Home Kosova Perspektiva e Kosovës është evropiane

Perspektiva e Kosovës është evropiane

763
0

Delegacioni i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës, i prirë nga kryeministri Hashim Thaçi, në të cilin bën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, me ftesë zyrtare të shtetit të Vatikanit, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë. Në një ceremoni madhështore, të mbajtur në Sheshin Shën Pjetër në Vatikan, delegacioni shtetëror i Kosovës, i prirë nga kryeministri Thaçi është takuar me shumë personalitete nga mbarë bota.

Thaçi dhe ministri Hoxhaj kanë takuar presidentin e BE-së, Herman Van Rompuy, presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, kryeministrin e Italisë, Silvio Berlusconi dhe shumë burra të shtetit dhe personalitete te tjera të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për tema te tjera me interes. Kryeministri me këtë rast ka prezantuar përkushtimin dhe vizionin e institucioneve të Republikës së Kosovës për implementimin e plotë të të gjitha standardeve për integrimin e vendit në institucionet euro-atlantike, duke fuqizuar qeverisjen e mirë, efektive, efikase dhe transparente, sundimin e rendit dhe ligjit, respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe implementimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Thaçi gjithashtu ka ritheksuar angazhimin e fuqishëm të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, stabilitetit, si dhe të zhvillimit dhe integrimit sa më të shpejtë të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian i kanë premtuar kryeministrit që do të mbështesin në vazhdimësi përkushtimet e qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të integrimit. Perspektiva e Kosovës dhe qytetarëve të saj është padyshim perspektiva evropiane, kanë siguruar kryeministrin Thaçi udhëheqësit më të lartë të BE-së.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here