Home Aktualitet Besimtaret Myslimane festojnë sot festën e Fitër Bajramit.

Besimtaret Myslimane festojnë sot festën e Fitër Bajramit.

611
0

20130808-124847.jpgBesimtaret Myslimane pas plot 1 muaji agjërim festojnë sot festën e Fitër Bajramit. BalkanWeb uron të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar! Kjo ditë për besimtarët myslimanë është një ditë feste dhe paqeje, e cila mëshiron virtytet më të larta, ndërsa besimtarët i shprehin lavde dhe mirënjohje Allahut.

Ceremonia e faljes së Bajramit u bë si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin përpara ish- Hotel Dajti në orën 06:23. Gjithë sipërfaqja e faljes ishte e shtruar me material të përshtatshëm duke shmangur kështu sendet e panevojshme që marrin besimtarët, të cilat shkaktojnë ndotje të ambinetit.

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka qënë i pari që ka uruar për ditën e sotme Festën e Kurban Bajramit, pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Le të kthehen sakrificat e muajit të Ramazanit në mbarësi për çdo shqiptar, uroi Basha. Urojnë edhe përfaqësuesit e qeverisë së re, Peleshi: Ditët e mira vijnë pas sakrificës!

Ndërsa dje uroi Kreu i Komuniteit Mysliman, Haxhi Selim Muca. Muca u shprehu gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë të kenë sa më shumë paqe dhe harmoni mes njeri-tjetrit. Ai e cilësoi këtë muaj të shenjtë si “muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore”. Urime drejtuar besimtarëve myslimanë kanë ardhur nga kreu i shtetit, Bujar Nishani, kryeministri i zgjedhur Edi Rama dhe ai në ikje Sali Berisha.

TOPALLI: SOT NDEROHET SAKRIFICA E ATYRE QË AGJËRUAN
Ora 11:50- Pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman, edhe kryetarja e Parlamentit në detyrë, Jozefina Topalli ka uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.
“Gëzuar festën të gjithë besimtarëve dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. E vërteta është se kjo sakritificë nuk është vetëm detyrë e shenjtë por një mësim për cdo qytetar të kësaj bote për të vepruar në sakrificë. Sot nderohet dhe festohet kjo sakrificë”, tha Topalli.

PELESHI: DITËT E MIRA VIJNË PAS SAKRIFICASH
Ora 10:45- Pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, përfaqësues të qeverisë së re kanë shprehur urimet e tyre me rastin e Fiter Bajramit.

Zv/kryeministri i zgjedhur Niko Peleshi ka uruar ditë dhe vite të begata për gjithë shqiptarët.

”Në emër të kryeminsitrit të ri dhe qeverisë së re dëshiroj të uroj të gjithë besimtarët, Gëzuar festën e bukur të Fiter Bajramit. Ditët e mira si kjo vijnë pas sakrificash, Urojmë vite dhe ditë të begeta si këto që do vijnë për të gjithë shqiptarët”, tha Peleshi.

BASHA URON BESIMTARËT: SAKRIFICAT U KTHEFSHIN NË MIRËSI!
Ora 10:17- Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka qënë i pari që ka uruar për ditën e sotme Festën e Kurban Bajramit. Le të kthehen sakrificat e muajit të Ramazanit në mbarësi për çdo shqiptar, uroi Basha.

“Pas javëve të mundimshme të muajit të Ramazanit sot besimtarët myslimanë festojnë Bajramin. Dua ti uroj Gëzuar! Sakrifica e agjërimit, lutjet e tyre u kthefshin në mirësi, dritë për cdo besimtar, Shqipërinë e gjithë kombin shqiptar!

Basha ka përcjellë urime për begati, shëndet, mbarësi dhe dritë për besimtarët mysliman dhe çdo shqiptar edhe nga selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.

“Dua të përcjell urimet më të përzemërta për Kryegjyshin Baba Mondin, për Klerin Bektashi anembanë Shqipërisë, për besimtarët bektashi anembanë Shqipërisë që sot festojnë festën e Bajramit. Gëzuar Bajramin ! Begati, shëndet, mbarësi dhe dritë !” -tha Basha.

Urimet dje

RAMA: MBARËSIA I PRIFTË FAMILJET TUAJA
Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Fitër Bajramit.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë u uroj gëzuar Festën e Bajramit të Madh dhe mbarësia i priftë familjeve tuaja”, shkruan Rama në mesazhin e tij.

BERISHA: GËZUAR BAJRAMIN, FESTËN E MËSHIRËS SË KRIJUESIT DHE SAKRIFICËS SONË!
Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Kurban Bajramit. Ai ka uruar shëndet, mbarësi dhe paqe për të gjithë shqiptarët.

“Të dashur miq, sot besimtarët myslimanë shqiptarë, pas një muaji përkushtimi dhe sakrifice për Krijuesin, festojnë Fiter Bajramin si festën e mëshirës së Zotit ndaj nesh dhe devotshmërisë tonë ndaj Atij. Nëpërmjet sakrificave të këtij muaji njerëzit përjetojnë më pranë vuajtjet e atyre që kanë mundësi më të pakta por njëkohësisht përjetojnë premtimin e Zotit që pas vështirësisë, sakrificës e cila qendron në themel të çdo arritje të njeriut, vjen lehtësimi, shpërblimi. Ndaj le të urojmë ne nga zemra që kjo ditë e shenjtë të sjellë shëndet, mbarësi, paqe, begati për të gjithë shqiptarët”, përfundon mesazhi i tij.

PRESIDENTI NISHANI URON SHQIPTARËT: TË MPOSHTIM KULTURËN E URREJTSHME TË SHERRIT!
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë për mediat ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për Festën e Bajramit.

Ndërsa e quan Bajramin një festë të shenjtë, Nishani shton se ajo shërben për të na bërë më të mirë për veten, për tjetrin dhe për shoqërinë.

“Të dashur myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni! Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundëm dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit. Gëzuar pra këtë festë të shenjtë, e cila, pas sakrificës sjell shplodhjen, pas hezitimit bindjen, pas dobësisë forcimin, pas vuajtjes Besimin. Nga një Ramazan në tjetrin Ramazan, pra nga një sakrifikim në tjetrin, nga një Bajram në tjetrin Bajram, pra nga një festë në tjetrën festë, provojmë dhe dëshmojmë efektivisht besimin ndaj Zotit. Dhe Zoti çdo herë na shpërblen. Duke na bërë më të mirë; për veten, për tjetrin, për shoqërinë. Duke na bërë më të fortë fizikisht, më të kthjellët mendërisht, më të gatshëm për sfida të tjera edhe më të vështira, që i ka jeta, i ka ekzistenca.Jo dëshpërim, jo lëndim, jo brenga.
Vetëm gëzim, lumturi dhe begati, dhe bekimin e Zotit, dashurinë e Zotit, ndihmën e Zotit, paqe, dhe urtësi sjelltë për të gjithë Ju kjo ditë, ky Bajram”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Nishani apeloi më tej se festa të tilla duhet të na shërbejnë për ta parë botën me sy të tjerë, duke mposhtur kulturën e urrejtjes.

“Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve.
Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale. Nga thellësia e zemrës, ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të madhe. Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur. Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit Tuaj. Ngushëllohuni bashkërisht. Ndihmohuni bashkërisht. Këshillohuni bashkërisht. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami”, përfundon mesazhi i tij.

KREU I KMSH, HAXHI SELIM MUÇA URON SHQIPTARËT PËR FITËR BAJRAM
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, ka uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për festën e Fitër Bajramit. Ceremonia e faljes së Bajramit do të bëhet si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin përpara ish- Hotel Dajti në orën 06:23.

Në përshëndetjen e tij drejtuar besimtarëve myslimanë Kryetari i KMSH thekson se, “tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët – Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore. Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja.

Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Zoti thotë: “Për mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur.

Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Veprimi më i dashur për Allahun pas kryerjes së obligimeve, është kur një mysliman e gëzon vëllain e tij. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

U uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta gëzojnë këtë festë me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë shoqërinë. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here