Komuna dhe rrugë të bllokuara është situata më e fundit në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve të dendura të borës që nisen pasditen e djeshme, ndërsa në disa zona problemet janë shkaktuar nga prania e akullit dhe ngricave. Në Kukës vazhdojnë ende reshjet e borës, ku në qytet trashësia ka arritur në 50 centimetra. Të gjitha akset që lidhin qytetin me komunat rezultojnë po ashtu të bllokuara dhe të pakalueshme.
Ndërkaq segmenti Morinë-Tuneli i Kalimashit kalohet me vështirësi. Në Pukë, Drejtoria Arsimore ka vendosur pezullimin e mësimit për shkak të situatës së rënduar nga bora dhe akulli.
Fshatrat rezultojnë të gjithë të bllokuar. Po kështu edhe në Dibër të gjitha komuna rezultojnë të bllokuara dhe është e pamundur lëvizja e mjeteve. Në Korcë mësohet se Qafe Thana, Qafë e Qarrit kalohen vetëm me zinxhirë.
Po kështu dhe aksi Voskopojë-Dardhë. Ka ngrica në aksin Korcë-Pogradec dhe Korcë-Bilisht. Ndërsa, Qafë Krraba vijon të jetë e bllokuar për momentin. Aksi Gjirokastër-Sarandë kalohet vetëm me zinxhirë deri në Jorgucat. Mbrëmjen e djeshme në Qafë Muzinë mbetën të bllokuar dhe 3 autobusë. Në Gjirokastër e Tepelenë të gjitha komunat janë bllokuar, ndërsa në qytetet lëvizja është e vështirë dhe kërkohet përdorimi i zinxhirëve.