Home Aktualitet Punonjesi i ISSH, milioner me pensionet e të vdekurve

Punonjesi i ISSH, milioner me pensionet e të vdekurve

592
0

pensionisteTiranë, 35-vjeçari vodhi paratë me emra fiktivë nga 1998.

Ka qëlluar punonjës i Institutit të Sigurimeve Shoqërore në kohën e krijimit të sistemit të dosjeve të pensionistëve dhe e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të fituar miliona lekë në mënyrë të paligjshme. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Lika, 35 vjeç, banues në Tiranë, i arrestuar tri ditë më parë me akuzën e “vjedhjes me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve”, ka arritur përfitime marramendëse me një skemë të rrallë abuzimi. “I arrestuari ka arritur të sigurojë të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kur punonte brenda institucionit dhe me ato të dhëna ka ndërtuar skemën e abuzimit edhe pas largimit nga puna. Me anë të falsifikimit të certifikatave, kartave të identitetit dhe pasaportave, ai ka arritur të tërheqë pension në emër të shtetasve që realisht kishin vdekur”, thanë burimet e Prokurorisë së Tiranës.

Linja e Antikrimit Ekonomik në këtë institucion, e cila po heton çështjen, ka zbuluar se në disa raste pensioni i personave të vdekur tërhiqej që nga viti 1998 e në vazhdim, sikur shtetasi të ishte gjallë. Për tërheqjen e parave, i vetmi që kishte dijeni ishte shtetasi Shpëtim Lika, 35 vjeç, dhe personat që ai dërgonte në sportele për tërheqjen e parave. Familja e pensionistit nuk dinte asgjë. “Nga hetimet ka rezultuar se duke qenë në dijeni të moshës dhe të dhënave të personave që merrnin pension, ishpunonjësi i Sigurimeve Shoqërore ka planifikuar gjithçka në detaje. Ai ka tërhequr paratë për persona që kishin përfituar pensione të zakonshme, por edhe pensione invaliditeti, që ishin në shuma më të mëdha sesa pagesa që merrnin të moshuarit e zakonshëm”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, me anë të certifikatave dhe kartave false të identitetit, ai dërgonte persona të pajtuar prej tij në sportele për të bërë tërheqjen e parave dhe më pas shumicën prej tyre i përfitonte vetë ai. Tri ditë më parë, bashkë me Shpëtim Likën, policia arrestoi edhe shtetasit Lumnije Dibra, 53 vjeçe, banuese në Tiranë, specialiste te Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë; Abaz Stafhasani, 69 vjeç, banues në Tiranë; Nexhat Nasufi, 68 vjeç, banues në Tiranë; Lirije Stafhasani, 58 vjeçe, banuese në Tiranë.

HETIMI PËR PASURINË
Verifikimet paraprake kanë zbuluar se ish-punonjësi i Sigurimeve Shoqërore ka qenë kreu i grupit të personave që vidhnin pensionet e të vdekurve. Burimet nga Prokuroria treguan dje se nga të dhënat e para dyshohet se ata kanë në pronësi troje, banesa, vila dhe automjete të shumta. “Nga të dhënat e hetimit dyshohet se për një person të vetëm që rezulton i vdekur, autorët e veprës penale kanë përfituar 100-122 mijë lekë të rinj në vit.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëritjetrin, kanë krijuar dhjetëra dosje pensionesh për persona të vdekur apo të krijuar fiktivisht, me qëllim përfitimin e tyre, ku vlera e pensionit mujor varionte nga 13 000 lekë në 18 000 lekë. Dosjet ishin plotësuar më vonë, koha e përfitimit të pensionit fillonte nga viti 1998, duke arritur kështu të përfitonin shuma të konsiderueshme”, kanë thënë burimet e Policisë. Sipas tyre, deri tani është verifikuar tërheqja e pensionit për 15-20 raste personash të vdekur nga viti 1998 e në vazhdim. Në total shuma e përfituar dyshohet se i kalon 400 mijë dollarët, ndonëse verifikimet vazhdojnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here