Një tjetër avion malajzian, i kompanisë “Malaysia Airlines” MH17 pëson fatin e keq, duke shënuar një tjetër tragjedi, me vdekjen e të 298 pasagjerëve që udhëtonin në avionin Boeing 777.
Avioni është rrëzuar në Ukrainë, në afërsi të kufirit me Rusinë 40 km në lindje të Donetskut, zonë luftimesh në Ukrainën lindore dhe sipas mediave ndërkombëtare është qëlluar me raketë tokë-ajër.
Avioni tip Boeing 777 ishte nisur nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit, ndërsa 283 pasagjerët në bord dhe 15 anëtarët e ekuipazhit kanë gjetur vdekjen në aksident.
Anton Herashchenko, këshilltar i Ministrit të brendshëm të Ukrainës, tha për Associated Press se avioni ishte goditur nga një raketë në një lartësi prej 10.000 metrash.
Avioni u zhduk nga radarët kur ishte në kuotën e 10 mijë metrave dhe kompania “Malaysia Airlines” njoftoi se kishte humbur kontaktet me ekuipazhin e avionit. Një burim i Reuters shprehet se avioni u gjet duke u djegur në tokë, në pjesën lindore të Ukrainës, në afërsi të kufirit me Rusinë. Avioni pritej të hynte në hapësirën ajrore ruse në orën 17:20 sipas orës lokale, por kjo gjë nuk u arrit kurrë, shprehet një burim për agjensinë Reuters.
Ministria e Brendshme e Ukrainës deklaroi se avioni mund të jetë qëlluar gabimisht nga separatistët pro-rusë, nga një raketë tokë-ajër, tip Buk, të cilat fabrikohen në Rusi, në tentativë për të goditur një avion transporti ukrainas, i cili ndodhej pak pas avionit të “Malaysia Airlines”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi mohues i separatistëve prorusë të cilët nuk e kanë marrë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit. Andrei Purghin, zv/kryeministër i republikës së vetëshpallur të Donetskut argumentoi “pafajësinë” e separatistëve pro-rusë me faktin se nuk kanë në dispozicion armë të tilla që mund të qëllojnë avioni në lartësinë e 10 mijë metrave, pasi raketat që ata kanë mund të godasin deri në 5 milometra.
(Në foto: Avioni i kompanisë “Malaysia Airlines” MH17 duke bërë ngritjen në aeroportin e Schiphol në Holandë)
Kjo është tragjedia e dytë që ndodh për kompaninë “Malaysia Airlines” brenda pak muajsh. Në Mars fluturimi MH370 u zhduk me 239 persona në bord, pak pasi u nis nga Kuala Lumpur në kufi me Pekinin duke u përplasur në fund në Oqeanin Indian dhe ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij.
Obama: Tragjedi e tmerrshme, SHBA ndihmë në zbardhjen e ngjarjes
Shefi i Shtëpisë së Bardhë Barack Obama e ka cilësuar një tragjedi të tmerrshme rrëzimin e avionit të linjës “Malaysian Airlines” në lindje të Ukrainës.Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje të rëndë, presidenti amerikan ofroi ndihmën e SHBA-ve për të ndihmuar dhe për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie.
Gjendet kutia e zezë e avionit, separatistët rusë: Ekspertiza do bëhet në Moskë
Rreth orës 21:00 separatistët pro-rusë kanë arritur të gjejnë kutinë e zezë të avionit të rrëzuar në Ukrainë. Zv.kryeministri i republikës së vetshpallur të Donetsk, Audrey Purgin tha se ekspertiza e kutisë së zezë për të zbuluar shkaqet që çuan në një tragjedi, do të bëhet në Moskë. Ai thotë se rusia ka më shumë ekspertë të kualifikuar dhe të aftë për të zbuluar të vërtetën e kësaj tragjedie që mori jetën e 298 pasagjerëve të avionit malajzian.
Obama dhe Putin bisedë telefonike pas rrëzimit të avionit në Ukrainë
Shefi i Shtëpisë së Bardhë barrack Obama dhe president ii Rusisë, Vladimit Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike mes tyre, pas rrëzimit të avionit me 298 persona në bord. Në fakt, telefonata ishte e planifikuar për tensionet e fundit dhe lidhur me ashpërsimin e sanksioneve ndaj rusëve. Putin e ka informuar Obamën për rrëzimin e avionit, lidhur me cfarë kanë thënë kontrollorët ajrorë rusë. Sakaq, Obama është shprehur se i ka dhënë direktiva stafit të tij për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Ukrainës.
Në bordin e avioni malajzian edhe 23 shtetas amerikanë
Në bordin e avionit malajzian udhëtonin dhe 23 amerikanë, shumë shtetas europianë dhe malajzianë. Këtë fakt e bëjnë të ditur mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ashton: Hetim ndërkombëtar rrëzimit të avionit në Ukrainë
Për Bashkimin Euripoan rrëzimi i avioni malajzian në territorin ukrainas, duhet të hetohet ndërkombëtarisht. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton tha se nuk duhet humbur kohë në zbardhjen e rrethanave të rrëzimit të avionit, që shkaktoi vdekjen e të gjithë pasagjerëve.
Poroshenko: Nuk përjashtohet mundësia që të jetë qëlluar
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko pas ngjarjes tragjke të rrëzimit të avioni malajzian në territorin ukrainas, tha se nuk përjashtohet mundësia që avioni i të jetë qëlluar me raketa, por sipas tij, jo prej forcave ukrainase. Ky është rasti i tretë tragjik brenda pak ditësh, pas rrëzimit të avionëve An-26 dhe Su-25 të forcave ukrainase që janë sulmuar e më pas rrëzuar në territorin rus.
Kryeministri malajzian: Hetime të menjëhershme
Kryeministri malajzian Najib Razak bëri të ditur se Malajzia do të nisë menjëherë hetimet lidhur me rrëzimin e avionit të “Malaysia Airlines” në lindje të Ukrainës.