Qeveria ka miratuar një vendim sipas të cilit ulen shpenzimet për transportin e deputetëve, zv.ministrave dhe drejtorëve të enteve rregullatore duke kursyer 165 milionë lekë në vit. Nuk preken ministrat dhe krerët e institucioneve Kushtetuese.
Kryetari i mazhorancës së majtë njëherësh kryeministër i vendit po mban premtimin elektoral për një lehtësim të shpenzimeve për shërbimet të zyrtarëve të lartë të shtetit. Në këtë mënyrë shpenzimet e transportit për funsionarët e lartë, një ndër elementët ku është shënuar një tarifë e lartë shpenzimi ka qënë “viktima” e parë e qeverisë së re, duke kursyer miliona lekë në viti, të cilat do të përdoren në sektorë të tjerë shërbimesh në favor të qytetarit. Kështu, një ndër vendimet e para të qeverise “Rama” me ndikim në buxhetin e shtetit ka qënë ai për uljen drastike të shpenzimeve të transportit për funksionarët publikë si dhe nëpunësit civil.
Ky shkurtim shpenzimesh është përfshirë në një projektligj të qeverisë që ka si qëllim disiplinimin e shpenzimeve të transportit për një sërë funksionarësh që konsiderohen të kategorisë së dytë. Sipas këtij projektligji çdo deputet, pavarësisht largësisë nga zona e tij elektorale, nuk do të shpenzojë më shumë se 40 mijë lekë në muaj për transportin e tij, nga rreth 45 mijë lekë që ishte limiti më parë. Ndërsa funksionarët e tjerë, këtë kufi do ta kenë 20 mijë lekë nga 35 mijë që e kanë aktualisht. Ndërkohë që zv.ministrat do të kenë një kuotë për shpenzime transportit që nuk i kalon të 15 mijë lekët në muaj.
Në këtë dokument nuk përfshihen ministrat, kryetari i Kuvendit apo krerët e institucioneve kushtetuese, si Kryeprokurori, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve etj, të cilat quhen dhe funksione të kategorisë së parë. Në total shkurtimi i shpenzimeve për transportin për funksione të tilla, kanë një efekt vjetor prej 165 milionë lekë të reja. Ky vendim pritet të nisë efektet pas hyrjes në fuqi në fletoren zyrtare, dhe duke pasur parasysh se është miratuar në qeveri por do të kalojë nëpër komisione dhe më pas në Kuvend, i bie të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.
Por shkurtimet e shpenzimeve nga ana e qeveritarëve tanë kanë nisur që në vitin 2009, kur kryeministri Berisha vendosi heqjen e makinave dhe shoferëve për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Sipas llogaritjeve të qeverisë së asaj kohe një deputet i kushtonte buxhetit me makinën mirëmbajtjen dhe shoferin 19 mijë dollarë në vit, dhe me vendimin e qeverisë shkurtoheshin shumë shpenzimet e këtij lloji.
PERJASHTIMI
“S’përfshihen ministrat, kreu i Kuvendit, krerët e institucioneve kushtetuese, si Kryeprokurori, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve etj, që quhen funksione të kategorisë së parë”.
SHKURTIMET E SHPENZIMEVE PËR INSTITUCIONET NË MUAJ
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë 40 mijë lekë
Kryetari Autoritetit të Mbikqyerjes Financiare 20 mijë lekë
Kryetari i Autoriteti i Konkurrences 20 mijë lekë
Kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale 20 mijë lekë
Kryetari i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi 20 mijë lekë
Kryetari i Shërbimit Civil 20 mijë lekë
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit 20 mijë lekë
Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike 20 mijë lekë
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë 20 mijë lekë
kryetari i Entit Rregullator të Furnizimit me Ujë 20 mijë lekë
Kryetar i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurisë 20 mijë lekë
Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve 20 mijë lekë
Zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë20 mijë lekë
Kryetari i Agjencisë së Trajtimit të Ujrave e pyjeve 20 mijë lekë
Zv.ministrat e qeverisë 15 mijë lekë