NATO “pezullon” Shqipërinë për gafat e pafalshme të nxjerrjes së sekreteve operacionale. Masat shtrënguese ndaj vendit tonë kanë ardhur në rritje progresive që prej momentit kur Aleanca me agjencitë e saj të specializuara kapi në rrjet rrjedhjen e informacioneve nga rrjeti dhe shitja e tyre tek shërbimet greke, serbe, ruse dhe islamike.
Pas hetimit të kryer rezultoi se sekretet ishin nxjerrë nga autoritetet shqiptare. Gjeneralët e caktuar dhe certifikuar për akses mohuan përfshirjen dhe u përjashtuan nga hetimi. Përgjegjësia i mbeti disa deputetëve të mazhorancës dhe qeverisë, që u kapën në lidhje të ngushta me shërbimet e huaja. Burime nga afër Ministrisë së Mbrojtjes thanë për agjencinë, se megjithëse nuk është një pezullim zyrtar i Shqipërisë nga NATO për të mos shkaktuar skandal botëror të parin e këtij lloji në histori, përfaqësuesit e vendit tonë janë përjashtuar nga diskutimet e rëndësishme që bëhen nga Këshilli i vendeve anëtare.
Për të disatën herë përfaqësuesi ynë i Ministrisë së Mbrojtjes, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë nuk është pranuar në diskutimet e brendshme që prej skandalit të shitjes së sekreteve. Me kalimin e muajve Shqipëria po përjashtohet edhe nga mbledhjet e zakonshme të Aleancës, pasi nuk i zihet më besë. Ndërkohë që fillimisht vendit i është hequr e drejta për të hyrë në rrjet dhe për të parë informacionet e NATO-s apo lëvizjet e saj operacionale. Tashmë është përjashtuar edhe nga mbledhjet me rëndësi, ndërkohë që mësohet se Shqipëria nuk është bërë pjesë e diskutimeve as në operacionet në Libi. Shkak është bërë kapja e një anije plot me armë e municion, kryesisht predha, që shkonin në Tripoli për diktatorin Muamar Gadafi.
Ministria e Mbrojtjes mohoi lajmin disa muaj më parë, edhe zyrtarisht, por nga hetimet e Aleancës rezultoi e kundërta, se dy njerëz afër kryeministrit dhe qeverisë ishin sekserët e këtij trafiku në bashkëpunim me trafikantë serbo-boshnjakë. Pas kësaj erdhi dhe sulmi i radhës i NATO-s, i përjashtimit të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj në seli për të marrë pjesë në mbledhje. Vetëm një muaj më parë Shqipëria i përjashtua nga e drejta për të hyrë në rrjet dhe parë informacionet sekrete për energjinë nukleare dhe të tjera operacione antiterrorizëm apo ato në Libi.
Prej disa javësh mësohet se vendi ynë është një anëtar honorifik i NATO-s, pa vlerë dhe peshë dhe vetëm për të mos i nxjerrë bojën qeverisë në sy të botës, drejtuesit e ALEANCËS nuk po e konfirmojnë pezullimin zyrtarisht, duke na cilësuar vend jo i besueshëm.