Home Ekonomi Rriten kreditë e këqija, shtohen vështirësitë për biznesin

Rriten kreditë e këqija, shtohen vështirësitë për biznesin

185
0

Kreditë e pashlyera në banka janë rritur edhe në tremujorin e dytë të vitit, duke pasqyruar vështirësinë e bizneseve dhe individëve për të shlyer huatë e marra në banka. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit kreditë e këqija arritën në 12 për qind të totalit, nga 11.45 për qind që ishin një tremujor më parë. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, pesha e kredive të këqija ndaj totalit të kredisë së dhënë është rritur me 3.3 për qind. Bankat në Shqipëri kanë dhënë në total 457.6 miliardë lekë kredi për bizneset dhe individët. Nga këto, sipas Bankës së Shqipërisë, rezultojnë kredi me probleme, të cilat nuk shlyhen rreth 54.8 miliardë lekë ose mbi 500 milionë dollarë. Të dhënat tregojnë se në vlerë, shifra e kredive të këqija është rritur krahasuar me vjet me mbi 18 miliardë lekë, ose gati 50 për qind.
Masat e Bankës
Banka e Shqipërisë i ka detyruar bankat private që të mbajnë më shumë fonde rezervë për të përballuar humbjet nga kreditë që nuk shlyhen. Rritja e kredive të këqija veçse cenon të ardhurat e bankave, ka edhe një sërë efektesh negative për ekonominë. Ato pengojnë kreditimin, pasi bankat detyrohen të mbajnë më shumë fonde të papërdorura si garanci për kreditë e këqija. Por veç kësaj, humbjet nga kreditë që nuk kthehen ndikojnë direkt në rritjen e interesave për kreditë e reja që bankat japin për bizneset dhe individët
INSTAT: Çmimet u ulën gjatë muajit Korrik

Çmimet e konsumit në muajin Korrik shënuan një ulje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik (Korrik-2010/ Korrik-2009) është 3.4 për qind ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 për qind. Treguesi i çmimeve për grupin “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.3 për qind. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Ulje të çmimeve pati dhe në disa nëngrupe të tjera të grupit ”Ushqime dhe pije jo alkoolike” si “fruta” 3.3 për qind; ”peshk” 0.6 për qind”; ”qumësht djathë e vezë’ 0.2 për qind. Indeksi i grupit ”Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimet e këpucëve shënuan një ulje prej 0.2 për qind. Indeksi i grupit ”Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të shërbimeve mjekësore me 0.2 për qind dhe medikamenteve me 0.1 për qind. Gjatë këtij muaji çmimet e karburantit pësuan një rritje të lehtë krahasuar me muajin e mëparshëm ku çmimi i naftës u rrit me 0.1 për qind dhe çmimi i benzinës u rrit me 0.2 për qind.
Berisha: Shqipëria vendi me barrë fiskale më të ulët në Evropë

Kryeministri Sali Berisha priti dje përfaqësues të kompanisë malajziane, Malasian Mining Coorporation. Gjatë diskutimit mes tyre përfaqësuesit e kompanisë u shprehën se janë rezultatet e publikuara së fundmi mbi ekonominë shqiptare, te cilat kanë bërë që kompania e tyre të marrë vendimin për të shtrirë investimet në Shqipëri. Ata shprehën interesin për të investuar në sektorin energjetik dhe atë të infrastrukturës, përfshirë atë rrugore e portuale. Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri siguroi investitorët malajzianë se në Shqipëri do të gjejnë një klimë të favorshme për bizneset e huaja, barrën fiskale më të ulët në Evropë si dhe i garantoi ata se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe strukturave të saj në përputhje me legjislacionin shqiptar, për ti çuar drejt suksesit projektet e tyre.
Pushuesit, bashkëjetesë me ujërat e ndotura në bregdet

Derdhja e ujërave të zeza në breg është kthyer në një nga gangrenat e plazhit të Durrësit dhe Golemit. Ashtu si vitet e fundit edhe kjo verë nuk solli asnjë përmirësim të situatës, e cila po kthehet në një nga shqetësimet më të mëdha të pushuesve që janë të detyruar të zgjedhin këto plazhe. Arsyet e ndotjes masive janë hotelet dhe restorantet pranë bregdetit, të cilat shkarkojnë ne mënyrë ilegale ujërat e zeza në det, mbetjet inerte dhe mos trajtimi i ujërave urbane. Niveli i lartë i ndotjes së ujit të plazhit është bërë jo pak herë shkak i marrjes së infeksioneve të lëkurës. Për herë të parë këtë vit Drejtoria Rajonale e Mjedisit në Durrës, në bashkëpunim me Institutin e Higjienës, kanë hedhur hapin e parë në përcaktimin e portave më të ndotura në zonën e plazhit si dhe në ndërprerjen e 5 tubacioneve të ujerave të zeza që derdheshin në det. Gjithsesi kjo ndërhyrje duket e vonuar ndërkohë që sezoni i plazhit dhe ai turistik kanë arritur tashmë kulmin. Pak ditë më parë Ministria e Mjedisit shpalli listën e plazheve më të ndotura. Disa plazhe në zonën e Durrësit si ai Currilave, apo ai Zhironit në zonën e Bërrylit janë rekomanduar të mbyllen për pushuesit.

Previous articleNjerëzit e famshëm që lënë paratë në bixhoz
Next articleStudimet në Itali, vizat më 18 gusht. Ambasada: Një javë kohë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here