Thyhet miti i mospranisë së policisë në Lazarat. Në kuadër të luftës kundër prodhimit të kanabisit në Lazarat, 2 zv/drejtorë të Policisë, Sokol Bizhga dhe Altin Qafo kanë hyrë në ‘fshatin e ndaluar’.
Zëvendësdrejtori i policisë për krimet e rënda Sokol Bizhga dhe Altin Qato, zëvëndësdrejtori i policisë për sigurinë publike Altin Qato kanë zhvilluar takim në kuadër të masave për parandalimin e kanabisit si dhe për përcaktimin e grupeve të përbashkëta të punës.
Në takim edhe drejtori i policisë Gjirokastër, Haki Çako.
Bizhga tregon se cfarë pa dhe si u ndje në fshat.
“Shkuam me zvdrejtorin Qato si për të kaluar një fundjave, pa paralajmërim. Takuam njerëz në rrugë, na pritën shumë mirë. Pimë një kafe në qendër të fshatit. Si është gjendja? Duhet të coni grupe vetë aty të konstatoni si është gjendja. Unë gjykoj që gjendja është normale, ne nuk shikojmë sipërfaqe të kultivuara. Nuk kemi parë plantacione me kanabis”.
ITALIANËT HYNË NË LAZARAT, FILMUAN PLANTACIONE
Ndërsa kryepolici Bizhga shprehet se nuk ka parë asnjë plantacion të mbjellë, pak ditë më parë stacioni televiziv italian, “RAI UNO” solli një reportazh nga Shqipëria, konkretisht nga Lazarati.
Gazetari Xhaçinto Pinto ka arritur të hyjë pikërisht në fshatin më të famshëm të Shqipërisë. “Të gjitha shtëpinë janë të rrethuar me mure të lartë për të mbuluar plantacionet e hashashit. Banorët gjuajnë me armë gjatë natës. Këtu janë 319 hektarë të mbjellë me kanabis dhe 9 nga 10 familje e kultivojnë bimën e hashashit”, thotë gazetari italian.
Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar drejtori i Aviacionit të Guardia di Financa-s, Stefano Bastoni bëri publike hartën e kultivimit të hashashit në Shqipëri, të shpërndarë në 5 qarqet kryesore të vendit. Me ndihmën e avionëve specialë italianë, parcelat u fotografuan nga ajri. Stefano Bastoni e vuri theksin tek Lazarati, i cili mbetet zona më problematike në këtë drejtim. “Avionë me teknologji të përparuar fluturuan dhe zbuluan qindra plantacione me kanabis, lëndë narkotike që më pas masivisht trafikohet në Itali”, tha Bastoni. Ai theksoi se një nga zonat më problematike për kultivimin e kanabisit mbetet Lazarati. “Kemi bërë fotografi nga lartësia, që dëshmojnë realitetin në Lazarat si kurrë më parë”, tha asokohe Bastoni.
Sipas tij, lënda narkotike mund të arrijë në 900 tonë, me një vlerë shitjeje mbi 4.5 miliardë euro. Vështirësitë mbeten të njëjta në identifikimin e njerëzve që mbjellin hashash, pasi prej vitesh ata përdorin sipërfaqe toke pa pronar, në zona të braktisura dhe të thella.