Home Aktualitet Policia kufitare: 258 mijë pushues të huaj më shumë se në 2009-ën

Policia kufitare: 258 mijë pushues të huaj më shumë se në 2009-ën

664
0

Këtë vit, pushuesit e huaj kanë kthyer “sytë” drejt bregdetit shqiptar. Policia e shtetit ka publikuar dje të dhënat e hyrje-daljeve në pikat e kalimin kufitar, ku ka bërë me dije se Shqipëria është vizituar nga më shumë se 258 mijë turistë të huaj më shumë se në 2009-ën, vetëm për harkun kohor 1 deri në 15 gusht 2010. Gjithashtu, sipas policisë, këtë sezon veror, numri i pushuesve që kanë zgjedhur Shqipërinë është dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Duket se pushuesit nuk janë ndikuar nga alarmet për ndotje të bregdetit në vend, por sërish kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Shqipëri.
Analiza
Megjithëse bregdeti shqiptar ka pasur probleme me ndotjen, e cila është konstatuar si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet shtetërore, sërish Shqipëria ka pasur një dyfishim të numrit të pushuesve, krahasuar me një vit më parë. Policia e Shtetit ka bërë publike dje, të dhënat e hyrje-daljeve në pikat e kalimit kufitare të vendit për periudhën 1-15 gusht 2010. Sipas policisë, nga data 1 deri në 15 gusht, në Shqipëri kanë hyrë 327.477 shtetas shqiptarë krahasuar me 336954 shtetas shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri në të njëjtën periudhë të vitit 2009.Ndërkohë, shtetas të huaj, në këtë periudhë në Shqipëri kanë hyrë 389528 krahasuar me 141179 shtetas të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në vitin 2009.
Sezoni turistik
Nga këto shifra vihet re se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë këtë vit në Shqipëri në sezonin e verës është dyfishuar ndërkohë që ka rënë numri i emigrantëve të kthyer në atdhe.
“Numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë për periudhën 1-15 gusht 2010 ka pësuar rritje të ndjeshme prej 258.349 shtetas më tepër krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, tha policia. Sipas saj, gjatë vitit 2009 në periudhën 1-15 gusht kanë hyrë në Shqipëri 468.133 shtetas ndërkohë që gjatë vitit 2010 në periudhën 1-15 gusht kanë hyrë në Shqipëri 717.005 shtetas. Për periudhën 1-15 gusht 2010, nga Shqipëria kanë dalë jashtë vendit 209.070 shtetas shqiptarë krahasuar me 146.231 në vitin 2009. Ndërkohë nga vendi kanë dalë 327.567 shtetas të huaj në pjesën e parë të gushtit 2010 krahasuar me 111.374 në vitin 2009.

327
mijë emigrantë janë kthyer këtë vit në atdhe nga data 1-15 gusht, shifër kjo, më e ulët se një vit më parë, ku numri i emigrantëve që ka vizituar Shqipërinë ka qenë afro 337 mijë.

258
mijë shtetas të huaj kanë vizituar këtë vit Shqipërinë nga data 1-15 gusht, duke shënuar një rritje të numrit të turistëve të huaj në vend, krahasuar me një vit më parë.

717
mijë shtetas kanë vizituar Shqipërinë nga data 1-15 gusht 2010, duke pësuar rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ku në Shqipëri kanë hyrë 468 mijë shtetas.
Durrës, plagos me armë dy persona, në kërkim autori

Dy persona u plagosën me armë zjarri mbrëmjen në orët e vona të së djelës Durrës. Policia tha se ka identifikuar autorin e ngjarjes dhe ka bërë shpalljen e tij në kërkim. Ngjarja ka ndodhur pranë shkollës 9 vjeçare “Hasan Koçi”, në lagjen periferike të Shkozetit. Pas një grindjeje për motive të dobëta, autori I krimit, i identifikuar nga policia, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur shtetasit M.N, 17 vjeç dhe 22 vjeçarin R.R.Policia tha se 17-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Durrësit, ndërsa 22-vjeçari R.R u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Dy personat e plagosur mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes.
Aksident hekurudhor në Golem, treni përplas 53-vjeçaren

Një kalimtare është aksidentuar dje paradite nga treni i mallrave i linjës Durrës-Elbasan. Ngjarja ndodhi rreth orës 9.30 pranë hotel “Belvederes”, 8 km në jug të Durrësit, në vendin e njohur si Shkëmbi i Kavajës. Sipas policisë 53-vjeçarja Gj. Milloshi, e cila po kalonte në anën tjetër të trasesë hekurudhore, është dëmtuar rëndë si pasojë e goditjes së trenit dhe është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit. Mjeket thonë se, gjendja e saj vazhdon të jetë kritike, për shkak të dëmtimeve të rënda të marra në trup. Grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet dhe ka bërë paraprakisht shoqërimin e makinistit deri në zbardhjen e plotë të aksidentit. Gjatë stinës së verës zona turistike Shkëmbi i Kavajës-Golem-Mali i Robit frekuentohet nga mijëra pushues, një pjesë e të cilëve nuk i shfrytëzojnë mbikalimet apo nënkalimet e pakta hekurudhore që janë ndërtuar në këtë segment.
Vrasja e adoleshentit në Durrës, përpilohet identikiti i autorit

Pas ekzekutimit në mes të Durrësit të 19-vjeçarit, Mario Curri, për motive hakmarrjeje, policia e qytetit bregdetar ka përpiluar identikitin e autorit. Nga veprimet e para hetimore si dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, e deklarimet e dëshmitarëve okularë të saj, rezulton se Mario Curri, është vrarë me armë zjarri pistoletë, nga një person ende i piadentifikuar i moshës rreth 30 vjeç. Sipas të dhënave që përshkruhen në identikitin e policisë autori i vrasjes kishte trup mesatar dhe i shëndoshë.
Autori e ka qëlluar viktimën me plumb në pjesën e pasme të kokës dhe është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes për t’i humbur gjurmët. Ngjarja ndodhi pesë ditë më parë, rreth orës 14.30 në sheshin “Pranvera” në Durrës, në vendndalimin e furgonave të qytetit. Policia ka nisur hetimin e ngjarjes, por ende autori i saj është i lirë. Nga të dhënat e policisë, vrasja e Mario Currit, lidhet me një vrasje të trefishtë të ndodhur në fund të janarit, ku gjetën vdekjen të vrarë në një lokal bastesh i ati i Marios, Luan Curri dhe i vëllai i tij, Ani Curri dhe një person i tretë. Sipas të gjitha gjasave, vrasja ka ndodhur për hakmarrje duke përmbyllur kështu një seri vrasjesh të anëtarëve të familjes Curri. Mario Curri i lindur në Itali, kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Italia. Policia po heton intensivisht për gjetjen e autorit të kësaj vrasjeje, që përflitet se është një vrasës me pagesë i futur sipas policisë në “lojë” për dy vrasjet e mëparshme. Materialet hetimore i kaluan për hetim të mëtejshëm prokurorisë së qytetit, ku autori i krimit akuzohet për vrasje me paramendim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here