Home Aktualitet Rrefimi i Enver Bashes: Polici që arrestoi Xhuvanin dridhej nga frika

Rrefimi i Enver Bashes: Polici që arrestoi Xhuvanin dridhej nga frika

632
0

enver-bashaEnver Basha ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive në gazetën “Panorama” sulmin e bërë ndaj tij, pas të cilit përfundoi në spital, por edhe gjithë sa i ndodhi, që pas momentit që u gjend pranë policit për të ndihmuar në arrestimin e Kostandin Xhuvanit, pas masakres në lokalin “Ante Grand”. Ndihmë, që e bëri personazh të njohur, por që i solli me vete trazime të shumta, që nga kërcënimet e vazhdueshme e deri në pushimin nga puna.

Si ndodhi që ju sulmuan pranë Qytetit Studenti?

Isha aty para mensës ku punoj, te rruga “Budi”. Kisha dalë dhe po pija cigare. Vjen një makinë dhe ndalon aty përballë meje. Zbret një person dhe po më shikonte. Kur më erdhi afër, sikur iu prish pak terezia, e pashë në fytyrë. “Ke gjë?”, më tha. “Çfarë të kem?”, i thashë unë. “Hashash…”, më tha. Në fillim më erdhi për të qeshur, se as nuk e njihja dhe as nuk e kisha parë ndonjëherë. Madje e pyeta nëse më njihte. Iu afrova atij tjetrit që ishte në makinë, e pyeta edhe atë se çfarë kishte. Kur e pyeta më tha: “Fol mirë me mua…”. Në atë moment iu afrova edhe më shumë makinës dhe i thashë të dilte jashtë. Më pyeti nëse isha punonjës policie dhe unë i thashë se ku e dinte ai se çfarë isha unë. “Nuk ke shanse…”, më tha dhe më kapi te faqja. I thashë të më jepte kartën e identitetit dhe pasi ma dha, i thashë që do ta çoja për verifikim në rajon. Në këtë kohë ai tjetri m’u afrua dhe unë nuk e vura re që do më godiste. Njëri më goditi në hundë, ndërsa tjetri pas kokë.

Me çfarë ju goditën?
Ndonjë dorezë hekuri do ketë qenë, nga këto që përforcojnë grushtet.

I kishit parë ndonjëherë këta persona?
Po njërin e kisha parë edhe para një javë. Më kishte ndjekur siç duket, sepse e shihja shpesh aty.

Ju dyshoni se kjo ngjarje ka ndodhur si rrjedhojë e ndërhyrjes suaj për arrestimin e Kostandin Xhuvanit?
Unë nuk mund ta them me siguri, por problem tjetër nuk kam me askënd. Gjithmonë kam qenë njeri që shihja punën time, punoja, ndihmoja familjen, as nuk i kam rënë në qafë njeriu dhe asnjeri nuk më ka rënë në qafë mua. Për mendimin tim nuk ka asnjë arsye tjetër që të më ndodhte kjo. Gjithçka ka lidhje me atë natë.

Keni ndonjë ngjarje konkrete kërcënimi apo presioni që u është bërë dhe e keni denoncuar në Polici?
Po kam. Para një muaji, kam qenë duke ecur në këmbë afër Ambasadës Amerikane në drejtim të Fakultetit Ekonomik për të shkuar në shtëpi. Natë ka qenë. Kam vënë re një person që lëvizte shumë afër meje, i veshur me një pardesy të zezë. Kur e pashë që nuk po më ndahej, ndalova dhe bëra sikur po ndizja një cigare. Ai e vuri re dhe ndaloi edhe ai, u fut te një rrugicë, fiks te pallati ku është lokali “Ante Grand”, që ndodhi vrasja, te ajo kthesa afër kazanëve të plehrave. Aty e pashë që kishte një çatë të vendosur krah e qafë. Kur u fut aty, thashë të vazhdoja rrugën dhe të ikja, por ai doli prapë dhe m’u vu pas. Po ecte paralel me mua. Para një hoteli më tha nëse kisha çakmak për t’i ndezur cigaren. E pashë me dyshim, por pranova dhe i zgjata çakmakun. Ai më pyeti se si quhesha. “Ç’të duhet ty?”, i thashë. “Më kërkove për të ndezur, ja ku e ke”. Më pyeti nëse po shkoja në shtëpi, por nuk i thashë gjë. Por ai dukej se e dinte ku banoja, pasi ma tha vetë. Unë i thashë që nuk banoja këtu, por afër “21 Dhjetorit”. Bëra denoncim në polici, i telefonova 129-s. Erdhi policia për 2 minuta, më morën në makinë dhe filluan të lëviznin nga Liqeni, sikur do ta gjenin autorin duke kontrolluar me drita. Dolëm në rrugë dhe pyetëm një taksist, ai na tha që kishte parë një person me pardesy të zezë, që në një moment i ishte afruar një makine, kishte bërë sikur po villte dhe kishte hipur duke u larguar nga aty.

Emrin tuaj e përmendi edhe ish-kryeministri Sali Berisha në Parlament…
Po e mora vesh që e kishte përmendur. Më thanë, se vetë nuk e kisha dëgjuar. Atë ditë më kanë thirrur në Polici dhe më kanë thënë nëse kisha pasur probleme dhe a isha ankuar në ndonjë vend. Ju thashë që nuk kisha folur me asnjë njeri, thjesht doja që të më mbronin.

Gjatë kësaj kohe, pra pas arrestimit të Kostandin Xhuvanit, ju ka kërcënuar ndonjë person? Ditët e para jo, pasi emri im nuk kishte dalë. Më pas më kanë marrë disa shokë të mitë në telefon dhe më thanë që kishin parë emrin tim në lajme dhe aty u identifikova. Pas këtij momenti më filluan edhe problemet. Shkova te televizioni që kishte publikuar emrin tim dhe gazetari më tha që nuk kishte asnjë problem, pasi unë kisha bërë një heroizëm dhe emri im ishte përdorur për qëllime të mira. Por përmendja e emrin tim ishte problem shumë i madh. Dy ditë pasi doli emri im në lajme, më dhanë paralajmërim për pushim nga puna.

Ku punonit ju në atë kohë?
Unë punoja në një piceri afër ish-kinema “17 Nëntori”. Shpërndaja pica dhe nga aty më hoqën, mbeta pa punë. Më thanë që nuk kishin asgjë me mua, por thjesht nuk donin të kishin probleme për shkak të asaj që kishte ndodhur. Nga puna më kanë hequr më 15 nëntor. Ngela pa punë dhe kërkova ndihmë nga Policia për të mësuar se kush i kishte bërë publike të dhënat e mia, emrin tim. Më thanë që do ta zgjidhnin këtë punë, por nuk u bë asgjë. Kërkova të mbrohem ose të ikja jashtë shtetit, sepse këtu ndjehesha i rrezikuar, si vetë, ashtu edhe familja ime.

Po tani ku punoni?
Tani punoj te një mensë aty afër Qytetit Studenti. Më ka punësuar një grua që e kam si nënën time, sa për të mos më lënë pa punë.

A keni pasur probleme me ndonjë person, pas ngjarjes me 4 të vrarë që ndodhi te Rruga e Elbasanit, kur ju ndihmuat policinë për të arrestuar Kostandin Xhuvanin?
Që atë natë kur ka ndodhur ngjarja, që ndihmova atë punonjësin e policisë për të arrestuar Kostandin Xhuvanin, vazhdimisht kam pasur probleme me persona të panjohur. Më kanë ndjekur, më kanë sharë e më kanë kërcënuar. Atë natë, pasi u arrestua Xhuvani, unë u nisa për në shtëpi. Shtëpinë e kam diku afër vilave gjermane, te Rruga e Elbasanit. Gjithnjë me idenë se nuk ishte mësuar identiteti im, pasi i kërkova policëve aty që të mos merrej vesh kush isha unë, pasi unë isha personi që bashkë me policin e kapëm nga krahu vrasësin dhe nuk doja të identifikohesha. Kur po shkoja në shtëpi, diku afër një restoranti që ndodhet aty përballë vilave gjermane, kam dëgjuar zhurmën e një makine që më vinte pas. Kam kthyer kokën dhe e pashë që ishte me drita të fikura. Në një moment më është afruar, dikush uli xhamin dhe më shau. Në këtë kohë unë fillova të nxitoj, i dhashë më shpejt motorit dhe shkova në shtëpi. Pasi u ndërrova, dola në rrugë të shihja çfarë po bëhej, afër një hoteli dhe i kam telefonuar policisë te numri 129. U thashë që më kishin ndjekur.

E denoncuat këtë ngjarje?
Kam shkuar te Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe kam folur me shefin e Krimeve të Rënda, të cilit i tregova se çfarë më kishte ndodhur. Ai më tha të mos shqetësohesha, pasi do më mbronin, madje më ofruan edhe një shpërblim për atë që kisha bërë. Pasi më kanë marrë në pyetje për ngjarjen, arrestimin ku kisha ndihmuar punonjësin e policisë, u kam kërkuar që në mënyrë absolute të mbrohej anonimati dhe të mos bëhej publik emri im.

Sa është shpërblimi që ju thanë?
Nuk më caktuan shifër, por thjesht më thanë se në të tilla raste jepej një shpërblim edhe pse unë sot e kësaj dite nuk e kam marrë.

Kur po ndihmoje punonjësin e Policisë për të arrestuar Kostandin Xhuvanin, e dije se kush ishte ai? E njihje Kostandin Xhuvanin?
Jo nuk e dija, nuk e njihja fare. Megjithëse më pas ai na e tha vetë se kush ishte. Na kërcënoi mua dhe policin. Na tha që do na vriste po të mos e lëshonim që të ikte. Më pas na tha që do na jepte flori dhe ta lëshonim, sepse kishte vrarë njerëz. Më pas i thashë që s’kishte asnjë shans që ta linim të ikte, sepse kishte vrarë njerëz, jo dele dhe duhej të përgjigjej për këtë e të dorëzohej.

Ishte i armatosur?
Po e kishte pistoletën në dorë, më pas e hodhi.

Si ndodhi që ndërhyre dhe ndihmove policinë për ta arrestuar Kostandin Xhuvanin?
Unë rastisa aty, me motorin e punës, po kthehesha për në shtëpi. Në atë moment jam përplasur, siç ka dalë edhe në video. Pashë që policia i ishte afruar atyre personave për t’i ndaluar, por dy persona u shpërndanë dhe filluan të vraponin. Njëri kishte pistoletën në dorë dhe u largua gati 30 metra. Kur pashë një polic që iu vu pas ma mori mendja që nuk do e arrestonte dot i vetëm dhe vendosa t’i shkoj në ndihmë. Vrapova që ta ndihmoja dhe kemi arritur të dy që ta kapnim për krahu. Në momentin që pa që polici po e ndiqte dhe unë i zura rrugën, në atë kohë hodhi armën në tokë. Filloi të na kërcënonte. Na shante dhe na thoshte që do na vriste dhe s’do na linte gjallë, mua dhe policin. Jam Kostandin Xhuvani, na tha, kam vrarë njerëz dhe më keni jetën borxh. Po më latë të iki, do t’ju jap flori dhe çfarë të doni.

Po punonjësi i Policisë, çfarë po bënte ndërkohë?
Ai ishte shumë i frikësuar, po dridhej nga frika. I thashë të qetësohej, sepse aty isha për të ndihmuar atë dhe jo vrasësin. E shikoja që nuk po i vinte dot prangat dhe i thashë të lajmëronte patrullën që të na ndihmonte. Policia erdhi dhe ndaloi pak metra më lart, afër traut që shkon për në Qytetin Studenti.

Berisha: Enver Basha ndaloi Xhuvanin, i rrëmbeu revolen, polici ia hodhi djalit të Demirit

Ish kryeministri Sali Berisha ne deklarimet e tij ne media, apo fjalet e mbajtura ne Kuvend i eshte kthyer disa here masakres se kryer nga Kostandin Xhuvani, duke akuzuar qeverine e policine per prishje provash, ne me synimin per ta shpetuar autorin. Berisha ka permeduar disa here se djali qe e ndaloi Xhuvanin ishte nje shperndares picash me emrin Enver Basha.

“Kush është Enver Basha? Është djaloshi që në orën 4 të mëngjesit la punën tek pizeria dhe po shkonte në shtëpi. Ai pa një skenë krimi të tmerrshme, ai pa aty se polici i tha Xhuvanit ik tani nisu. Ai pa se djali shoqërohej edhe nga një tjetër. Këta me vrap drejt fakultetit ky me motor i del para dhe i kap revolen dhe i thotë ktheu kriminel ke vrarë katër vetë. Polici shkon dhe e marrin. Çfarë bënë me revolen? Ia hodhën të birit të Demirit. Kostandinin e ka ndaluar Enver Basha”- ka thene Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here