Shkodra mbetet e përmbytur edhe pse niveli i ujit është ulur me rreth 50 cm, kjo rënie për komunat Dajc dhe Ana e Malit ku lartësia e tij i kalon 2 metrat është e papërfillshme. Tërheqja e ujit ka bërë të kalueshme rrugën Shkodër- Lezhe në harkun e Bërdicës. Ulja e shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës ka tkurrur minimalisht sipërfaqen e mbuluar nga uji në lagjet pranë lumit Drin. Në zonat ku uji është tërhequr kanë dalë në pah dëmet që janë vështirë të riparohen që shkaktoi vërshimi i ujrave në pak orë në shtëpi, njësi tregëtare dhe rrugë.
Në të gjithë qarkun janë rreth 13.000 hektarë tokë të mbuluara nga uji dhe mbi 4000 shtëpi pjesa më e madhe e të cilave janë bërë të pabanueshme. Që nga dita e djeshmë janë evakuuar edhe 210 persona duke e cuar në 14.210 numrin e banorëve që janë larguar nga shtëpitë e tyre. Me shpresën e përmirësimit të situatës një numër i madh banorësh kryesisht të komunave që janë tërësisht të përmbytura nuk ishin larguar por gjatë natës ata kanë kërkuar të evakuohen.
Në lagjet Xhabije, Perash dhe Tophanë të qytetit të Shkodrës lëvizja e banorëve dhe personave që iu vijnë në ndihmë bëhet me varka. Ndërkohë që shpërndarja e ndihmave vijon pa u ndërprerë gjatë 24 orëve. Por niveli i ujrave në lumenjtë Buna dhe Drin sipas specialistëve është 1.5 metër mbi pikën kritike gjë që e mban situatën thuajse të pandryshuar.