Punëtorët e hashashit dynden në spitalin “Omer Nishani” të Gjirokastrës. Intoksikimi nga mbledhja dhe përpunimi i lëndës narkotike në fshatin “rebel” të Lazaratit ka bërë që dhjetëra persona, kryesisht gra të përfundojnë në dyert e këtij institucioni shëndetësor. Të ardhurat e siguruara nëpërmjet punësimit nga kultivuesit e drogës për shumë familje në nevojë jo vetëm nga qyteti jugor, por edhe nga rrethe të tjera të vendit kanë kosto të lartë shëndetësore. Për më tepër që në mes të pacientëve të intoksikuar nga hashashi ka edhe fëmijë. Burime të sigurta nga spitali rajonal i Gjirokastrës bëjnë me dije se 10-12 pacientë në 24 orë paraqiten në repartin e urgjencës për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë mësohet se asnjë nga pacientët nuk tregojnë shkakun e përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore, për t’u rikthyer sërish në “frontin” e tyre të punës, ku dhe sigurojnë bukën e gojës.
PUNËTORËT E HASHASHIT
Mjekë të spitalit të Gjirokastrës pohojnë se pacientët e sëmurë nga droga paraqiten me simptoma të ndryshme si: të Vjella, gjendje të fikti dhe alergji në lëkurë. Edhe pse të rezervuar në informacion, burimet sqarojnë se pacientët janë kryesisht femra të moshave 17-35 vjeç. “Për çdo ditë në spital vijnë për të marrë ndihmë mjekësore persona që intoksikohen nga hashashi. Shumica prej tyre janë femra që kanë shkuar për herë të parë për të punuar në Lazarat, ose gra që janë të dobëta fizikisht. Disa prej tyre paraqiten me tension të ulët apo të rrahura të shpeshta zemre, ndërsa disa të tjerë janë prekur nga alergjia trupore. Kjo e fundit vijon për dy apo tri ditë dhe vihen re skuqje të lëkurës dhe njolla të errëta”, shprehen bluzat e bardha. Këta të fundit pohojnë se pacientët që vijnë apo edhe familjarët nuk tregojnë përse ka ardhur problemi shëndetësor, duke vështirësuar përcaktimin e diagnozës. Kjo dhe për faktin se alergjia ngjason me sëmundje të tjera si fruthi. Ajo çka u ofrohet punëtorëve të intoksikuar nga hashashi është serumi apo medikamente të tjera. Sipas mjekëve, fatmirësisht nuk janë evidentuar raste me rrezikshmëri shëndetësore. Për të shmangur konfliktet me pacientët apo të afërmit e tyre, mjekët e Gjirokastrës detyrohen të regjistrojnë diagnozë ndryshe nga e vërteta. Nëse pacientja është intoksikuar, diagnoza regjistrohet për tension, ose thjesht alergji.
SKANDALI
Sipas burimeve nga Spitali i Gjirokastrës, numri i pacientëve të intoksikuar nga droga e Lazaratit sa vjen dhe rritet. Ndërkohë, problemi bëhet edhe më i mprehtë, pasi përveçse pacientëve të rritur, ka edhe fëmijë. Pranë repartit të pediatrisë nuk mungojnë rastet kur fëmijët paraqiten me të njëjta simptoma të të rriturve dhe kjo vjen pasi nënat i marrin me vete gjatë kohës që punojnë në fshat. Vetëm gjatë javës së fundit në këtë repart janë shënuar 12 raste të tilla, ndërsa në muajin shtator, 40. Sipas mjekëve pediatër, fëmijët paraqiten në gjendje të obnimuluar dhe janë të mitur të moshës nga 0-3 vjeç. Ky fenomen ndodh kryesisht me banorët e komunitetin rom, të cilët për shkak të mosakomodimit të fëmijëve në institucione janë të detyruar t’i marrin me vete në Lazarat. Ndikimi i bimës narkotike tek të miturit është mjaft i lartë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.