Krimi brenda familjes godet sërish. Një 51-vjeçar ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij dhe më pas është vetëvrarë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e çiftit në fshatin Dukas të Patosit, ku Jashar Yzeiraj ka qëlluar me çifte bashkëshorten e tij Arsino Yzeiraj dhe më pas i ka dhënë fund jetës me të njëjtën armë.
Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e ngjarjes, ndërsa policia mbërriti në banesën e çiftit dhe po punon për të zbardhur krimin.
VRASJA NE MIRDITE
Dy javë më parë një 47-vjeçar nga Mirdita ka masakruar bashkëshorten me thikë dhe pas krimit është vetëvarur në një pemë afër banesës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e 4 majit në fshatin Domgjon të Komunës së Fanit. Trupi i pajetë i Mark Bibës dhe i 46-vjeçares Gjyste Biba u gjetën nga banorët e zonës, të cilët sinjalizuan policinë.
Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet që kryefamiljari ta ketë vrarë gruan e tij për motive xhelozie. Ndërkohë, fqinjët e tyre deklaruan se dy bashkëshortët shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin dhe se vrasja nuk ka marrë shkas nga xhelozia. Sipas njërit prej tyre, çifti mund të jetë konfliktuar për fejesën e vajzës 19-vjeçare.