Kryeministri Rama ftoi biznesmenët turq të investojnë në Shqipëri, duke premtuar garanci se askush nuk do t’i nënshtrohet presioneve për bakshishe, si në të shkuarën.
“Taksa e korrupsionit dihet. Unë e di, që ju nuk do ta thoni asnjëherë me zë të lartë, ju kuptoj, por e keni paguar. Ndërkohë që keni ardhur në Shqipëri, me idenë që tatimi mbi fitimin është 10%, por nga xhepi juaj, nga arka e kompanisë suaj, në fund të vitit nuk kanë dalë 10%. 10% ka dalë për shtetin, por një përqindje tjetër, që ka variuar nga njëri te tjetri, ka dalë për pushtetin. Ne besojmë se, duke rritur tatimin e fitimit nga 10 në 15% për kompanitë, kemi një nivel jashtëzakonisht të ulët taksimi, kemi një sistem të ndershëm taksimi, në raport me të ardhurat e individëve, por kjo vetëm me kushtin, që taksa e korrupsionit të ulet deri në asgjësim, në marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit”, tha kryeministri.
Rama ka premtuar për të gjithë invesitorët turq, mosabuzim me rimbursimin e TVSH-së. Rama tha se nuk do të ketë fatura të papaguara më shumë se dy muaj.
“Rimbursimi i TVSH-së është një problem i mbartur në kohë, që del në pah si një problem kryesor, jo vetëm nga ju, por edhe nga gjithë sipërmarrësit, të huaj e vendas. Ne jemi zotuar, që t’i qasemi këtij problemi me vullnetin që ta zgjidhim. Të kalojmë nga një periudhë barbarie, kur rimbursimi i TVSH-së ishte tërësisht subjektiv dhe korruptiv, në një periudhë të re, ku ai të bëhet automatikisht nëpërmjet thesarit, duke siguruar që, gjithkush të marrë atë që i takon dhe që shteti thjesht të bëjë kalimin automatik të kësaj të drejte, pa mundur më që të abuzojë me këtë të drejtë, për të gjitha ato arsye të mosarsyes, që ka abuzuar gjithë këto vite”, shtoi më tej Rama.
“Faturat e papaguara nga shteti, për shërbime të kryera dhe kontrata të nënshkruara më parë, janë po ashtu një problem i madh, i mbartur, gati-gati një vijë sjelljeje e kthyer në traditë, që na ka çuar në kushtet e një situate të rrezikshme për ekonominë tonë dhe për financat e vendit tonë, si ajo që gjetëm kur erdhëm në qeveri. Për këtë arsye, qysh në fillim jemi zotuar dhe kemi vendosur me ligj, që çdo pagesë nuk do të vonohet më shumë se sa dy muaj dhe, ndërkohë, shteti nuk do të angazhohet për parà që nuk i zotëron, siç ndodhte rëndom, që për një vepër që kushtonte miliona euro, shteti angazhohej mbi bazën e një plani euforik të ardhurash, dhe duke pasur në arkën e vet thjesht disa miliona lek të vjetra”, theksoi kryeministri Rama.