Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur revokimin e lejeve minerare për 45 shoqëri, të cilat operojnë në sektorin minerar në vendin tonë, pasi nuk kanë realizuar detyrimet e tyre ligjore. Vendimi i Ministrisë së ekonomisë vjen pas një vendimi të marë një muaj më parë, për nisjen e procedurave për revokimin e lejeve minerare për shoqëritë në fjalë. Sipas njoftimit të METE-s mbi subjektet, për të cilat është marë vendimi për revokimin e lejes minerare, janë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
“Kontrollet e kryera kanë verifikuar se këto subjekte minerare nuk kanë realizuar detyrimet sipas ligjit, nuk kanë punuar, si dhe nuk kanë paraqitur programin vjetor të aktivitetit për vitin 2011, si dhe për vitet paraardhëse” theksohet në njoftimin e METE-s.
Në njoftimet përkatëse që iu janë dërguar shoqërive minerare, këto të fundit janë vënë në dijeni për mosplotësimin e detyrimeve ligjore, si mos realizimin e detyrimeve sipas neneve 56,57 dhe 59 të Ligjit Minerar Shqiptar nr.7796, datë 17.02.1994, i shtuar dhe i amenduar, apo mos realizimin e detyrimeve sipas nenit 25 të ligjit nr.10304, datë 15.07.2010 “Për Sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.