Rruga Milot-Kukës do të jepet me koncesion, pas një procedure tenderimi, që duhet të mbyllet deri në fund të vitit. Këtë e ka deklaruar dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ministri i Transportit Edmond Haxhinasto. Ky proces ka disa vite që duhej të ishte mbyllur, pasi nisma u mor nga qeveria Berisha, kur u konstatua se shpenzimet për mirëmbajtjen ishin shumë të larta dhe se rruga vetë nuk kishte përfunduar sipas projektit fillestar.
Dhënia me koncesion nënkupton edhe pagesë për automjetet që kalojnë në të, tarifë që rritet sipas kilometrave të përshkuara dhe që pritet të bëhet publike pas zhvillimit të tenderit, brenda dhjetorit.
Tenderi do të caktojë një kompani, e cila do të ndërtonte infrastrukturën hyrëse e dalëse për mjetet që duhet të paguajnë, do të përfundonte dyfishimin e korsive në pjesën Milot-Rrëshen, si dhe do të kryente mirëmbajtjen, për një periudhë 25-35-vjeçare.
Më 2015, do të rikthehet vëmendja tek hekurudha Tiranë-Durrës, ndërkohë që do të punohet për riveshjen me sinjalistikë dhe përmirësim të pikave të rrezikut në superstradën Tiranë-Durrës apo segmentin Kashar-Rinas, tha Haxhinasto. Prioritete të tjera në financimin e sektorit të rrugëve, që u paraqitën nga ministri Haxhinasto, ishin përmirësimi i rrjetit rrugor kombëtar, duke përfshirë arterie strategjike si, Korridori i Gjelbër, Autostrada Veri-Jug dhe Korridori i Kaltër; lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit, etj.
Do të punohet edhe për vënien në efiçiencë të rrugëve që lidhin zonat turistike të vendit, ku ndër më kryesoret janë rrugët lidhëse me bregdetin Jug-Perëndimor (Llogara-Sarandë), Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht, Rruga e Valbonës, Gjinarit dhe Shishtavecit. Edhe akset e papërfunduara do vijojnë të marrin financime, ku u përmendën akset Fushë Krujë-Milot, By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, By Pass Perëndimor Shkodër, Kardhiq-Delvinë, Unaza e Re Tiranë etj.