Ndonëse KFOR-i ka kërkuar heqjen e tërësishme të barrikadave, strukturat paralele serbe në veri kanë vendosur që duke filluar nga dita e enjte, ora 9.00, ushtarëve të KFOR-it tu mundësohet qarkullimi vetëm përmes një shiriti të rrugës në disa drejtime të caktuara.
Në një komunikim për mediat të kryetarëve paralel të komunave serbe në veri, të dhënë pas takimit me përfaqësues ndërkombëtar, i cili është mbajtur të mërkurën në Zveçan, thuhet se bisedimet për disa detaje mes strukturave paralele dhe EULEX-it do të vazhdojnë ditët në vijim.
“Duke respektuar vendimin e presidentit serb, Boris Tadiç, që në afat sa më të shkurtër kohor të mundësohet furnizimi me artikuj të ndryshëm për ushtarët e KFOR-it, në këtë kontekst edhe qarkullimi i tyre i lirë, në takimin e sotëm kemi propozuar planin konkret që mundëson lëvizjen e njësive të KFOR-it në territorin e komunave tona”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, në komuniokatë theksohet se bisedimet shtesë në lidhje me funksionimin e EULEX-it në veri, do të vazhdojnë në të ardhmen dhe ato do të zhvillohen mes përfaqësuesve të misionit evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe atyre të Qeverisë së Serbisë.