Kukësi eliminon ekipin e Metalurgut e turin e dytë të Evropa Leagues duke kaluar në ‘play – off’ për herë të parë në historinë e ekipeve shqiptare në një kompeticion evropian.
Ekipi i Kukësit humbi me rezultatin 1-0 përballë ekipit të Metalurgut, por fitorja e arritur në Tiranë me rezultatin 2-0 u dha të drejtë shqiptarëve që të festojnë kalimin në turin e tretë.
Ndeshja dhuroi mjaft spektakël dhe emocione për të gjithë të pranishmit në stadium, por jo vetëm, pasi mijëra shqiptarë e ndiqnin nga ekrani.
Pjesa e parë e ndeshjes me ekipin e Metalurgut përfundoi me rezultatin 1-0 për ekipin vendas.
Golin për ekipin e Metalurgut e shënoi në minutën e 27’ Dimitrov pas një kombinimi të bukur dhe të shpejtë jashtë zonës së 16 metrave të Kukësit duke befasuar portierin Halilaj.
Në pjesën e dytë Kukësi rikthehet totalisht në mbrojtje të rezultatit të arritur në Tiranë, ndërsa vendasit sulmojnë pa fund, por pa gjetur rrjetën.
Theksojmë që Kukësi e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pas daljes ne karton të kuq të Malindit.
Kalimi i turit ka vlerën e 300 mijë eurove për ekipin verilindor, pasi 200 mijë euro është premioja e presidentit Safet Gjici, ndërsa 100 mijë euro ishin vendosur nga FSHF në rast suksesi.
Ndërsa për kalimin në ‘play – off’, UEFA pritet të shpërblejë shqiptarët me afro 1 milionë euro. Nesër Kukësi dhe Skënderbeu do të mësojnë edhe kundërshtarët nga shorti që do të hidhet në Zvicër.
Në ‘play – off’ nën kampionët e Shqipërisë mund të ndeshjen me Lacion, Fiorentinën apo edhe Totenhemin duke premtuar për të tjera surpriza dhe emocione këtë verë,e cila qenka e bekuar për futbollin shqiptar, pasi ka qenë e artë për Skënderbeun dhe Kukësin.
Gjici e Cungu: Kualifikim i merituar, edicion fantastik
Pas ndeshjes trajneri Cungu, presidenti Gjici dhe futbollistët janë shprehur tejet të entuziazmuar për suksesin e arritur.
Presidenti Gjici pas ndeshjes u shpreh” Kualifikim i merituar, edicion fantastik. E meritojmë plotësisht suksesin”.
Ndërsa Cungu u shpreh se” ndeshje tejet e vështirë, por mbijetuam me meritë deri në fund”. Futbollistët në rrjetet sociale janë shprehur më kënaqur se kurrë.
Sot pritet që futbollistët e ekipit të Kukësit së bashku me drejtuesit e ekipit të zbresin në Tiranë nga Ukraina, ku pritet që në aeroportin e Rinasit të priten nga një numër i madh tifozësh, të cilat sipas informacioneve do të udhëtojnë nga qyteti i Kukësit për të pritur heronjtë e tyre që arritën të ngrinin emrin e këtij qyteti, por edhe Shqipërisë në Evropë në një kohë shumë të shkurtër.