Piloti italian dhe shqiptari, të vënë nën akuzë për tentativë të trafikimit të drogës në bashkëpunim, “përballën” sot me drejtësinë për tu njohur me masën e sigurisë. Gjykata e Krimeve të Rënda jep sot masën për Giorgio Riformato 67 vjeç dhe Saimir Bajramin 35 vjeç të arrestuar të shtunën (10 Maj) në zonën e Divjakës ku u bllokua nga Policia e Shtetit një avion tip “Piper” i pilotuar nga italiani dhe pranë tij makina Mitsubushi me 460 kilogramë drogë e drejtuar nga shqiptari.
Seancat gjyqësore do të zhvillohen veçmas për italianin në orën 09:00 dhe për shqiptarin në orën 10:00.
Vendimi për zhvillimin e seancës të martën në mëngjes është vendosur nga administrata e Gjykatës së Krimeve të Rënda pas kërkesës për vlerësim të arrestit dhe vendosjen e masës shtrënguese “arrest me burg” bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Seanca e të martës do të drejtohet nga gjykatësi Idriz Milkurti, ndërsa akuza do të përfaqësohet nga prokurorja Dolorez Musabelli.
Sajmir Bajarami ka pranuar para hetuesve se droga do të ngarkohej në avion për tu transportuar drejt shtetit fqinj, dhe se piloti italian do të merrte 27 mijë euro, shumë e sekuestruar nga policia gjatë operacionit të së shtunës. Por nga ana tjetër, vetë piloti italian, Giorgio Riformato nuk ka pranuar asnjë nga akuzat. Sipas tij ai është gjendur në Shqipëri si turist për të vizituar bregdetin shqiptar.
Riformato është ngritur në fluturim nga Rinasi në orën 13:56 të së shtunës, dhe sipas tij do të kryente një eksplorim të bregdetit shqiptar nga ajri, dhe më tej do të nisej drejt Italisë. Por shkëputja për rreth 20 minuta me Kullën e Vrojtimit, ka shënuar dhe momentin e rënies së avionit në zonën e Divjakës në orën 14:40. Sipas piltotit italian ulja ka qenë e detyrueshme për shkak të një avarie.
Giorgio Riformato ka qenë i akuzuar në vendin e tij për mashtrim sepse nuk kishte leje për kompaninë ajrore që ai zotëronte. 67 vjeçari ka qenë në process gjyqësor në vitin 2013 i denoncuar si titular i një shkolle pilotimi, për të cilën nuk kishte leje. Studentët e kanë denoncuar se u merrte 1500-1700 euro për një fluturim, të cilat Riformato i justifikonte si shpenzime për karburante. Piloti italian sipas drejtësisë së shtetit fqinj Riformato kishte marrë vetëm leje për fluturime turistike dhe se s’ksihte marrë asnjëherë certifikatën për operator avionësh dhe licencë për ushtrim aktiviteti