Home Aktualitet Anada: Gruaja merrte ende frymë kur iu afrova

Anada: Gruaja merrte ende frymë kur iu afrova

679
0

masakra-vloreKanë kaluar 5 ditë, por të dielën e 28 kor rikut e mban mend me çdo detaj. Ndoshta është personi i fundit, që e ka parë të gjallë 53-vjeçaren Diana Ademi, të cilës i ishte afruar për t’i matur pulsin. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Anada Xh. një prej dëshmitarëve të masakrës që ndodhi në plazhin “Kalaja”, në Vlorë, ku humbën jetën 3 të pafajshëm tregon momentet kur pa të shtrirë në shezlon dhe ende të gjallë, 53-vjeçaren. Gjatë përshkrimit të gjithë ngjarjes, Anada rrëfen se ambulanca atë ditë është vonuar rreth 30 minuta, ndërsa trupi i gruas, është marrë i fundit për tu dërguar në spital. Ende e tronditur Anada falënderon Zotin që ka shpëtuar gjallë nga ajo ditë.

Anada, çfarë ndodhi pasditen e 28 korrikut në plazhin tek “Kalaja” në Vlorë?
Unë kisha shkuar si çdo ditë me disa shoqe të miat në plazhin tek “Kalaja”. Gjithçka ndodhi ishte e papritur. Dëgjuam të shtëna, por fillimisht mendova se ishin fishekzjarrë, po kur kthej kokën shoh që të gjithë po vraponin të tmerruar. Aty e kuptova ç’po ndodhte. Filloi një breshëri plumbash dhe nuk dinim nga të shkonim, ku të fshiheshim.
Po më pas çfarë patë?
Sipas zhurmës që dëgjova, të shtënat dukej se vinin nga shkallët. Pasi mbaroi breshëria e parë filloi një tjetër mbi të gjithë plazhin. Plumbat më erdhën tek këmbët. Pastaj prapë një ndalesë dhe prapë një breshëri e tretë. Më shumë u tremba për vëllain e vogël, të cilin po e mbuloja me trupin tim.
Arrite t’i shihje viktimat?
Kur u duk se çdo gjë mbaroi, njerëzit filluan të vraponin të largoheshin dhe unë po vrapoja të gjeja kushërirën time, e cila ishte në breg të detit, afër Serdit të plagosur. Po bërtisnim për ndihmë po askush nuk e kthente kokën. Kur u ngjitëm të largoheshim, aty tek një shezlon afër ishte një grua e shtrirë me fytyrë nga dielli, vetëm. Unë u çudita dhe mendova mos po flinte. U afrova, kur pashë që ajo ishte e plagosur me plumb afër veshit. U tmerrova!!! Fillova të kërkoja ndonjë të afërm të saj, po s’kishte asnjëri.
A ishte gjallë, kur e patë ju?
E morëm, disa çuna e ngjitën lart dhe unë u përqendrova më shumë tek ajo. Nuk e di pse iu afrova dhe ajo merrte frymë. Kraharori i hidhej përpjetë. Ambulanca u vonua 30 minuta ose më shumë dhe kur erdhën morën 2 të plagosurit e tjerë pasi nuk kishte vend.
Unë u mundova ta ndihmoja atë gruan, po çfarë mund të bëja?! Policia ishte aty dhe nuk e merrte. Pak më vonë iu afrova dhe njëherë asaj ti matja pulsin. Aty e pashë që ajo vdiq. U tmerrova…nuk di ç’të them. Pastaj e mori ambulanca, ndërsa ne na mori policia për të dëshmuar. Kemi ndenjur atje deri vonë. Çfarë të them më tepër, ky ishte tmerri i asaj dite. Falenderoj Zotin që jemi gjallë.
Po më pas çfarë ndodhi?
Ata të 3 vdiqën që atje nuk duruan më gjatë dhe pastaj erdhi dikush, i cili më ka bërë shumë përshtypje se ishte njeri i pashpirt fare. Nuk i interesonte se aty kishin vdekur njerëz po jepte urdhra që të pastronin vendin dhe të vazhdonin punën. Pak më vonë erdhën 2 djem, të cilët ishin hedhur nga shkëmbinjtë për t’u shpëtuar plumbave dhe ishin vrarë keq fare. Policia donte t’i merrte që të dëshmonin, por pasi e panë gjendjen e tyre i lanë të shkonin në spital dhe mua me disa të tjerë na morën për të dëshmuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here