Home Politike Rama i hap rruge bashkepunimit me PDIU

Rama i hap rruge bashkepunimit me PDIU

668
0

shpetim-idrizi*PS dhe LSI-ja vendosin një aleancë të re politike, PDIU-në

*Rama nis negociatat me deputetët e qarqeve për kandidatët në bashki. Për Tiranën priten të diskutohen 4 emra: Pandeli Majko, Lindita Nikolla, Blendi Klosi dhe Albana Dhimitri

*Rama takon deputetët, Peleshi: Me shumë gjasa kandidat për Korçën do të jetë Sotiraq Filo

*Kreu aktual i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini propozohet nga baza e PS-së për të rikandiduar

*Kandidati i PS-së në Librazhd, Kastriot Gurra, pranohet me konsensus

*Kandidate e favorizuar për në Shkodër diskutohet deputetja Keti Bazhdari

*Bashkia e Peqinit u kërkua nga PDIU, nuk do të ketë kandidatë nga PS

*PS nuk do të ketë kandidatë në bashkitë Rrogozhinë, Delvinë, Patos, Konispol

*Deputeti Ben Blushi: Nuk kemi diskutuar për emra konkretë

*Deputeti Blendi Klosi: Në Durrës, Vangjush Dako kandidati më i mundshëm

*Për bashkinë Fier, PS ka 4 kandidatura. 2 janë deputetët Ervin Koçi dhe Armando Subashi

TIRANË- “Partia Socialiste, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do kenë një aleate të re politike. Ajo është Partia Për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Zyrtarizimi i këtij koalicioni u bë sot në një takim mes kryeministrit Rama dhe Shpëtim Idrizit. Kreu i qeverisë deklaroi se në zgjedhjet lokale PS-ja, LSI-ja dhe PDIU-ja do dalin me 61 kandidatë të përbashkët.

“Sapo kemi finalizuar një marrëveshje për të ecur në rrugën e partneritetit politik me PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Diskutimi është përqendruar në radhë të parë tek vija kryesore e këtij partneriteti politik, ç’ka do të thotë se sëbashku me PDIU ne do jemi në bashkëqeverisje. Kemi diskutuar për stacionin e parë të këtij rrugëtimi që është stacioni i zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit ku do dalim sëbashku me 61 kandidatë të koalicionit qeverisës”, sqaroi Rama.

Rama shtoi se ende nuk kanë diskutuar për emra bashkish konkrete që do i takojnë PDIU-së, por nuk e përjashtoi mundësinë për të mbështetur kandidatët e PDIU-së në zonat ku ka influencë politike.

“Më konkretisht do të shkëmbejmë opinionet dhe do vendosim për këto kandidatura me një vëmendje të veçantë ndaj opinionit të PDIU në disa qarqe ku edhe influenca politike e kësaj partie është më e qenësishme”, tha ai.

“E di që do pyesni për emra konkret njësish, por nuk kemi. Në disa prej qarqeve do kemi edhe kontributin e drejtpërdrejtë të PDIU. Ne nuk do bëjmë ndarje bashkë do bashkojmë partitë në mbështetje të një kandidati. E drejta për të propozuar nuk është ndarje sinoresh, thirrja jonë do jetë të votojmë kandidatin tonë. Janë kandidatë të përbashkët të koalicionit tonë”, sqaroi më tej kreu i PS-së.

Nga ana e tij, Shpëtim Idrizi tregoi arsyet e këtij koalicioni me të majtën, duke thënë se programi i PDIU-së gjeti mbështetje nga PS.

“Besoj të kemi një bashkëpunim të frytshëm. Kam kënaqësi të bashkëndaj ato pjesë themelore të programit tonë që gjetën mbështetje edhe nga kjo qeveri. Po tentojmë të gjejmë mbështetjen më të mirë për të rritur përfaqësimin e PDIU-së. Besoj se dalja në zgjedhje me 61 bashki të përbashkëta do jetë më shumë produktive se 61 kandidatët e përbashkët”, tha ai.

RAMA NIS BISEDIMET ME DEPUTETET E QARQEVE PER EMRAT E KANDIDATEVE NE BASHKI

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka nisur sot në mesditë, takimet me deputetët e qarqeve për të zyrtarizuar emrin e kandidatit për bashkitë. Takimet e nisura në orën 15:00 do të kulmojnë pas takimit në orën 19:00 me atë të deputetëve të Qarkut të Tiranës, ku baza ka propozuar 4 emra, Majko, Nikolla, Klosi dhe Dhimitri. Por, pritet të ketë ende diskutime se kush do jetë kandidatura.

Më herët, vetë kryeministri Rama ka shënuar 31 Marsin, si ditën kur do jenë gati emrat e përbashkët të kandidatëve, me të cilët PS e LSI do garojnë në zgjedhje.

Sot, Rama është takuar edhe me aleatin e tij, Ilir Meta për të konkluduar listat e kandidatëve të përbashkët, me të cilët do dalin në zgjedhjet lokale. Takimi mes Ramës e Metës është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, ndërkohë që dihet se do të jenë 15-të bashkitë për të cilat LSI-ja do propozojë kandidatë në zgjedhejt e 21 Qershorit.

Fill pas Metës, në 14:15, kryeministri ka shkuar në Selinë e Partisë Socialiste ku realizoi takimin me kreun e PDIU-­së, Shpëtim Idrizin dhe vendosi për koalicionin.

TAKIMET NE PS, ORE PAS ORE SIPAS QARQEVE

PRITET EMRI I KANDIDATIT TE PS PER BASHKINE E TIRANES

Ora 19:00 Emri i kandidatit të mazhorancës për bashkinë e Tiranës ka nisur të diskutohet në selinë e PS-së ndërmjet Kryetarit Edi Rama dhe deputetëve të qarkut. Emrat e përfolur janë: Pandeli Majko, Lindita Nikolla, Blendi Klosi dhe Albana Dhimitri.

FIER, PROPOZOHEN 4 EMRA, 2 JANE DEPUTETET KOÇI E SUBASHI

Ora 18:45 Në qarkun e Fierit, PS ka propozuar 4 kandidatura 2 prej të cilave deputetët Ervin Koçi dhe Armando Subashi. Në përfundim të takimit të Kryeministrit me deputetët e qarkut të Fierit, deputeti Armando Subashi tha se “një ndër emrat e propozuar jam dhe unë. Por, për kandidatët do të vendosin strukturat. E rëndësishme është që të bëhet më e mira dhe të kemi mundësi që atij qyteti t’i japim zgjidhet e duhura për atë qytet.”

KANDIDATE E FAVORIZUAR NE SHKODER, KETI BAZHDARI

Ora 18:30 Gazetarja e “News 24″ raportoi nga selia e PS-së se kandidatja më e mundshme për bashkinë e Shkodrës është deputetja Keti Bazhdari. Namik Kopliku deklaroi se “kemi kandidatët më të mirë për 5 njesitë në Shkodër. Emrat do të publikohen nga kryetari i PS-së.”

KLOSI: NE DURRES, VANGJUSH DAKO KANDIDATI ME I MUNDSHEM

Ora 18:20 Deputeti Blendi Klosi u shpreh se Vangjush Dako është kandidati më i mundshëm për Durrësin, ndërsa nuk u prononcua nëse ai vetë do të ishte kandidati për Tiranën.

BLUSHI: NUK KEMI DISKUTUAR PER EMRA KONKRETE

Ora 18:00 Deputeti Ben Blushi ka shpjeguar se “nuk kemi diskutuar për emra konkretë. Biseduam vetëm në parim”

KASTRIOT GURRA, KANDIDATI I PS NE LIBRAZHD

Ora 17:55 Nga takimi që Kryeministri Rama ka pasur me deputetët e Elbasanit, “News24″ mëson se në Librazhd do të kandidohet Kastriot Gurra, i zgjedhur me konsensus nga baza e PS-së. Ndërsa, në disa bashki si Rrogozhina, Peqini, Delvina,Patosi, PS-ja nuk do të ketë kandidatë por do t’ua lejë aleatëve.

PËRFUNDON TAKIMI I RAMËS ME DEPUTETËT E ELBASANIT, SEJDINI PROPOZOHET NGA BAZA PËR BASHKINË

Ora 17:42- Qazim Sejdini është propozuar nga baza e Partisë Socialiste si kandidat për Bashkinë e Elbasanit. Këtë gjë e kanë pohuar burime brenda PS-së për Neës24, pas përfundimit të takimit të kryeministrit Rama me deputetët e qarkut të Elbasanit. Ndërkohë vetë deputetët e PS-së thanë pas mbledhjes se është diskutuar parimisht. Tashmë kryeministri Rama ka nisur takimin me deputetët e Shkodrës.

PËRFUNDON MBLEDHJA ME DEPUTETËT E VLORËS, KOKËDHIMA: SË SHPEJTI KANDIDATËT

Ora 16:26- Ka përfunduar takimi i kryeministrit Rama me deputetët e qarkut të Vlorës për diskutimin e emrave për kandidat në këtë bashki. Deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima tha pas kësaj mbledhje se ende nuk ka një emër të përveçëm, duke paralajmëruar se kandidatët do të bëhen publikë së shpejti.

“Së shpejti do të kemi emrat e kandidatëve. Diskutuam për strategjitë për zgjedhjet, por nuk ka emra të përveçëm”, tha Kokëdhima. Pavarësisht insistimit të gazetarëve, Kokëdhima nuk i është përgjigjur pyetjes nëse do të jetë Prefektja aktuale e Vlorës, Etjona Hoxha, kandidate për këtë Bashki.

RAMA TAKON DEPUTETËT E KORÇËS, KANDIDAT PËR BASHKINË SOTIRAQ FILO

Ora 15:40- Sotiraq Filo do të jetë kandidati i së majtës për Bashkinë e Korçës. Kjo gjë është pohuar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi pas përfundimit të mbledhjes që kryeministri Edi Rama zhvilloi me deputetët e Korçës për të diskutuar emrat e mundshëm për të drejtuar bashkinë e Korçës. Peleshi tha se “me shumë gjasa kandidat për Korçën do të jetë Sotiraq Filo”, i cili e drejton aktualisht këtë bashki.

Ndërkohë Rama ka nisur tashmë takimin me deputetët e Vlorës, në vijim të diskutimeve për përzgjedhjen e emrave për 61 bashkitë e vendit.

RAMA TAKON METEN E IDRIZIN

Kreu i qeverisë, njëherësh lideri i PS­-së, Edi Rama është takuar sot me aleatin e tij, Ilir Meta për të konkluduar listat e kandidatëve të përbashkët, me të cilët do dalin në zgjedhjet lokale. Takimi mes Ramës e Metës është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, ndërkohë që dihet se do të jenë 15-të bashkitë për të cilat LSI-ja do propozojë kandidatë në zgjedhejt e 21 Qershorit.

Ora 14:15- Fill pas Metës, kryeministri ka shkuar në Selinë e Partisë Socialiste ku ka nisur një takim me kreun e PDIU­së, Shpëtim Idrizi, në kuadër të negociatave për zgjedhjet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here