Home Aktualitet Policia i jep fund greves se studenteve. Reagon PD

Policia i jep fund greves se studenteve. Reagon PD

930
0

fakulteti-mjekesisePolicia ka ndërprerë në orët e para të mëngjesit të së dielës, grevën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë, pas kërkesës së Rektoratit për lirimin e menjëhershëm të ambienteve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Teknike. Kjo për shkak se godina, sipas tij, ishte zënë në mënyrë të paligjshme nga studentët e transferuar nga universitete private.

Ndërhyrja e policisë është bërë me forcë rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës, duke liruar ambientet ndërsa shumë nga studentët grevistë u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Një video amatore e filmuar nga studentët që ndodheshin në grevë prej dy ditësh shfaq ndërhyrjen e efektivëve teksa hapin me forcë derën godinës së Infermierisë. Edhe psë pamjet nuk janë të qarta për shkak të errësirës, duket ndërhyrja e unifomave blu, por në asnjë moment përdorimi i dhunës, siç pretendojnë studentët.

Megjithatë studentët e ardhur nga universitetet e mbyllura private, nuk e kanë lënë me kaq protestën e tyre kundër tarifave më të larta të studimeve. Ata janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” kun ë deklaratën e tyre kanë kërkuar edhe një takim me Presidentin e Republikës, por duke theksuar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Nga ana e saj, Ministria e Arsimit ka pohuar se reforma në arsimin e lartë do të vazhdojë, teksa ka nënvizuar se studentët të cilët protestojnë, janë të shtyrë politikisht, pasi ata kanë qenë në dijeni të tarifës më të lartë të studimit, që përpara nisjes së vitit shkollor.

Por sipas Partisë Demokratike, deklarata e MAS është një përligje e dhunës së ushtruar ndaj studentëve, ndërsa dënon sjelljen e Ministrisë për këta studentë. Pasditen e sotme, Kreu i PD Lulzim Basha ka mbledhur kryesinë në një mbledhje urgjente, ku është diskutuar dhe rënë dakord për të mbështetur kauzën e studentëve.

Sakaq, po gjatë ditës së sotme, Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës, ka shprehur solidarizimin e tyre me studentët, duke nënvizuar se do të bojkotohet mësimi dhe provimet.

keshilli-stundentor

Por kjo është hedhur poshtë nga Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, duke pohuar se nuk do të ketë bojkotim të mësimit, pavarësisht se mbështesin protestën e studentëve.

Ora 20:45 Studentët në sheshin “Skenderbej”: Duam takim me Presidentin
Edhe mbrëmja e së dielës i gjeti në protestë studentet e Universitetit të Mjekësisë.  Këtë herë ata u mblodhën në sheshin “Skënderbej” , ku për të shmangur ndonjë incident të mundshëm ishin të pranishëm shumë forca policie.

Studentët i kërkuan Presidentit të Republikës t’i priste në një takim për të dëshmuar kërkesat e tyre, nga të cilat pohuan se nuk heqin dorë.

“Sot, në këtë moment ky është hapi ynë i parë që ne hedhim ndaj dhunës që është ushtruar ndaj nesh. Ne jemi këtu pasi gjithë dhuna që është ushtruar ishte e papërballueshme për disa momente. Por greva dhe protesta jonë nuk mbaroi ajte. Ne u shpërndamë në rrugët e Tiranës, dhe rruga na mblodhi të gjithëve këtu në qendër. Ne jemi këtu për një qëllim, i cili është bërë i ditur, por nuk po i drejtohemi instancave që u jemi drejtuar deri më sot, por thirrja jonë shkon për Presidentin. I nderuar zoti President, ne kërkojmë nga ju sigurinë fizike në radhë të parë, dhe në radhë të dytë kërkojmë diçka tjetër, kërkojmë një pritje nga ana juaj. Ne jemi gati të paraqitemi tek ju por me të njëjtat kërkesa. Një gjë është e sigurt, rruga jonë do vazhdojë po ajo që ka nisur.” thanë studentët

Ora 19:45 Përfundon mbledhja e PD, mbështetje kauzës së studentëve
Ka përfunduar mbledhja urgjente e Partisë Demokratike e thirrur nga kreu i saj Lulzim Basha ku në qendër të diskutimeve ishte protesta e studentëve të Universitetit të Mjekësisë.

Ora 19:15 Asllanaj i KSUMT: Jemi këshill i pavarur, nuk ka bojkotim të mësimit
Në një lidhje telefonike për A1 Report, Gentjan Asllanaj anëtar i Këshillit Studentor të Universitetit të Mjekësisë, nënvizoi se ky Këshill është i pavarur nga ai i Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës, dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë vendim për bojkotim të mësimdhënies.

I pyetur nëse ka patur ndonjë konsultim me mes dy Këshillave, Asllanaj e mohoi këtë fakt, duke theksuar se nuk ka patur mbledhje të përgjithshme të këshillave.

“KSUMT-ja është një trukturë më vete e pavarur nga Këshilli Studentor i UT-së. si rrjedhim bëjmë të ditur s emësimi do të vazhdojë normalisht, si dhe pjesa tjetër, do të zhvillojë promvimet. Ne e mbështesim protestën por respektojmë procesin akamdemik të mësimdhënies. Absolutisht, nuk ka patur konsultim, dhe KSUMT-ja është e pavarur dhe nuk ka pasur mbledhje të përgjithshme të të gjithë këshillave.” tha Asllanaj

Ora 18:30 Basha mbledhje urgjente me kryesinë e PD
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një mbledhje urgjente në lidhje me ngjarjën e studentëve në ambientet e Universitetit të Mjekësisë.

Kryetari Basha ka mbledhur në seli kryesinë e Partisë Demokratike për të bërë një analizë të situatës si dhe për qëndrimin e opozitës.

Ora 18:20 KSUMT: Deklarata nga Këshillë fiktivë, mësimi do vazhdojë
Përmes një komunikate për shtyp, Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë ka hedhur poshte deklaratën e Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës, ku këta të fundit thane se do të bojkotojnë mësimin dhe provimet në shenjë solidarizimi.

Sipas komunikatës për shtyp, KSUMT e cilëson të pavërtetë deklaratën e Këshillit Studentor të UT-së, duke shtuar se deklarata është bërë nga një përfaqësi fiktivë këshillash studentorë.

KSUMT nënvizon se mësimi do të vijojë normalisht, pasi sipas këtij këshilli fryma e përrçarjes mes studentëve nuk çon në zgjidhjen e problemit të studentëve që protestojnë për tarifat.

Më poshtë deklarata e plotë për mediat:
Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë të Tiranës është informuar se studentë, jo të autorizuar, që nuk i përkasin strukturave tona kanë deklaruar se do të bojkotojnë mësimin deri në gjetjen e një zgjidhje për protestuesit. Ne deklarojmë se kjo nuk është e vërtetë dhe se respektojmë protesten e çdo grupimi por duke mos cenuar procesin akademik i cili do të vijojë normalisht prej ditës së hënë.
Ne si Këshill Studentor i UMT, distancohemi nga çdo deklaratë nga përfaqësues fiktiv këshillash studentorë të cilat marrin përsipër guximin të flasin në emër të të gjithë Këshillave Studentorë të Universiteteve Publike. Çdokush që nxit akte të tilla duhet të distancohet sa më parë pasi kjo frymë synon përçarjen mes studentëve dhe nuk çon në zgjidhjen e problemit të studentëve që protestojnë për tarifat!
Në vazhdim, nxisim dhe mbështesim debatet e hapura për çdo problem të studentëve të transferuar por në mënyrë qytetare dhe pa cenuar liritë dhe të drejtat e askujt! Ju faleminderit ! KSUMT

Ora 16:40 Këshilli Studentor: Policia ushtroi dhunë, bojkotojmë mësimin dhe provimet deri në gjetjen e zgjidhjes.
Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës, ka reaguar në lidhje me ndërprerjen e grevës së studentëve të Universitetit të Mjekësisë, mëngjesin e sotëm, nga ana e policisë.

Në një deklaratë për mediat nga ambientet e Universitetit të Mjekësisë, Këshilli Studentor akuzoi policinë se përmes dhunës dhe presionit psikologjik ka nxjërrë studentët nga greva, duke shtuar se më pas ato janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në komisariat dhe spitale.

Lidhur me këtë situatë, Këshilli Studentor theksoi se studentët do të solidarizohen duke bojkotuar mësimin dhe provimet, deri sa studentëve të Universitetit të Mjekësisë t’u plotësohen kërkesat e tyre.

Ndërkohë, burime për A1 Report bëjnë të ditur se studentët të cilët protestuan në ambientet e Universitetit të Mjekësisë kanë kërkuar takim me ambasadorin amerikan Donald Lu dhe Presidentin Bujar Nishani.

“Ne Këshilli Studentor i UT-së jemi këtu sepse jemi shumë të tronditur me ngjarjet e mbrëmshme. Sot në mëngjes si të gjithë qytetarët kemi parë aktin kriminal të policisë, që në pabesi ndërsa ishin në gjumë, hyjnë duke përdorur presionin psikologjik për të nxjerrë nga greva studentët. Greva e urisë ishte e vetmja mënyrë për të kundërshutar nga studentët. Ato janë trajtuar në mënyrë ccnjerëzore në komisariat dhe spitale. Duke ndaluar grevën me dhunë. Për një të drejtë themelore ato u futën në grevën e urisë. Pasi u ndërpreu studimet i detyroi të poaguajnë më shumë në universitetet publike. Karta e Bolonjës ka një praktikë, që nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë më shumë. Në emër të këshillit studentor, deklarojmë mbështetjen e plotë, dhe theksojmë se studentët do të bojkotojnë në ditët në vijim mësimin dhe provimet deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. Ne jemi dhe do të jemi me ta deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.” tha në deklaratën për mediat Këshilli Studentor.

Për grevistët, policia ka nisur një procedim penal për veprat penale të organizimit të tubimeve të paligjshme. Studentët janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje në ambientet e policisë, ku edhe kanë dhënë deklarime me shkrim se nuk janë dhunuar nga policia. Por, krejt i kundërt ishte pretendimi i tyre gjatë një deklarate për shtyp. Ata janë shprehur se gjatë aksionit të policisë për t’i nxjerrë nga greva është ushtruar dhunë. Në rrjetet sociale qarkullojnë video, që sipas studentëve tregojnë se ata janë dhunuar

Studenti: “Kanë hyrë me dhunë dhe janë futur dhe na kanë nxjerrë dhunë. Vajzat i kanë kapur për flokësh, djemtë i kanë tërhequr zvarrë. Na kanë futur nëpër makinat e policisë dhe na kanë shoqëruar për në komisariate. Mbrëmë përjetuam situatë terrori ne studentët të cilët nisëm një kauzë të drejtë për atë që na takon”
Në thelb të kërkesave të këtyre studentëve të ardhur nga universitetet private të mbyllura me vendim qeverie, ishte trajtimi i njëjtë me pjesën tjetër të universitetit publik sa u përket tarifave. Ministria e Arsimit deklaroi dy ditë ma parë se studentët kanë qenë të ndërgjegjshëm për tarifat, për të cilat kanë firmosur vetë  kontratat para se të pranoheshin në këtë universitet. Në godinën e Infermierisë ishin ngujuar mbi 50 studentë të cilët theksonin se nuk do të largoheshin deri në përmbushjen e kauzës së tyre..
Paloka: Rama dhunon qytetarët, mbron kriminelët
Nga ambientet e jashtme të Drejtorisë së Policisë Tiranë, kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka tha se kryeministri Edi Rama ka instaluar shtetin policor ndërsa po dhunohen dhe arrestohen qytetarë të pafajshëm.

“Kjo nuk është policia e qytetarëve, policia që dhunën qytetarët. Kjo është policia e bandave, që iu vë eskorta kriminelëve. Qytetarët të mos vazhdojnë më t’iu binden urdhrave politike të Ramës e Tahirit, nesër do mbajnë përgjegjësi personale. Duke filluar nga më i fundit tek kreu i policisë. Qytetarët të reagojnë, të mos lejojnë që shteti të merret në do të nga bandidët duke filluar nga Rama që nuk di tjetër komunikim për qytetarët veç burgut”, deklaroi Paloka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here