Home Aktualitet Referendum popullor për të “mbajtur në këmbë” Piramidën

Referendum popullor për të “mbajtur në këmbë” Piramidën

1602
0

Ashtu dhe siç pritej vendimi për shembjen e Piramidës nuk mund të kalonte pa pasur reagime. Vetëm 24 orë pasi Komisioni Parlamentar i Ligjeve vendosi që të ndërtohet kompleksi i ri parlamentar, një grup intelektualësh por dhe qytetarë të thjeshtë kanë vendosur të hartojnë një peticion kundër shembjes. Arkitektët dhe specialistët nëpërmjet peticionit të tyre kanë kërkuar që kjo godinë të mos shkatërrohet, pasi vlerat e saj arkitekturore janë të mëdha dhe të rëndësishme.

Arkitektet

Arkitektët dhe intelektualët kanë kundërshtuar këtë vendimmarrje të qeverisë e cila sipas tyre do të prishi një vepër të rëndësishme arkitekturore në kryeqytet. “Janë mbledhur firma më mijëra. Jam i sigurt që po të behet një referendum, sidomos tiranasit do të votonin për ruajtjen e Piramidës. Nuk mund të ketë njerëz me arsye normale që të dëshirojnë një parlament aty ku sot ndodhet Piramida”, shprehet Ardian Klosi. Por ndërsa arkitektët janë shprehur njëzëri për mosprishjen e Piramidës, publicistët dhe gazetarët e kanë cilësuar këtë vendim për prishjen e kësaj godine si një tekë të qeveritarëve. “Të shkatërrohet kjo ndërtesë, në një kohë kur vendi është në vështirësi ekonomike, kjo është një tekë ose ndoshta më shumë se kaq. Kjo është një aferë e madhe ku individë të ndryshëm mund të pasurohen, kurse kultura varfërohet”,- ka theksuar Klosi.

Kundërshtimi

Për ta prishja e Piramidës është një hap i pavend dhe një vendim aspak transparent. “Shpejtësia me të cilën po merret ky vendim është paksa jashtë normave të një shteti që përpiqet të ndërtojë një godinë parlamentare, kur në kohë nuk po respekton procedurat normale të një demokracie, e cila në radhë të parë është taksim, përfaqësim dhe përgjegjësi. Nëse shteti shqiptar takson qytetaret, ka detyrimin për t’u sjelle përgjegjshëm, për të sjellë disa shërbime për qytetaret e tij”, shtoi gazetari Erjon Tase. Edhe të rinjtë janë bërë pjese e këtij debati gjatë diskutimeve në rrjetin social Facebook. Mbi 11 mijë të rinj janë solidarizuar për mosprishjen e kësaj godine e cila mbart shumë vlera dhe tashmë prej kohësh është kthyer në një simbol për Tiranën.

Braçe: Piramida, është shkelur Kushtetuta

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Brace ka kundërshtuar ditën e djeshme prishjen e Piramidës duke i mbështetur akuzat e tij në nenin 82 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pika 1 dhe 2. Në këtë nen sipas deputetit të PS-së sanksionohet se propozimi i ligjeve, kur është rasti duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij. Ndërsa në piken dy theksohet se asnjë projektligj jo qeveritar që bën të nevojshme rritjen e shpenzimeve të buxhetit të shtetit ose që pakëson të ardhurat nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave,i cili duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit. Ky nen pasqyrohet edhe në rregulloren e kuvendit. “Projektligji i paraqitur dje dhe i miratuar dje, në Komisionin e Ligjeve nuk përligj shpenzimet financiare që duhen për vënien në zbatim. Këshilli i Ministrave nuk ka paraqitur në kuvend mendim lidhur me këtë projekt”, theksoi Brace. Deputeti i PS-së Brace zbuloi faktin, se kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar me një kërkese për mendim Këshillit të Ministrave që në mars të 2011, me një draft të ndryshëm nga ai i sotmi. Por pavarësisht ndryshimit të tyre, e përbashkëta është se në të dyja rastet nuk është bërë publike përgjigja, ndonëse ky është detyrim ligjor përcaktimi i vlerës përfundimtare të projektit, mënyra e faturimit me çmime për njësi, si dhe mënyra e prokurimit. Sipas Braçes, vendimi për prishjen e Piramidës dhe ngritjen në vend të saj të një kompleksi parlamentar është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here