Data e sotme, 1 dhjetor, shënon Ditën Botërore të HIV-AIDS dhe një fjongo e kuqe do të jetë simboli i solidaritetit të të gjithë atyre që do të përfshihen në fushatën e ndërgjegjësimit.
Aktivitetet janë përqëndruar këtë radhë në qytetin e Shkodrës, ku do të mbahet edhe ecja ndërgjegjësuese deri në fillim të pedonales së qytetit.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj sëbashku me UNFPA-në do të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e organizuara me këtë rast, që do të fillojnë në orën 13:00 tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Shkodrës.
Në zonën përpara Bashkisë Shkodër, aktivistë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile do të formojnë fjongon e kuqe, – simbolin e solidaritetit dhe ndërgjegjësimit për parandalimin e HIV/AIDS – si kombinim mozaiku njerëzor. Gjithashtu, do të organizohet edhe një ndeshje futbolli ndërgjegjësuese ndërmjet aktivistëve.