Periudha e verës shënon një bilanc tragjik nga pasojat e aksidenteve me 73 persona të vdekur dhe një numër prej 475 aksidentesh. Shtimi i automjeteve në vend gjatë muajve të verës ka ndikuar në rritjen numrit të aksidenteve me pasoja të rënda. Këto aksidente shkaktohen si pasojë e mungesës së sinjalistikës dhe mosnjohjes së rrugës nga emigrantët të cilët janë edhe shkaktarët më të shumtë të aksidenteve. Edhe pse policia ka shtuar ndjeshëm postblloqet dhe masat ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit, numri i madh i aksidenteve ka treguar se kjo nuk është e mjaftueshme pasi nevojitet edhe vet ndërgjegjesimi i qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit. Shpejtësia tej normave të lejuara si dhe qarkullimi nën efektin e pijeve alkolike kanë rezultuar shkaku i një numri mjaft të madh aksidentesh, aksidente të cilat shtohen ndjeshëm gjatë muajve të verës, pasi ardhja e emigrantëve të cilët nuk njohin rrugët bëhen burim aksidentesh të ndikuara në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe nga mungesa e sinjalistikës. Kështu sipas statistikave zyrtare të policisë gjatë periudhës qershor-korrik si dhe në 10 ditëshin e parë të gushtit shënohet një numër prej 475 aksidentesh rrugore, ose thënë ndryshe 19 aksidente më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë që janë shënuar 456 aksidente. Edhe pse numri i aksidenteve është në rritje vit pas viti, ajo që vihet re është ulja e numrit të personave që humbasin jetën në aksidente. Gjatë tremujorit qershor-korrik-gusht të vitit 2010 kanë humbur jetën 120 persona nga aksidentet, ndërsa në pot ë njëjtën periudhë të vitit 2011, duke marrë parasysh se gushti ende nuk ka përfunduar kemi një shifër prej 73 personash që kanë humbur jetën, një numër dukshëm më i vogël se një vit më parë.