Arjen Roben nuk zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të mira në Kupën e Botës, kur gjuajti vetëm dy herë drejt portës kundërshtare dhe një prej tyre ishte gjuajtja e penalltisë. Gjithsesi, ylli i Kombëtares holandeze mendon se janë eliminuar në momentin e tyre më të mirë dhe erdhi pikërisht falë fatit të penalltive.
Si ndiheni pas kësaj humbjeje?
Shumë i zhgënjyer. Jemi në momentin tonë më të mirë dhe nuk duhet të kishte ndodhur. Erdhi vetëm pas gjuajtjeve të penalltive që është diçka e varur nga fati. Meritonim të ishim në finale për gjithçka që kemi dhënë deri tani.
Pse u pa një Holandë disi më ndryshe ndaj Argjentinës?
Nuk ishte më ndryshe, por ka qenë një përballje shumë e fortë taktikisht. Të dyja skuadrat menduan që të jenë të kujdesshme në mbrojtje dhe sulmet respektive nuk patën shumë hapësira në dispozicion. Ashtu edhe unë. U munduam që të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë që do na krijoheshin apo të prisnim në gabime të kundërshtarit. Nëse do hidheshim në sulm, rrezikonim shumë që të ndëshkoheshim.
Jeni i kënaqur me ecurinë e Holandës?
Unë jam krenar për atë që kemi dhuruar. Duhet të pranojnë që shumë pak njerëz e prisnin se do kalonim pengesa kaq të vështira në letër. Ia dolëm mbanë të dhurojmë një futboll të bukur dhe të suksesshëm. Kur ishim vetëm një hap larg finales, nuk ia dolëm që të kualifikohemi. Nuk duhet të harrojmë që skuadra jonë ka pësuar ndryshime të mëdha dhe jemi përshtatur në mënyrë rekord me idetë e trajnerit, duke qenë shumë të saktë në detyrat që na janë dhënë.
Cila është arsyeja që humbët në gjysmëfinale?
Nuk mund të gjesh fajtor, pasi nuk ka të tilla. Ndeshja përfundoi në barazim pa gola. Kur fitojmë, merita është e të gjithëve, ashtu si edhe kur humbasim.
Një koment për finalen?
Më duhet të mendoj për ndeshjen kundër Brazilit, e cila është një ditë para finales…
“Nuk isha nervoz, por thjesht më kuptoi krahun”
Ron Vlar ishte autori i penalltisë së parë për Holandën, të cilën ia grushtoi portieri Romero. Ai deklaron se nuk ishte aspak nervoz, edhe pse pranon përgjegjësinë. “Kurrë nuk do e mohoj përgjegjësinë time. Ishte një penallti e humbur në momentin më të gabuar të mundshëm. Jam shumë i mërzitur dhe nuk e shpjegoj dot me fjalë. Por, kurrsesi nuk isha nervoz para ekzekutimit të 11-metërshit. Kisha qetësi dhe besim se do realizoja. Mendova se Romero do hidhej në krahun tjetër, por ai arriti të presë gjuajtjen time”, tha Vlar. Edhe pse kishte qenë lojtari më i mirë i Holandës, ai u bë personazhi negativ, duke influencuar psikologjikisht edhe në goditjet e shokëve të ekipit apo kundërshtarit te penalltitë.
“Argjentina donte vetëm të shkonte te penalltitë”
Uesli Shnajder kërkon falje që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, por deklaron gjithashtu se kundërshtari nuk meritoi të ishte finalist, pasi nuk luajti asnjë moment për ta fituar ndeshjen. “E dinim që do ishte një ndeshje e vështirë, pasi Argjentina është një skuadër që mbrohet mirë. Gjithsesi, nuk e kisha menduar se ata do luftonin vetëm për ta çuar ndeshjet te penalltitë. Përgjatë gjithë takimit menduan vetëm për të ruajtur barazimin, ndërkohë që ne dhamë maksimumin tonë për ta fituar këtë përballje. Patëm edhe raste për shënuar, por fatkeqësisht nuk ia dolëm mbanë. Për asnjë moment nuk u pajtuam me rezultatin”, deklaron Shnajder. “Më vjen keq që nuk arrita të shënoj nga pika e bardhë. Por, mendoj se të gjithë duhet të ndihemi fajtorë që nuk shënuan për 120 minuta, se sa që u eliminuam prej 11- metërshave. Merituam të ishim ne në finale dhe jo Argjentina, gjithsesi futbolli është i tillë”, shtoi mesfushori.
“E dhimbshme të pranosh diçka të pamerituar”
“Jemi shumë të trishtuar për këtë eliminim, pasi erdhi pas një ndeshjeje të përfunduar në barazim dhe ku ne ishim më superiorë në fushën e lojës. Kur detyrohesh të pranosh një humbje të pamerituar, është me të vërtetë diçka e dhimbshme. Ky grup futbollistësh duhet të ishte në finale, pasi ka realizuar një Botëror të shkëlqyer deri tani”, u shpreh Dirk Kajt pas ndeshjes. “Nuk dua t’i komentoj penalltitë, pasi kanë shumë pak meritë për atë që jepet në fushë. E vetmja gjë që na mbetet është të fitojmë kundër Brazilit ditën e shtunë”, tha futbollisti i Holandës.