TIRANË-Vendimi për rritjen e pensioneve është shoqëruar edhe me rritjen e detyrimeve për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore. Qeveria ka rritur nivelin e pagës minimale mujore mbi të cilën përllogariten edhe Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore duke sjellë në mënyrë automatike rritje të këtyre detyrimeve.
Nëse sipas vendimit të vjetor, paga minimale mbi të cilën llogariteshin këto detyrim ishte 16 120 lekë, tashmë ajo ka shkuar në 16 820 lekë duke pësuar një rritje pre 700 lekësh. Në kuadër të këtij ndryshimi, automatikisht pëson rritje edhe masa minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit duke shkuar nga 4 497 lekë në total për muaj në 4 693 lekë në muaj.
Sipas këtij ndryshimi, shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, do të jetë 7 për qind e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 177 lekë.
Ndërkohë, ata që janë të vetëpunësuar apo që kanë punësuar një person tjetër duke filluar nga data 1 Korrik duhet të paguajnë një kontribut të detyrueshëm për Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore në masën 30 për qind, nga të cilat 23 për qind janë Sigurime Shoqërore dhe 7 për qind janë Sigurim Shëndetësor.
Kjo përqindje përllogaritet mbi pagën mujore minimale prej 16 820 lekë, e cila korrespondon me 5 046 lekë. Të njëjtën shumë paguajnë edhe ata që janë të punësuar të cilët kanë familjarë nën 16 vjeç që nuk trajtohen me pagë.
Ndërkaq, personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, nga data 1.7.2010 e në vazhdim, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1 440 lekë.
Po ashtu, ata që janë mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, e që nuk janë të punësuar diku tjetër, duke filluar nga 1.7.2010 e në vazhdim, të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 16 820 lekë.
Për sa i përket atyre që konsiderohen si të vetëpunësuar në bujqësi, masa e kontributit vjetor për Sigurimet Shoqërore që do të derdhet nuk do të jetë më 14 400 lekë por 17 280 lekë duke pësuar një rritje rreth 2 900 lekë.
Nga kjo kategori bëjnë përjashtim ata që jetojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 11 232 lekë. Ndërkohë, kontributi i detyrueshëm për Sigurimet Shoqërore, për punëtorët e shtëpisë do të jetë 1 440 lekë në muaj.