Qëllohet me katër plumba biznesmeni, pronar i të paktën dy lokaleve në Tiranë. Lulzim (Luan) Koka, 38 vjeç, nga Berati, njëherësh drejtor në një firmë inertesh, u qëllua me armë mbrëmjen e djeshme kur ndodhej në një lokal pranë Gardës së Republikës në Tiranë. Atentati ndaj tij ndodhi rreth orës 20:00, në verandën e lokalit pranë Komandës së Gardës së Republikës. Biznesmeni në këtë kohë ishte ulur me dy miq të tij në barin poshtë pallatit ku ka vendbanimin. Policia tha se i plagosuri është me origjinë nga Berati, ndërsa një vëlla i tij është vrarë vite më parë. Lulzim (Luan) Koka, sipas mjekëve, vazhdon të jetë në rrezik për jetën, ndërsa ka dalë nga operacioni pas mesnate. Tre plumba e kanë goditur në pjesën e barkut, ndërsa një tjetër predhë i ka prekur shtyllën kurrizore. Autori i ngjarjes që ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku ndodhej Koka, është larguar në këmbë në drejtim të kodrave të Liqenit Artificial. Shërbimet e Policisë së Tiranës janë vënë në ndjekje të tij pa arritur ta ndalojnë. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se autori i krimit ka qëlluar 5 herë me një armë zjarri pistoletë, dyshohet tip “TT”, dhe një nga plumbat ka plagosur një punonjës të Gardës së Republikës, R. Rustemi, i cili ishte ulur në një tavolinë pranë biznesmenit Koka. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e Komisariatit Nr. 2, oficerë të Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë.
Hetimi
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar 5 gëzhoja pistolete, gjithashtu edhe kamerat e sigurisë së lokalit, nëpërmjet të cilave mund të bëhet i mundur identifikimi i autorit të ngjarjes. Nga policia janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë që ndodheshin në lokal dhe në rrugicën para tij. Grupi hetimor ka ngritur 3 pista kryesore që shpjegojnë deri diku motivet e krimit, edhe pse një prej pistave që lidhet me hakmarrjen është në qendër të hetimeve dhe më kryesorja. Burimet thanë se atentati mund të jetë kryer për hakmarrje, në lidhje me aktivitetit që i dëmtuari ka kryer në të shkuarën bashkë me vëllain e tij, i cili është vrarë rreth 13 vjet më parë.