Një aksion policor që nisi mëngjesin e 16 qershorit në fshatin e Lazaratit do të bënte bujë jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijve. Por, çfarë ndodhi në këtë operacion? Si arriti policia të hynte në fshatin që deri tani ishte konsideruar si i paprekshëm? Për të gjitha këto pyetje “Gazeta Shqiptare” ka mundur që të marrë në intervistë nëndrejtorin e Policisë së Shtetit, Altin Qaton, i cili ka qenë një ndër drejtuesit e forcave policore në terrenin e vështirë të Lazaratit.
Qato tregon për herë të parë planin se si policia ka mundur që të futet në fshatin e shumëpërfolur, sulmin që u është bërë nga grupi rebel, orët e vështira të operacionit, deri në momentin që policia ka mundur të futet në qendër të fshatit. I pyetur për vlerën e lekëve që kap e gjithë droga e sekuestruar në Lazarat, numri dy i Policisë së Shtetit sqaron se “duhet të kuptojmë se në bazë të cilit treg bëjmë llogaritë, nëse bëjmë llogaritë me tregun vendas i bie që një kilogram të shitet me 350 euro, ndërsa në Itali një gram shitet me 10 euro, kështu që shkon shumë”. Duke u nisur nga këto të dhëna, është e thjeshtë të bëhen llogaritë: 70 tonët e hashashit të kapur vlejnë në tregun europian, plot 700 milionë euro. Kjo shifër, vetëm po të llogarisësh hashashin e presuar të gatshëm për shitje. Nëse do të numërohen edhe mbi 130 mijë bimë hashashi, vlera shkon rreth 1 miliardë e gjysëm euro.
Z.Qato, kur ka nisur plani për t’u futur në Lazarat, që nga momenti që është ideuar dhe deri në momentin që policia u fut në këtë fshat?
Lazarati dihet që ka qenë zonë problematike dhe ne si drejtori e përgjithshme kemi qenë gjithmonë të vendosur që këtë vit ta heqim Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit. Lazarati nuk është zonë që nuk mund të kontrollohej, por për mungesë informacioni, policia nuk ka mundur dot që të bëjë të mundur kontrollin e kësaj zone. Kështu që plani është bërë në mënyrë të vazhdueshme, sepse ne kemi bërë një fushatë sensibilizuese, kemi bërë takime edhe me drejtues të pushtetit vendor, kryepleq, nga të gjitha nivelet, por duke parë që në zonën e Lazaratit, pavarësisht punës së mirë që ishte bërë, kishte shenja se do kultivohej, ne i kishim marrë masat paraprake dhe kishim bërë një plan operacioni. Kjo, pasi ne sivjet ishim të vendosur që do ndërhynim dhe nuk do linim asnjë zonë që të mbillej kanabis sativa.
A mund të themi se ndeshja e futbollit që është zhvilluar në Lazarat, ka shërbyer për marrjen e këtij informacioni?
Unë nuk kam qenë atë ditë dhe nuk jam shumë në dijeni, kush ka qenë pjesëtar në atë ndeshje. Por, ne kemi një projekt të policimit në komunitet dhe duhet të krijojmë kontakte të vazhdueshme me komunitetin. Pra, ne duhet të krijojmë marrëdhënie me komunitetin që të mund të marrim informacion, sepse edhe informacioni kështu merret. Këto kontakte janë bërë që të thyheshin pak ato konceptet që policia nuk hyn dot në Lazarat, policia nuk ka kontakte me banorët e kësaj zone.