së premtes, në këtë tragjedi të madhe ka ndikuar edhe shembja e argjinaturës së një rezervuari mbi rrugën e fshatit.
Dje, rreth orës 08:00, një banor i zonës ka vënë re se disa metra larg nga shtëpia tij dukej një automjet i aksidentuar. Ai është afruar dhe ka mundur të kuptojë shumë shpejt se bëhej fjalë për një tragjedi ngaqë brenda në veturë është parë trupi i pajetë e shoferit dhe gruas së tij. Ai ka njoftuar banorë të tjerë dhe policinë, së cilës i deklaroi se të katër dyert e makinës kanë qenë të hapura në kohën kur ai ka shkuar për të parë se çfarë kishte ndodhur. Në vend mbërritën forca nga Policia e Durrësit dhe efektiva të Shijakut, ndërsa dy automjete zjarrfikëse janë bërë pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit. Së bashku me ta nga Tirana është nisur edhe një ekip kërkimi për të ndihmuar në gjetjen e të zhdukurve nga rrebeshi i shiut dhe stuhia e pazakontë në zonë. Fillimisht janë gjetur burrë e grua në mjet: Baki e Mimoza Keçi. Kërkimet kanë vijuar në drejtime të ndryshme duke bërë të mundur identifikimin dhe nxjerrjen e dy djemve të familjes Keçi, 14-vjeçarin Roland Keçi dhe 10-vjeçarin Arbër Keçi. Ky i fundit është gjetur vetëm në orët e mesditës, pasi prurjet e kishin shtyrë disa metra më tej.

Viktimat
Asnjë nga viktimat nuk ka mundur të dalë gjallë nga vendi ku janë zhytur, pasi veç ujit rreth tre metra në kanal, ka pasur sasi të mëdha dherash, shkurresh, gurë e sende të ndryshme, duke mos u dhënë asnjë mundësi familjarëve të shpëtonin. Trupat e dy fëmijëve janë nxjerrë nga rryma e ujit duke i çuar disa metra më tej.

Viktimat u mbytën në 3 metra thellësi
Për gjetjen e trupave të pajetë u angazhuan forca të shumta të Policisë së Durrësit, Tiranës e Shijakut, por edhe banorë të zonës, të cilët kërkuan për dy orë rresht përgjatë gjithë gjatësisë së kanalit në të cilën kishte përfunduar automjeti me targa të Durrësit. Katër viktimat janë dërguar në morgun e Durrësit për ekspertizë mjekoligjore, e cila përcaktoi shkakun e vdekjes, si pasojë e mbytjes në kanal për shkak se uji arrinte në një lartësi prej tre metrash në momentin kur ndodhi ngjarja.

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here