Ndërsa dy kandidatët për kreun e PD-së Lulzim Basha dhe Eduard Selami po vijnë fushatën e tyre nëpër degët e rretheve, një tjetër figurë e kësaj partie, Astrit Patozi, nisi sot nga Durrësi dhe më pas qytete të tjera një tjetër fushatë të përkundërt.
Ai po u bën thirrje anëtarëve të PD-së që të mundësojnë ndërprerjen e garës Basha-Selami, si një proces jashtëstatutor, duke e quajtur atë “një farsë të rrezikshme për PD-në dhe demokracinë shqiptare”.
Sipas tij, demokratët janë duke bërë peticione në Korçë, Vlorë, Shkodër e kudo tjetër, të shqetësuar nga kjo që po u ndodh në PD, pas humbjes aq të thellë që morën në 25 qershor.
Ndërkohë që kandidatët Basha dhe Selami, të dy kryetarë të PD-së në kohë të ndryshme, po vazhdojnë fushatat e tyre në degët e rretheve.
Ata po shkëmbejnë kritika për rezultatet e zgjedhjeve të fundit si dhe mendime për të ardhmen e PD-së.
Por deputeti i PD-së dhe ish-drejtuesi i grupit të saj parlamentar, Astrit Patozi, thotë se “gara aktuale Basha-Selami për kreun e PD-së nuk është as e drejtë, as e barabartë, ndaj duhet ndërprerë, në dobi të vetë partisë demokratike”.
Sipas tij, “kandidati Selami po përdoret si një patricë që zoti Basha të mund të rrëmbejë një mandat të dytë në kreun e PD-së”.
Zoti Patozi thotë se “nisma për të ndërprerë garën Basha-Selami dhe për të rinisur një garë të vërtetë për kreun e PD-së mbështetet nga një numër i madh politikanësh dhe anëtarësh të PD-së”.
Ai shtoi se “kjo humbje e jashtëzakonshme më 2017 me 44 mandate, më e thellë se ajo e 2013 me 57 mandate, kërkon një zgjidhje të jashtëzakonshme nga PD dhe jo shtirje sikur rizgjedhja e kryetarit të jetë një rutinë pas një fitoreje të thellë”.
“PD, – thotë ai, – nuk mund t’ia lejojë vetes që një kryetar, i cili solli dy humbje të thella si vendoret dhe politiket, të garojë sërish për kryetar madje pa dhënë as dorëheqjen”.
Nismëtarët për një garë të rregullt në PD po shpresojnë që në 10 ditët e mbetura nga data e zgjedhjeve të ndërpritet gara Basha-Selami nga një tubim i Këshillit Kombëtar të PD-së, forumi kryesor drejtues i saj, i cili gjatë gjithë kohës së drejtimit të partisë nga zoti Basha nuk është mbledhur asnjëherë.