Home Kosova ‘Serbia nuk kalon’, bllokohen mbështetësit nga Tirana

‘Serbia nuk kalon’, bllokohen mbështetësit nga Tirana

734
0

“Sot, Serbia nuk kalon” – është ky slogani i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje, që sot pritet të zbatohet në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me shtetin serb, përkatësisht në Merdare dhe në Dheun e Bardhë. Pavarësisht kritikave të ashpra dhe thirrjeve për të mos e zhvilluar aksionin në pikat kufitare, lëvizja “Vetëvendosje” do të organizojë rreth orës 13:00 protestën e paralajmeruar në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Forca të shumta police në Merdarë, postbllok te Dheu i Bardhë
Ora: 12:35 -Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it janë vendosur në pikën kufitare në Merdarë. Në këtë pikë vërehen edhe automjete të blinduara të PK-së, si dhe automjete tjera, të Policisë së Kosovës e të EULEX-it. Ndërkaq, siç raporton gazeta “Zërit”, mësohet se edhe gjatë rrugës Prishtinë-Merdarë, ka numër të shtuar të forcave policore ndërsa numri më i madh i tyre është i përqendruar në hyrje të qytetit të Podujevës.Policia po kontrollon pothuajse të gjitha automjetet që mësyjnë kufirin.

Ndërkohë në hyrje të pikës kufitare drejt Serbisë, Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës ka ngritur një postbllok.Dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë stacionuar në udhëkryqin Kamenicë-Dheu i Bardhë, ku po kontrollojnë të gjitha lëvizjet e automjeteve, ndërsa pak minuta më parë kanë ndalur një autobus me aktivistë të Vetëvendosjes, të cilin nuk e kanë lënë që të shkojë te pika kufitare.

Morinë, vonohen autobusët me aktivistë shqiptarë
Ora 12:10- Aktivistët shqiptarë që janë drejtuar drejt Kosovës, në mbështetje të protestës së paralajmëruar të lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë të presin prej rreth një ore në pikën kufitare të Morinës. Aktivistët pretendojnë se autoritetet kufitare po vonojnë qëllimisht procedurat për të mos lejuar mbërritjen e tyre në kohë në protestën e orës 13:00.

Sipas aktivistëve, të gjitha makinat e tjera kanë mbaruar procedurat në një kohë të shkurtër dhe kanë kaluar kufirin, përveç dy autobusëve me mbështetës shqiptare të Vetëvendosje-s, të cilëve u është kërkuar të ribëjnë listën e pjesëmarësve.

“Në fillim na thanë që nuk punon sistemi, tani na kërkojnë të ribëjmë listën e pjesëmarrësve. Makinat e tjera po kalojnë drejt Kosovës,vetëm 2 autobusët nuk lejohen të kalojnë. Ka 1 orë që nuk po verifikohet asgjë.” – shprehen aktivistët.

Nisën drejt Kosovës aktivistë nga Tirana
Ora: 08:00- Dy autobusë nga Tirana janë nisur sot drejt Kosovës rreth orës 7:00 të mëngjesit nga stadiumi ’Qemal Stafa’. Rreth 100 mbështetës të “Vetëvendosje”-s do t’i bashkohen protestës së sotme në pikat kufitare me Serbinë. Dy autobusët e nisur nga Tirana kanë një flamur kombëtar në pjesën ballore të tyre.

Ndërkohë, organizatorët nga Shqipëria thonë se qytetarë të tjerë nga qytetet, Durrës, Vlorë dhe Shkodër janë nisur drejt Kosovës me automjetet e tyre private.
Ditë më parë, në rrjetin social Facebook kreu i “Vetëvendosje”-s Albin Kurti bëri thirrje për pjesëmarrje në këtë aksion.

Policia e Kosovës merr masa
Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së “Vetëvendosje”-s , për këtë arsye ka hartuar edhe urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”.

Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është siguria e përgjithshme, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërisë së ligjit, pastaj shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj, kurse në fund edhe fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.

Policia bëri të ditur se nuk do të lejojë asnjë bllokim të rrugëve si dhe asnjë qasje të protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimin e tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “Vetëvendosje”-s.
Policia sqaron se nëse është e nevojshme do t’i ndalojë të gjithë qytetarët që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre do të cënojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike.

Kurti: Protesta zhvillohet në momentin e duhur
Kryetari i “Vetëvendosje”-s Albin Kurti këmbëngul se organizimi i protestës zhvillohet në kohën e duhur dhe në formën e duhur.
“Protesta zhvillohet në momentin e duhur, pasi pritëm gati dy javë që qeveria e Kosovës të respektojë vendimin e marrë më 7 dhjetor të vitit të kaluar nga Parlamenti, që Kosova të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.”-shprehet Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here