“Samsung”-u ka prezantuar zyrtarisht dy modelet më të fundit të serisë “Galaxy”, “S7” dhe “S7 Edge”.
Telefonat u prezantuan para pak minutash në Kongresin e përvitshëm Botëror të Telefonave që po mbahet në Barcelonë.
“S7”-a ka ekran 5.1 inç, njëlloj si modeli paraardhës “S6”, por me një harkim të lehtë në pjesën e pasme duke mundësuar lehtësi në mbajtje dhe përdorim. Kurse “S7 Edge”-i e ka ekranin 5.5 inç, ndërsa ajo që bie në sy është lakimi i pjesëve anësore.
Rezolucioni i ekranit në të dy modelet është i cilësisë HD Super Amoled.
Kamera është 12 megapiksel, me përmirësim në sistemin e vetëfokusimit, ndryshimin e dritës dhe shpejtësisë. Edhe sistemi i operimit është më i shpejtë në krahasim me versionin paraardhës.
Një nga risitë më të mëdha është vendosja e një “foleje” për futjen e një mikrokarte memorieje.
Gjithashtu ata kanë bateri më të madhe e më jetëgjatë, si dhe janë rezistentë ndaj ujit në thellësi një metër e gjysmë për 30 minuta.
Telefonat do të dalin në shitje nga 11 marsi, fillimisht në Shtetet e Bashkuara e pastaj në vende të tjera.