SHBA-të përmes ambasadorit të tyre në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i konsiderojnë zgjedhjet e sivjetme të 23 qershorit po aq të rëndësishme për Shqipërinë sa ato të vitit 1992. Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu nga Jala e Vlorës foli dje për situatën paszgjedhore në Shqipëri. Ambasadori amerikan vuri në dukje se, “Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin”. Ai përmendi se këtë radhë, PS-ja punoi më fort e mori 90 mijë vota më shumë. I rëndësishëm për SHBA-të është konsolidimi i demokracisë. Duke komentuar fushatën zgjedhore, Arvizu vuri në dukje gjithashtu se gjatë saj pati përpjekje që feja të kthehej në çështje elektorale, përpjekje për të krijuar ndarje veri-jug, por që të dyja këto përpjekje dështuan. Arvizu mori pjesë dje në aktivitetin e Lëvizjes Rinore për Integrim, duke filluar në Jalë dhe që do vazhdojë deri të shtunën, aktivitet i përvitshëm për politikën shqiptare, duke filluar nga zgjidhja e problemeve të rinisë. “Performanca juaj ishte impresionuese. Politika konstruktive është baza e suksesit. Përshëndesim përfshirjen e të rinjve dhe grave, të rinjtë janë e ardhmja e Shqipërisë”, theksoi z.Arvizu.
Ambasadori i SHBA-ve, Arvizu, referoi mbi temën “Vizioni i SHBAve për Shqipërinë dhe Ballkanin” duke theksuar ndër të tjera se “vendosja e ligjit është me shumë rëndësi. Kjo gjë përfaqëson vlerat e demokracisë. SHBA-të kanë investuar miliona dollarë për funksionimin e ligjeve dhe tashmë po punojmë me prokurorinë dhe policinë për çështjet e drejtësisë. Por nëse njerëzit nuk paguhen, nuk mund të luftohet korrupsioni. Rritja ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit duhet të ecin paralel”, – u shpreh diplomati amerikan.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. Në takim ka referuar edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili mbajti temën “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”. Ai preku në radhë të parë, çështjet e pronësisë: “Unë besoj se një pjesë e juaja kanë probleme pronësie ose janë në djeni të tyre në Shqipëri – tha ai. – “Ky është një shqetësim konkret që ndikon edhe në i integrimin e vendit në BE. Po ashtu, ju keni një industri peshkimi mjaft të mirë, por një arsye pse nuk eksportoni ka të bëjë me standardet e konservimit të peshkut dhe progresi drejt BE-së ka të bëjë me rritjen e standarteve të cilësisë për konsumatorin shqiptar”, – theksoi Sequi.