Kryeministri ka zgjedhur gazeten Dita per te dhene nje interviste lidhur me disa nga ceshtjet me pikante te koheve te fundit.
Çfarë po ndodh mes tij dhe Metës? Çfarë ka ndërmend të bëjë në shtator. Si i komenton zërat për qeverisje PS-PD. Pse i quan këto pushime më të zhurmshmet e jetës së tij. A do taksohen rrogat e ulëta? A do rriten taksat? A kanë dështuar sipas tij Dogana dhe Tatimet? Çfarë do ndodhë me krizën e RTSH-së. Pezmi me mediat dhe diçka për pilotin gjerman…
Megjithë ikjen me pushime të protagonistëve kryesorë, lajmet dhe problemet e aktualitetit politik ziejnë prapëseprapë në temperaturën e lartë të gushtit… Le ta nisim këtë bisedë nga lajmi më i fundit se qeveria juaj po përgatitet të vendosë taksa edhe për rrogat e ulëta nën 300 mijë lekë të vjetra. Donim t’ju pyesnim nëse pakënaqësia e shkaktuar nga ky lajm ka mbërritur deri këtu në Dhërmi, ku ju po kaloni pushimet tuaja më të heshtura?
Këto pushime janë në fakt më të zhurmshmet për mua. Sepse Zaho ka tanimë zërin e vet në kuvendin e shtëpisë sonë. Por, falë tij, janë padyshim edhe pushimet më premtuese për nga cilësia e shlodhjes, e merituar besoj pas një viti politik pa asnjë ditë pushim. Sepse “bashkëbisedimet” me Zahon e sidomos, larjet tona në det me të dhe cicërrimat e tij, kanë një magji të veçantë që më ka bërë të pushoj së cicërruari në Twitter si në gushtet e shkuara. Jo vetëm kaq në të vërtetë, besoj se edhe njerëzit meritojnë të kenë pushimin e tyre në raport me fytyrën e me zërin tim apo jo?!
Sidoqoftë, unë marr çdo mëngjes dhe darkë përmbledhjen e lajmeve e të punëve të ditës. Aty shoh se vapa e madhe dhe nevoja për të ngacmuar vëmendjen e klientelës së shpërqëndruar prej pushimeve, ka ndikuar shumë në rritjen e mosvëmendjes karakteristike të medias ndaj të vërtetës dhe detyrës për t’i shërbyer me etikë profesionale publikut.
Dhe ja, e vërteta në këtë rast është se jo, nuk ka asnjë përgatitje të qeverisë për të taksuar pagat e ulëta! Mostaksimi i pagës nga 300 mijë lekë të vjetra e poshtë është një zotim i mbajtur në kuadrin e alternativës sonë fituese të taksimit të ndershëm në vend të taksimit të sheshtë.
Kështu që ky i taksimit të pagave të ulëta ishte një alarm fals, me një referencë krejtësisht jozyrtare, siç ndodh hera – herës kur letra të rëndomta pune të kontabilistëve të ministrisë së financave, “kontrabandohen” nëpër media si zbulime mbi politikat “hileqare” fiskale të qeverisë. Po nejse, “ka edhe më keq, ka edhe keq e mos më keq”, siç thuhet se thoshin plakat dhe siç me siguri do të thoshin po t’i pyesja se si, fjala vjen, mundi të sajonte gazeta juaj tërë atë titull të madh gushti, me një helikopter gjerman që e ula unë përtokë ngaqë prishi qetësinë mbi jahtin tim në Dhërmi(?)! E hodhët ju atë gur në lumin e informacionit dhe u turrën vrik konkurentët tuaj në treg, për ta nxjerrë e rishitur pa marrë as mundimin më të vogël për të verifikuar nëse ishte e vërtetë apo ishte vetëm një gënjeshtër me helikë të zhurshme për të tërhequr vëmendjen e konsumatorëve të lajmeve! Sa për jahtin, i vetmi jaht që kemi është komerdarja e Zahos ku ka vend vetëm për të, ndërkohë që ne bëjmë me radhë rolin e motorrit për ta shtyrë “jahtin” e tij në det…
Faleminderit për këtë përgjigje me kundërpërgjigje, por a nuk mendoni se do të kishte qenë më mirë një sqarim i menjëhershëm i publikut lidhur me taksimin e pagave të ulëta? Apo është më e lehtë që në vend të bëni sa më mirë punën tuaj, të merreni me sa keq e bëjmë ne punën tonë?
Publiku ynë, ndryshe nga çfarë beson shumica dërrmuese e njerëzve të medias e të politikës, nuk bën pjesë tek 100 të mençurit që zhyten në lumë për të nxjerrë gurin e radhës që hedh shejtanbudallai i radhës! Publiku ynë ka një shqisë shumë të zhvilluar politike. Ai i teston prej kohësh pulsin e jetës politike si edhe aktorët e saj, duke e relativizuar vijimësisht ndërmjetësimin e medias dhe duke i vlerësuar ngjarjet, faktet, qeverinë e opozitën, me një distancë dhe objektivitet shumë më të admirueshëm se sa ndërmjetësuesit mediatikë mes politikës e opinionit. Ja për shembull, këta të fundit, që nga i pari deri tek i fundit në fakt, përfshirë edhe ju vetë, mendonin me zë të lartë se reforma e energiisë dhe dora e hekurt kundër vjedhësve të korentit do t’i kushtonin qeverisë lëkurën në zgjedhjet vendore! Por, në të vërtetë, qeveria mori notën e vet më të lartë në vlerësimin publik pikërisht për atë reformë dhe për atë vijë të ashpër sjelljeje që ndoqi në zbatimin e masave të imponuara prej asaj reforme. Pa reformën e energjisë dhe masat që e jetësojnë atë, dhe po njësoj, pa reformat e tjera aq të kontestuara nga minoranca kujitëse, ne nuk do t’i kishim fituar aq thellë zgjedhjet e 21 qershorit të shkuar. Sa për të marrurit tim me punën tuaj, më mirë mos e zgjerojmë bisedën!
Jo, s’mund të jem dakord, sepse më duket se sidoqoftë nuk i’u përgjigjët drejtëpërdrejtë pyetjes zoti kryeministër. Folët për punën e medias, temë që dihet botërisht se e keni për zemër! Por pyetja ishte lidhur me punën sqaruese që qeveria mund të bënte për publikun në rastin konkret. Pra pa e lënë publikun në errësirën e një të pavërtete të radhës siç e quajtët ju lajmin e vendosjes së një takse të re për pagat e ulëta…
Unë kam shumë respekt për publikun dhe opinionin e tij. Madje pretendoj se e respektoj publikun më shumë se sa e respektojnë pjesa dërrmuese e medias dhe e komentatorëve. Të cilët pozojnë kryelartë nëpër ekrane e nëpër faqe të shkruara, mbrojtësin e interesave të publikut po në fakt, prioritet kanë garën e tërheqjes së vëmendjes mbi veten me çdo çmim – qoftë ky çmim edhe gënjeshtra që bën lajm. Ashtu sikundër, padyshim, unë respektoj pa kushte qoftë të drejtën e komentatorëve për të thënë çfarë të duan, qoftë të drejtën e botuesve e të redaktorëve për t’u sjellë me publikun si të duan. Por askush ama nuk ma heq dot mua të drejtën që të kem opinionin tim për median e komentatorët, dhe ta shpreh këtë me zë të lartë kur e shoh të arsyeshme!
Më anë tjetër, unë nuk besoj se qeveria duhet të komentojë lajmet që jepni ju, apo të përgënjeshtrojë informacionet e rreme që prodhon përditë tezga e tregut mediatik. Jo vetëm sepse kjo do ta linte qeverinë pa asnjë punë tjetër, pasi janë të shumta lajmet dhe gënjeshtrat e shitura nga media si informacione apo zbulime të pavarura, po sepse qeveria nuk ka për detyrë të bëjë korrigjimin e punës suaj. E cila parimin e vet themelor – të shkelur themelisht çdo ditë prej shumicës dërrmuese të makinerive mediatike – ka konfirmimin ose jo të informacionit nga të paktën dy burime. Ju siguroj me përgjegjësi të plotë se në 99% të rasteve, për lajmet apo faktet që nxirren, merren apo sajohen, nga të ashtuquajturat burime brenda qeverisë, redaksitë apo komentatorët nuk e marrin hiç mundimin të kërkojnë qëndrimin zyrtar të qeverisë. Lëre më pastaj ta publikojnë edhe atë qëndrim, krahas “zbulimit” të tyre! Shkelja e këtij parimi kaq elementar të funksionimit të medias, riprodhon çdo ditë një barbari mediatike që s’ka asgjë të përbashkët me cilësinë e jetës demokratike që duhet të ushqejë liria e medias.
Por, tekefundit dhe shumë fatmirësisht, shqisa mjaft e zhvilluar politike e ndihmon publikun tonë ta ndajë, pa ndonjëmundim të madh, djathin e pakët nga sapuni i shumtë, të cilin shumëkënd në tregun e medias e gënjen mendja se arrin t’ia shesë publikut për djathë.
Dakord zoti kryeministër, le të ndërrojmë temë atëherë, sepse nuk është e pamundur, po është thjesht e kotë, jo sot po prej vitesh, që të përpiqesh të bindësh Edi Ramën të mos merret me mediat!…
Jo jo, mbase është thjesht e pamundur që ju të kuptoni se gjithkush që s’është ju, përfshirë edhe mua, dje kryetar i opozitës sot kryeministër i vendit, ka të drejtën të ketë një opinion lidhur me punën tuaj. Por, thënë kjo, lejomëni t’ju kujtoj se po bëhen dy vjet që as kryeministri i Shqipërisë dhe as ndonjë ministër, nuk kanë nxjerrë një gjysmë llafi për të sulmuar në publik ndonjë media apo ndonjë gazetar – kjo ndodhte rëndom deri dje apo ajo?! Gjithashtu, nuk del dot një media apo një gazetar i vetëm që të pretendojë, me faktin më të vogël, se presionet rutinë të qeverisë së shkuar mbi pronarët e mediave nuk kanë marrë fund plotësisht. Besoj se edhe kjo flet më shumë se fjalët apo jo?!
Kjo mund të jetë e vërtetë, po mbase nga ana tjetër kanë të drejtë ata që thonë se ju jeni një usta i vjetër në joshjen e mediave… Apo edhe ata i’a fusin kot?!
Mbase do të kishin të drejtë po të nxirrnin pas 23 qershorit 2013, qoftë edhe një faturë të vetme reklamash qeveritare – nga ato që qeveria e shkuar i kishte kapicë , për të lyer rrotën e montuar të makinerisë së saj propagandistike në ndonjë makineri mediatike private. Po as kjo nuk ka ndodhur. Prandaj vërtet le të ndërrojmë temë.
Edhe diçka të fundit në këtë temë: Si ka mundësi që prej dy vjetësh Radiotelevizioni publik është lënë në degradim të plotë dhe si do të zgjidhet ngërçi i moszgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm?
Për pjesën e parë të pyetjes do të duhej një përgjigje goxha e gjatë. Por këtu do të mjaftohem duke ju thënë se është qartësisht një gabim i yni që, nisur nga qëllimi i mirë për të gjetur konsensus me opozitën e painteresuar për të rilindur RTVSHnë, lejuam vijimin e një rrënimi të hatashëm pa bërë asgjë për ta rilindur RadioTelevizionin publik.
Për pjesën e dytë të pyetjes suaj, besoj se nuk duhet dhe nuk do të vazhdojmë të gabojmë. Shqiptarët të cilët prej 25 vjetësh i paguajnë çdo muaj, bashkë me faturën e tyre të dritave, edhe një taksë kufomës shtetërore me emrin RTVSH, kanë të drejtën të kenë më në fund median e tyre publike. Do të bëjmë edhe një përpjekje të fundit me opozitën dhe pastaj do të shohim. Po them se nuk do të presim përtej shtatorit.
Shtatori mesa duket paralajmëron shumë furtuna nga ato që ju keni për zemër zoti Kryeministër! Por përpara se sa të kalojmë tek furtuna e madhe e luftës kundër informalitetit apo ajo e shkundjes së shtetit përmes decentralizimit, të cilat ju keni deklaruar se do të nisin në shtator, lejomëni t’ju pyes nëse ju vetë i besoni zërat se do të ketë edhe një furtunë të parë brenda koalicionit? Më konkretisht një furtunë të mbjellë gjatë zgjedhjeve të qershorit për të cilat LSI nuk e ka fshehur nervozizmin ndaj PS…
Ka jo pak njerëz sot në opozitë që e ëndërrojnë një furtunë të kësaj natyre. Por nuk mungojnë as njerëz brenda vetë koalicionit që e dëshirojnë diçka të tillë. Për arsye të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë përgjithësisht pakënaqësirat personale.
Nuk ka asgjë të panatyrshme sidoqoftë në këtë ëndërr të opozitarëve ose dëshirë të disa shokëve në partitë e ndryshme të koalicionit, përfshirë edhe PS apo LSI.
Por ka një problem vështirësisht të kapërcyeshëm për ëndrrën a dëshirat e tyre. Ky është fakti se koalicioni ka funksionuar më së miri në funksion të reformave reale dhe ky është, në fund të fundit, elementi themelor që e bën të suksesshëm e të dobishëm për vendin koalicionin tonë. Çka do të thotë se furtuna e pritshme në këtë drejtim mund të ndodhë vetëm në gota të ndryshme.
Në Pogradec nuk po betohet dot ende kryetari i ri i bashkisë zoti Kryeministër, apo vazhdon pazari i Roskovecit?
Mirë e kujtuat për të mbështetur tezën e furtunës, s’kam ç’them, po besomëni, është tipikisht një furtunë krejt kalimtare në gotën e politikës lokale. E cila s’ka gjasë të ngrejë dallgë të vërteta as në liqenin e atij qyteti dhe jo më të influencojë kursin politik të shumicës që qeveris Shqipërinë!
Troç muhabeti zoti Kryeministër, si janë marrëdhëniet mes PS e LSI dhe jush e zotit Meta?
Troç muhabeti zoti kryeredaktor, unë nuk e di se çfarë mund të pritet më shumë nga një marrëdhënie partneriteti, e cila në zgjedhjet vendore riprodhoi mbështetjen e 1 milionë votave të zgjedhjeve politike të dy viteve më parë!
E të mos harrojmë, rikonfirmuam kufirin historik të 1 milionë votave me pjesëmarrjen më të lartë në një palë zgjedhje vendore njëzet e pesë vitet e fundit, pas një periudhe të parë qeverisëse me aq shumë problem të rënda të trashëguara dhe reforma të munguara njëzet e kusur vite me radhë.
Ndërsa mes meje dhe bashkëkryetarit të koalicionit, marrëdhëniet reflektojnë të dyja anët e medaljes së bashkëjetesës në këtë koalicion. Nga njëra anë bindjen e përforcuar nga suksesi i zgjedhjeve vendore, se ky partneritet është strategjik jo vetëm për të dyja partitë tona po për Shqipërinë në radhë të parë; dhe nga ana tjetër, edhe shqetësimet reale të secilit prej nesh, për t’iu përgjigjur sa më mirë pritshmërisë së lartë të publikut ndaj qeverisë e shumicës sonë qeverisëse, të cilat kanë nevojë vijimësisht për nxitje të mëtejshme dhe korrigjime të vazhdueshme.
Kush ëndërron apo dëshiron furtunë mes PS-së dhe LSI-së ose, konkretisht, mes meje e Ilir Metës, duke e bërë çdo qime tra me forcën e dëshpëruar të pakënaqësisë vetjake, kam përshtypjen se do të duhet të presë më shumë se një shtator.
-Mbase do të jetë kështu, po ndërkohë ndonjë media ka arritur deri në pikën që të paralajmërojë një përmbysje të madhe të konfiguracionit të sotëm politik, duke përcjellë informacionin e burimeve të rezervuara brenda kampit tuaj për një skenar të ri koalicioni të madh PS – PD! A e parafytyroni ju si të mundshme diçka të tillë?
Ah po, të famshmet “burime të rezervuara” brenda kampit tonë të ndonjë medieje që, në fakt, bën rëndom korrierin e atyre që e ëndërrojnë apo dëshirojnë më kot furtunën. Ose, pse jo, edhe të ndokujt që hyn gjysmë padashje në vallen e thashethemeve të avullta të kësaj vape të madhe dhe teston, përmes ndonjë gazete, pulsin e llogores së gjatë të koalicionit. Nejse, të mos humbasi kohë me këto dokrra gushti dhe pse pushimet na e justifikojnë këtë lloj bashkëbisedimi!
Për mua personalisht skenari për një koalicion të madh PS – PD është po aq i mundur sa ç’do të ishte e mundur që Bollywood-i të xhironte versionin indian të Pretty Woman dhe, në vend të Julia Roberts të zgjidhte Lulin, ndërsa në vend të Richard Geere të merrte Kastriot Islamin. Madje edhe sikur për një moment të mendonim se, Luli dhe Kaçi, mund të jepnin dakordësinë për ta risjellë në ekran atë histori të beftë dashurie, është e pamendueshme qoftë edhe për një moment të vetëm, që PS dhe PD të qeverisnin bashkë në këtë periudhë të historisë sonë.
Po si mund të përjashtohet në mënyrë kaq kategorikisht shpotitëse bashkëpunimi mes dy partive të mëdha të vendit?
Absolutisht jo! Çka unë përjashtoj kategorikisht është bashkëqeverisja, jo bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës. Nëse do të kishte vullnet nga opozita, konkretisht nga Partia Demokratike, për të bashkëpunuar me qeverinë për çështje që janë përtej llogoreve të patjetërsueshme partiake, unë kam qenë e jam gjithmonë gati. Kam qenë gati kur isha në krye të opozitës, jam gati edhe sot që jam në krye të qeverisë. Sepse kam besuar dhe besoj që partitë nuk fitojnë më shumë vota duke hapur zjarr ndaj njëra – tjetrës për çështje që janë reciprokisht të rëndësishme përtej vijës së zjarrit mes tyre. Çështjet e shtetndërtimit në kushtet e Shqipërisë, janë bartur e kthyer në barrë penguese për vite të tëra pikërisht sepse partitë kanë kujtuar, fare gabimisht, se mund të nxirrnin përfitime duke fajësuar njëratjetrën për moszgjidhjen e tyre.
Kështu thoshte edhe paraardhësi juaj, megjithëse me fjalë të tjera. Për shembull ai thoshte “çështjet e përbashkëta të integrimit”, ju thoni “çështjet e mprehta të “shtetndërtimit”, po asgjë s’ka ndryshuar përveç roleve! Dje ai i binte gozhdës ju patkoit, sot gozhdën e keni ju dhe patkoi i ka mbetur kryetarit të ri të PDsë…
E vërtetë dhe e dini pse? Sepse nuk ka ndryshuar as Partia Demokratike dhe as lideri i saj. Vinin kushte dje, vënë kushte sot dhe dialog e bashkëpunim përtej vijës së zjarrit s’ka si të ketë! Ndërsa kryetari i ri i PDsë, ka qenë dhe mbetet zëdhënësi i bindur i të njëjtës filozofi të vjetër drejtuese në PD. Kjo sa për t’ju sqaruar juve, sepse mua, ndryshe nga Saliu që e hante shumë meraku për mbarëvajtjen e punëve në PS, nuk më ha aspak meraku se sa keq shkojnë punët në PD! E gjithë periudha pas ikjes pa largim të Saliut, ka treguar deri këtu se Partia Demokratike është e destinuar të rrënohet njësoj si Saliu – i cili më kujton atë shprehjen, “Jep shpirt po nuk heq dorë!”, dhe të vetëneutralizohet plotësisht bashkë me të, duke krijuar një boshllëk gjithnjë e më të madh në kampin opozitar. Nuk them dot se në drejtimin që po flasim, s’i kemi bërë edhe ne gabimet tona kur ishim në opozitë. I kemi bërë po! Por ama kemi bërë edhe më shumë se sa një orvatje, për të dialoguar dhe kapëcyer vijën e zjarrit lidhur me çështjet e shtetndërtimit apo me probleme të nxehta që e kanë penguar Shqipërinë të lëvizë më shpejt. Jemi orvatur po ashtu më shumë se sa një herë edhe qyshse jemi në qeveri. Unë vetë i jam drejtuar zyrtarisht me letër kryetarit të ri për ta çelur një shteg bashkëpunimi në interesin reciprok të vendit. Mirëpo ka qenë PDja dje dhe është PDja sot, që çdo ide dialogu për reformat e shtetndërtimit (kujtoj fjala vjen “Territorialen” dhe “Drejtësinë”) e kushtëzon me ekzigjencat e llogores së saj.
A mos jeni shumë cinik me liderin e ri të PD që institucionalisht është në fund të fundit interlokutori juaj në marrëdhëniet mes qeverisë e opozitës?
Kurrësesi s’jam cinik, jam thjesht realist. Dhe edhe njëherë, më duhet t’ju korrigjoj, Lulëzim Basha është kryetari i ri, ndërsa lideri i PD është ai që ka qenë qysh në ditën e themelimit të saj. I vjetri dhe i papërsëritshmi në llojin e vet, Sali Berisha! E të mos e kesh kuptuar se Saliu është i papërsëritshëm në llojin e tij dhe e papërsëritshme është rruga e sundimit të tij politik në PD, dhe ta drejtosh PD-në njësoj si Saliu duke qenë dikush krejt tjetër e jo ai vetë, do të thotë jo vetëm të mos kesh kuptuar punën që të kanë ngarkuar, po të mos kesh arritur akoma të kuptosh as ç’tu desh ajo punë!
Le të rikthehemi tek ekonomia zoti kryeministër. Rënia e të ardhurave në dogana e tatime është kthyer në kalë beteje për opozitën. PD akuzon përditë se “çifti RamaMeta dhe sejmenët tuaj kanë vjedhur deri tani 160 milionë dollarë nga doganat e tatimet”! Ku kanë vajtur paratë zoti Rama?
Është humbje kohe të vraposh pas kuajve të betejave të opozitës, njëri më i hazdisur se tjetri në dukje po thjesht njëri më i ngordhur se tjetri në të vërtetë. Prandaj le të merremi me të vërtetën jo me kalin e ngordhur të betejës propagandistike të radhës së PD-së.
Eshtë e vërtetë, krahasuar me planin tonë ambicioz (jo me kohën kur qeverisnin ata, sepse s’ka asnjë krahasim), të ardhurat kanë qenë më të ulëta. Por analiza tejet profesionale që ne kemi kryer, edhe me ndihmën e FMNsë si dhe po ashtu, të ekspertizës së lartë profesionale të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit, na tregon se djalli vërtet nuk është aq i zi sa duket! Nuk është vendi i duhur për të shtjelluar këtu të tërë analizën sigurisht. Por mund t’ju jap disa të dhëna shumë të përmbedhura, të cilat në kuadrin e një sërë aspektesh të zhvillimeve ekonomike e financiare të këtyre 20 muajve, do ta ndihmojnë lexuesin të kuptojë jo se sa shumë shpif opozita, kjo dihet, po se sa e paaftë është për të vrojtuar e kuptuar fenomenet.
Janë në fakt tre fenomene që e shpjegojnë devijimin me ulje të grafikut të planit të të ardhurave.
Së pari, rënia e çmimeve të naftës e të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, e cila vetëm deri në fund të majit e ka impaktuar negativisht planin tonë me rreth 35 milionë dollar. Ky impakt ka vijuar edhe në muajt në vazhdim, por analiza e fenomeneve ndikuese është bërë mbi pesëmujorin e parë. Rënia e normave të interesit, e cila nënvizoj se për ekonominë është diçka pozitive, ka patur gjithashtu një impakt negativ mbi planin. Më tej akoma, ekonomia u rrit në tremujorin sipas parashikimeve (2.8%), por inflacioni ishte nën parashikimet, çka gjithashtu është pozitive për ekonominë, por edhe ky fakt ka impaktin e vet negativ mbi planin e të ardhurave. Të gjitha këto që rendita përbëjnë rreth 1/3ën e shumës së “vjedhur”.
Së dyti, janë dy elementë të tjerë që i shtohen radhës së të mëparshmëve. Nga njëra anë, modernizimi i sistemit të rimbursimit të TVSHsë sipas praktikës së mirë ndërkombëtare dhe praktikës së BEsë gjithashtu, ka një efekt të përkohshëm në rënien e të ardhurave. Ky ndryshim rrënjësor i praktikës së rimbursimit të TVSHsë, ka mbyllur rrugën e vjetër të realizimit të të ardhurave përmes mbajtjes arbitrare të TVSHsë nga shteti në dëm të kompanive.
Nga ana tjetër, ne ndryshuam kohën e mbledhjes së taksës së qarkullimit, nga fundi i muajit në gjysmën e muajit tjetër, dhe edhe kjo ka dhënë një efekt zbritës të përkohshëm. Së bashku, këta dy elementë përbëjnë një shumë përafërsisht të barabartë me një 1/3të tjetër të shumës së “vjedhur”.
Një tjetër element me rëndësi që i shpjegon gjërat ndryshe nga si duken në pamjen e parë, është i lidhur me faktin që vërtetë ne importuam shumë më pak energji e naftë se sa çfarë kishim parashikuar dhe kjo ndikoi në rënien e të ardhurave nga doganat. Mirëpo, nga njëra anë mirqeverisja e sektorit të prodhimit e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe nga ana tjetër rritja e pazakonshme e prodhimit të naftës së përpunuar në vend, janë po ashtu rezultate inkurajuese shumë pozitive për ekonominë. Ashtu sikundër, politikat tona për të nxitur modelin e ri ekonomik të mbështetur tek aktiviteti prodhues, ku spikat heqja e TVSHsë së importit të makinerive, është po ashtu një element që i shpjegon gjërat ndryshe nga sa duken në pamjen e parë. Lidhur me temën që po diskutojmë, kjo do të thotë përsëri se kemi marrë më pak të ardhura në buxhet nga importi i makinerive, po e kemi mbështetur shumë më tepër ekonominë përmes rritjes së konsiderueshme të volumit të këtij importi.
Së treti, rritja e qëllimshme e akcizës së duhanit për të dekurajuar konsumin e tij dëmtues për shëndetin, ka reflektuar ndjeshëm në rënie të ardhurash. Por e pranoj se në këtë fenomen të tretë kemi nevojë sidoqoftë të shkojmë përtej konstatimit “ngushëllues”. Sepse përtej të vërtetës që nga njëra anë, kompanitë rendën të krijojnë një stok të konsiderueshëm përpara hyrjes në fuqi të akcizës, dhe nga ana tjetër ka një tendencë rritjeje të prodhimit informal vendas, çështja e duhanit mbetet ende e paadresuar si duhet. Kjo e fundit sigurisht nuk është pozitive dhe kemi marrë masat e para për të korrigjuar qasjen e shtetit në këtë drejtim.
E pra, siç mund ta shihni edhe vetë, edhe pse shumë shkurt, kjo pasqyrë analitike e situatës së të ardhurave tregon qartë një pamje shumë të ndryshme e komplekse në raport me shifrën e “vjedhur”.
Domethënë edhe kjo blozë e opozitës na qenka rozë e qeverisë zoti kryeministër?!
Rozë nuk është më as flamuri i PS-së që ka marrë ngjyrën vjollcë të Rilindjes, e jo më realiteti i ekonomisë shqiptare apo, po të doni, edhe më konkretisht gjendja e doganave dhe e tatimeve të Shqipërisë; institucione që janë vënë në lëvizje në drejtimin e duhur vetëm prej njëzet muajsh, por që kanë një të kaluar aq të rëndë, me tarbiate e vijë tradicionale sjelljeje aq për faqe të zezë, të cilat nuk është një llaf goje të fshihen e zëvendësohen me praktikën e mirë të sjelljes etike dhe profesionale!
Jo jo, asgjë s’është rozë, ka jashtëzakonisht shumë më shumë për të bërë që trupat e këtyre dy institucioneve kyç, të zhvishen përgjithnjë nga lëkura e vjetër e çetave të pushtetit dhe të kthehen në trupa profesionistësh europianë. Por padyshim, edhe falë ndryshimeve reale të misionit, qasjes e sjelljes së këtyre institucioneve, sot sipërmarrja ndjehet shumë më mirë se para 20 muajsh. E po ashtu edhe shteti ngjan shumë më shumë me shtetin se sa me Çetën Plakë të pushtetit që e rrënoi si s’ka më keq Shqipërinë deri në 23 qershor 2013.
Mbase zoti kryeministër po pyetja e radhës është shumë e thjeshtë: Mirë ekonomia paska nxjerrë disa të mira nga rënia e të ardhurave, po arka e shtetit me se do mbushet dhe investimet publike me ç’para do rriten? Apo do rrisni përsëri taksat siç kërkon FMNja dhe siç nuk duan në asnjë mënyrë shqiptarët që i paguajnë ato?
Pyetja e radhës është padyshim shumë e thjeshtë. Edhe përgjigja e radhës, të paktën me fjalë, është edhe ajo shumë e thjeshtë: Nëse duam më shumë para për arkën e shtetit, nuk duhet të rrisim taksat për shqiptarët që i paguajnë ato, po duhet të nxjerrim shkopin e ligjit për të shkundur thasët e atyre që nuk paguajnë fare dhe të atyre nuk paguajnë atë që u takon! Dhe do ta bëjmë këtë me vullnetin e hekurt të një qeverie që ka treguar se e ka seriozisht ndërtimin e shtetit modern shqiptar.