Home Shendetesi Rriten taksat e duhanit, gjoba për duhanpirësit

Rriten taksat e duhanit, gjoba për duhanpirësit

770
0

Ligji “Antiduhan” pritet të pësojë ndryshime. Shuperka: Të rritet çmimi i duhanit dhe ndëshkimet ndaj atyre që nuk zbatojnë ligjin

TIRANË – Çmimi i një pakete cigare në Shqipëri mund të pësojë rritje të mëtejshme brenda një kohe shumë të shkurtër. Komisioni Kuvendor i Shëndetësisë është duke diskutuar ligjin e ri “antiduhan” dhe një nga masat që propozohet për uljen e numrit të duhanpirësve është rritja e taksës.

Për momentin, kjo taksë është fiksuar në 50 lekë të reja për çdo paketë. Nëse taksa do të rritet, atëherë ndikoni do të jetë i menjëhershëm, duke bërë që të rritet edhe çmimi i një pakete cigare.

Një masë tjetër e propozuar në Komisionin e Shëndetësisë është edhe ndryshimi i mënyrës së vendosjes së gjobave për pirjen e duhanit në ambiente publike, kryesisht lokale. Deri më tani ligji ndëshkonte vetëm pronarët e lokaleve që lejonin konsumimin e duhanit në lokalin e tyre, por nuk kishte asnjë penalizim për vetë duhanpirësit.

Në komision është propozuar që të vendoset gjobë edhe për vetë klientin duhanpirës. Pra, nëse miratohen këto ndryshime, përveç pronarit të lokalit do të gjobitet edhe klienti që konsumon duhan. Gjobat për duhanpirësit do të vendosen në të gjitha ambientet ku është e ndaluar të konsumohet duhani.

Ndryshimet

Koordinatori kombëtar për Politikat e Kontrollit të Duhanit, Roland Shuperka pohon për gazetën se për ndryshimet që priten të bëhen në ligj po merren sugjerime nga ndërkombëtarët. Gjithashtu, ai shpjegon se bisedat paraprake që bo bëhen me të gjithë aktorët për ndryshimin e këtij ligji.

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Tritan Shehu, thekson se thelbi i ndryshimit të ligjit “Antiduhan” ka të bëjë me forcimin e mekanizmave për ta zbatuar këtë ligj.

Për të ulur numrin e konsumatorëve të duhanit, specialistët e shëndetësisë po mendojnë të rrisin çmimin dhe taksat ndaj këtij produkti. Por, koordinatori kombëtar për Politikat e Kontrollit të Duhanit, Roland Shuperka, shpjegoi se kjo do të bëhet duke ndjekur disa hapa dhe jo në mënyrë të nxituar.

“Duhet të sqarojmë se nuk mund të bëjmë një rritje të taksës së duhanit pa marrë edhe konsensusin e Maqedonisë dhe të Kosovës për ta rritur edhe ata këtë taksë, pasi kjo do të sillte rritjen e nivelit të kontrabandës në dogana dhe mund të sjellë humbje për vendin tonë”, – theksoi Shuperka, duke shtuar se për momentin nuk mund të flasim se sa është rritja e kësaj takse pa ditur nëse do kemi konsensusin e vendeve të rajonit. Sipas tij, do jetë Ministria e Financës, ajo që do të ketë ndikimin kryesor në lidhje me ndryshimin e taksave apo të çmimit të duhanit.

Ndëshkimet

Ndëshkimet do të jenë më të rrepta ndaj atyre që shkelin ligjin “Antiduhan”, madje këto ndëshkime nuk do të jenë vetëm mbi pronarët e lokaleve, por edhe mbi konsumatorët e duhanit. “Mund të them se po bisedohet që të ndryshohet diçka edhe në këtë drejtim, pasi edhe ai që pi duhan në ambientet që nuk lejohet do të ndëshkohet”, – shpjegon Shuperka.

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Tritan Shehu, shpjegoi se ndryshimet që po propozohen për ligjin “Antiduhan” pritet t’i japë Ministrisë së Financës të vjele direkt gjobën e vënë lokaleve apo mjediseve të tjera, nëse lejojnë pirjen e duhanit. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji krijohet një mundësi tjetër për të vjelë penalitetin.

Bashkia duhet të përfshihet për të realizuar detyrimet e veta. Duhen bërë më shumë fushata sensibilizuese”, theksoi Tritan Shehu, duke shtuar se duhet të rritet edhe më shumë ndërgjegjësimi ndaj konsumatorëve të duhanit.

Shuperka:
Shqiptarët konsumojnë 1.4 mln dollarë duhan në ditë

TIRANË – Shqipëria mban vendin e parë në Europë për konsumin e duhanit me një tendencë në rritje të konsumatoreve femra. Sipas Koordinatorit Kombëtar për Politikat e Kontrollit të Duhanit, Roland Shuperka, Statistikat tregojnë se shqiptarët shpenzojnë mesatarisht 1.4 milionë dollarë në ditë për cigare që vete 42 milion dollar në muaj. “Ndaj, për frenimin e konsumit të duhanit kërkohet rritja e çmimit dhe e taksave ndaj tij.

Mesatarisht, konsumi i duhanpirësit është 19.7 cigare në ditë, pra afërsisht një paketë. Kërkohet rritja e çmimit të cigareve, me qëllim që të reduktohet edhe numri i duhanpirësve”, – pohon Shuperka. Ajo çfarë është më shqetësuese në vendin tonë është konsumi duhanit nga grupmoshat e reja dhe me tendencë rritje tek vajzat që shkollën 9-vjeçare. Deri me tani ligji “Antiduhan” nuk ka gjetur zbatim, pasi me përjashtim të institucioneve shëndetësore, ai konsumohet lirshëm në lokale, shkolla dhe ambiente të tjera publike.

Ja ndëshkimet nga ligji

Që nga koha kur hyri në fuqi ky ligj, në kryeqytet janë vendosur me dhjetëra gjoba ndaj subjekteve të ndryshme, por deri tani nuk është mbledhur asnjë. Kjo, pasi këto gjobat vilen nga pushteti lokal dhe jo nga një organ i posaçëm. Sipas inspektorëve sanitarë, vjelja e gjobave që variojnë nga 50-300 mijë lekë, ka ardhur për shkak se ligji në këtë pikë është paksa i cunguar. Po kështu edhe numri i vogël i inspektorëve në vend, vë në dyshim suksesin e këtij ligji, të miratuar pak kohë më parë.

Promocioni për luftën kundër duhanit, kryesisht në bare, lokale dhe institucione nuk është futur si duhet në praktikë. Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Promocionit, një inspektor dhe një ndihmës inspektor shëtisin në të gjitha lokalet dhe nëse konstatojnë që klientët tymosin cigare, atëherë pronari i lokalit është i detyruar të paguajë gjobën që nis nga 50 deri në 300 mijë lekë të reja, por kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani. Pothuajse të gjithë gjobat e vendosura nga inspektorët e Shëndetit Publik, nuk janë mbledhur në kohë; kjo dëshmon që ligji për ndalimin e duhanit në ambientet publike, nuk funksionon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here