Home Politike Namik Hoti: Batutat e mija me Berishën,kur Nano na bënte xhiro me...

Namik Hoti: Batutat e mija me Berishën,kur Nano na bënte xhiro me makinë nëpër Tiranë

2757
0

– Shoku Sali, shoku Sali!.. Zoti Sali Berisha!… Namik Vehbi Fadile Hoti u ngrit në këmbë menjëherë dhe përsëriti edhe një herë thirrjen ndaj burrit shtatlartë, që ecte me hapa të mëdhenj dhe që të linte përshtypjen se nuk donte të kthente përgjigje.
– Hë, mor Namik, si je?
Burri shtatlartë ndaloi. Bardhi vuri re fytyrën e tij kockëmadhe, hundën alpine, flokët e thinjura dhe pa asnjë qime të rënë dhe kurrizin e tij pak të kërrusur të plakut, që duhej të kishte qenë një burrë shumë i pashëm në rini.
– A po na urdhëroni për një kafe? Kemi edhe një mik nga Kosova. Kosova e Shqipëria janë një tani, po, prapseprap…
– Jo, Namik, se po shkoj të vizitoj një të sëmurë… Po mbarova, do të kthej prap t’u takoj e të pimë një kafe… Mirëmbeçi!
Burri mori të largohej, por, sa bëri hapin e parë, u kthye dhe një herë dhe bëri me dy gishta në formën e germës V në drejtim të tyre, duke i shkëlqyer fytyra.
– Ky është Sali Ram Berisha. Është shumë burrë i ndershëm, korrekt, trim dhe mirënjohës i madh. Njëri prej prijsëve legjendarë të shkatërrimit të sistemit komunist në Shqipëri. Një enverist i vërtetë.
Bardhi vuri të dy pëllëmbët nën gushë dhe, sapo i vendoi mirë, hoqi njërën nga pëllëmbët që andej dhe nisi të kafshonte thoin e gishtit të madh; ose i kishte fluturuar ndonjë dërrasë nga trutë se nuk po kuptonte se dikush donte të tallej me ‘të, ose kishte të bënte me një plak të rrjedhur.
– Ju zoti Et’hem,  me të drejtë po kafshoni thoin. Po unë po ua përsëris, që Amerika i ka jo shumë, por jashtëzakonisht shumë xhan enveristët e thekur. Enveristët puritanë.
Bardhi ndërroi duart; sigurisht edhe thonjtë.
– Amerika, si çdo shtet i organizuar mirë, ka morinë e veglave të veta, të cilat i ka dhe i kërkon perfekt. Një vegël e denjë për gjigantin amerikan, një vegël njerëzore, duhet të jetë në kompleksin e vet një njeri puritan në ndershmërinë e tij, i fortë, i pathyeshëm, i pamëshirshëm ndaj thyersëve të rregullave si dhe studioz, hulumtues, një lloj skautisti i stërvitur. Të gjitha këto cilësi i kanë komunistët enveristë. Amerika këtë kategori vegle e ka shumë xhan. Kuptohet, me një kusht të vetëm: të mos i thotë njeriu se e dua Enverin, apo edhe po i tha, të shtojë detyrimisht që “kaloi Enveri  tanimë”. Pra, edhe të mos e shajë. Po qe se kjo vegël nis ta shajë, Amerika nuk ka se si ta keta më xhan. E pse, do të thuash ti, zoti Et’hem? Thjesht se ai po e mashtron, po e gënjen… Gjëja që tërheq gratë më shumë këtë në botë, është bluza e bardhë dëborë e mjekut; sidomos natën. Por Sali Ram Berisha, megjithëse burrë shumë i pashëm, kurrë nuk është përfolur për çështje femrash, tamam si partizanët e kohës së luftës… E di ti se çdo të thotë Sali?
Bardhi nuk kishte se si ta dinte, por tundi kokën sikur diçka dinte.
– Mirë, mirë, nuk thashë se nuk e di.. “Sali” është mbreti i luftës. Mbreti i luftës ka aftësinë që të përcaktojë kohën e fillimit dhe të mbarimit të luftës dhe, sigurisht, që t’i fitojë të gjitha luftërat. …Doktor Profesor Sali Ram Berisha në një periudhë të daljes së tij në krye të shtetit, ka pas një rekord evropian, që nuk e besoj ta thyejë asnjeri?
– E ç’është ky rekord evropian?
– Për gati gjashtë vjet, ai ka patur pajën t’ua zgjasë jetën deri në shtatë ditë një kategorie të sëmurësh dhe, kjo mrekulli të arrihej pa i vizituar fare ata dhe, sigurisht, pa u marrë asnjë pare, siç nuk merr edhe sot. Askujt.
Bardhi pa nga plaku me mosbesim dhe qesëndi.
Mirëpo, Namik Vehbi Fadile Hoti, në vend  që të tregonte se si mund t’i zgjatej jeta dikujt, qoftë edhe për shtatë ditë pa e vizituar, ndërpreu tregimin e tij dhe i tha Bardhit
– Nuk më the, si ta quajnë babain?
– Ismail.
– Shumë bukur, do të të tregoj diçka për origjinën e emrit të babait…
– Doje të thoje për metodën se si mund të shërohet dikush nga mjeku pa e vizituar mjeku, ë?
– Posiiii…! Biles pa e ditur edhe vetë mjeku se është duke shëruar njerëz.
Bardhi mendoi se mos vallë baca po e kujtonte atë ndonjë trap dhe po thoshte të nxirrte pakëz kunjin me të tani në sabah.
Baca vështroi në horizont duke tundur kokën me madhështi dhe nostalgji.
– Ama, kura ka qenë e destinuar vetëm për një kategori pacientësh.
– E ç’kategori?
– Nga kategoria e pensionistëve. Veçse pensionistë veteranë të luftës e të punës, që dergjeshin në shtëpi dhe që kishin hequr dorë mjekët. Kushedi se sa vetë nga kjo kategori, ai i ka hequr nga thonjtë e vdekjes edhe shtatë ditë të tjera.
Bardhi tundi kokën fort, për ta besuar se ishte në vete dhe se mos ishte bërë për në psiqiatri. Dhe vetëm tha me zërin e një mundësi të rënë me shpatulla përdhe:
– Nuk është e mundur!
– Posiiii. Është e mundur… Ka qenë e mundur; ka qenë e mundur shumë, posiiii!
– E si?
– Mjafon t’i thoje në vesh një pensionisti në grahmën e fundit të jetës, që kishte marrë pjesë në luftë kundër fashizmit dhe në ndërtimin e socializmit enverian, vetëm «Sali Berisha» dhe… i sëmuri për vdekje dridhej e shtërngohej, si nga një elektroshot. Menjëherë i vinte një vuxhud i brendshëm dhe i shtoheshin edhe shtatë ditë jetë. Nga nga ky mobilizim gjenial forcash…!
Bardhi e kishte të pamundur të mbante të qeshurën. Madje, u çudit edhe vetë, se ç’ishte kjo e qeshur e papritur që po i vinte ashtu, kur kishte kaq shumë vite pa qeshur me shpirt dhe i shpenguar. E qeshura e tij ishte zëlartë dhe kishte diçka të egër. Namik Vehbi Fadile Hoti vazhdoi me seriozitet të plotë dhe pa pritur të mbaronte e qeshura e Bardhit…
-Kjo është një metodë tradicionale shqiptare për të bërë që i sëmuri, si nga një narkotik, të përmbledhë forca në luftë me vdekjen. Pensionistët e fillpas viteve nëntëdhjetë dhe veterantët e luftës e të punës, ja që e kanë patur një të mirë nga Kryeshkëlqesia e Tij, Sali Ram Berisha, mirëpo, nuk ia kanë ditur asnjëherë. Ngadalë – ngadalë, ata u mësuan me doktorin e zemrave në tokën shqiptare, kur panë më pas dinakërirat e hijshme të shokut Fatos Thanas Nano.
– Zoti Namik. Sikur deshe të më shpjegoje diçka rreth emrit të babait.
Në të vërtetë, babai i Bardhit e kish pasur pikërisht emrin Ismail.
Namik Hehbi Fadile Hoti, në vend  që të shpjegonte se çdo të thoshte emri «Ismail», perëndoi sytë, duke mos ia ndarë ata një burri të shkurtër që ecte i menduar e me cigare në gojë. Ai ishte i veshur me një kostum të zi dhe me kollare të kuqe.
– Ky është poeti trim Hysni Milloshi. Ky ka drejtuar për një kohë të gjatë enveristët shqiptarë të shpallur zyrtarisht. Mirëpo, kur pat ndërruar jetë Papa më i suksesshëm në historinë e njerzimit, ai ka pas bërë një gabim.
– Ashtu? – bëri sikur u çudit mjeshtri aktoresk Faqebardh Kalimashi
– Posiii, ashtu! Ju kujtohet, rahmet pastë dhe dritë pastë Papa Vojtila, që u shndërrua në shënjt menjëherë sapo ndërroi jetë?
– Ehë! – u përgjigj Bardhi, duke parë me bisht të syrit vithet që spërdridhte një grua, e veshur me një fustan ngjyrë lile të qepur ngusht dhe të gjatë dhe me një të çarë thuajse deri në bel.
– Ne i bëmë një propozim konkret shokut Hysni Milloshi, që ta nderonin edhe komunistët shqiptarë Papën gjenial; që më parë kish qenë aktor i shkëlqyer dhe poet i mrekullueshëm. I propozuam ta shënonte emrin e Atit të Shënjtë në listën e nderit të enveristëve, por… ehhh!, nuk u muar parasysh propozimi ynë. Pse?
Namik Vehbi Fadile Hoti ia nguli sytë si të ishte një hetues, sekretin e të cilit as që e merr më mend i thërrituri në hetuesi.
Bardhit iu duk sikur dikush i hodhi ujë të përvaluar në brimë të veshit.
– Si the? Si the? Papa Vojtila të shpallej enverist? Madje në krye të enveristëve? Në librin e tyre të nderit të tyre? Kështu?
Baca Namik Vehbi Fadile Hoti, duke parë aq sinqeritet dhe habi në pyetjen e Bardhit, nuk u nxitua të përgjigjej. Ai i mori erë me fort lezet një lulefasligeni që kishte marrë në dorë dhe që e kishte lënë përkohësisht në tavolinë dhe, si mori frymë thellë, dha sqarimin e duhur:
– Duke u deklaruar se merita më e madhe e Shënjtit Vojtila ka qenë shkatërrimi i komunizmit, Shkëlqesisë së Tij Hysni Milloshit dhe të gjithë enveristëve, u erdhi një top i florinjtë nga qielli. Shkatërrimi i komunizmit ka qenë një proces politik, procesi më i mprehtë politik i luftës së ftohtë. Në këtë proces ka marrë pjesë akive Papa Vojtila, më i suksesshmi papë që ka qeverisur qytet-shtetin më të pasur të botës. Pra, feja u merrka me politikë. Madje me politikë të madhe shumë. Kështu, pra, përmes Shënjtit Vojtila, u vërtetua se disa nga ushtarët e Vatikanit që janë ndëshkuar në kohën e Kryeheroit Enver Halil Hoxha, nuk janë ndëshkuar sepse shteti i ka patur inat klerikët katolikë, por sepse janë marrë me politikë, siç është marrë në mënyrë gjeniale edhe shefi i tyre jashtëzakonisht i nderuar nga e tërë bota sa qe gjallë dhe shënjt, qëkur na la… Në një periudhë kohe, në krye të ortodoksëve shqiptarë ka qenë një grek shumë i mençur, zemërbardhë, mjekërbardhë dhe jashtëzakonisht i zgjuar. Edhe ai duhet të jetë marrë me politikë, siç është marrë edhe Shënjti Vojtila. Po me çfarë politike? Sigurisht që ai është marrë me politikë në interes të politikës shtetërore shqiptare, pasi ka qenë në krye të ortodoksëve shqiptarë… Nejse, ja pra, pse Papa Vojtila duhej të qe regjistruar në librin e enveristëve më të nderuar, por nuk na kanë dëgjuar, zoti Bardhi. Nuk na kanë dëgjuar, megjithëse ne vijmë nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës dhe, – baca nisi të përlotej, – ne komunistët i kemi xhan… shumë xhan!
Si zunë vend  në kafe “Çaplin”, të dy miqtë, Namik Vehbi Fadile Hoti iu drejtua Bardhit, që sapo kishte hapur gojën për të pyetur diçka:
– Kështuuuu…. Si dhe përse më kanë varrosur të gjallë?
Gjatë jetës së tij në bandë, Bardhi u kishte thënë të vetëve që, cili do të tradhtonte ndonjëherë, varrin do ta kishte në një betoniere. Ose i grirë nga lopatat e betonieres, ose i futur i gjallë në ndonjë shtyllë. Që atëherë atij ia kishin vënë nofkën “Korsikani”.
– Një herë, tridhjetë vite më parë gati, rreth viteve nëntëdhjetë, unë deklarova në televizor se, “ne malokët zbresim nga kali vetëm me plumb”. Në atë kohë ka qenë president miku im  Berisha … Duhet ta dish që, klani “Hoti” është klani më i madh në Kosovë. Pas tij vjen klani “Krasniqi”, “Berisha”… Një stërgjysh i imi, Marash Gjelosh Hoti, ka kapërcyer i katërti muret e Konstandinapolit. I pari ka qenë një stërgjysh i Ismail Qemalit, i dyti ka qenë Mehmet Fatihu.. I katërti, katragjyshi im, Marash Gjelosh Hoti në tërë  atë kasaphanë, ka kërcyer përmbi bedenat me shpatë në dorë duke thërritur … Osmanët, për të kaluar natën ngushticën, lyen litarët me dhjamë deshësh të zinj dhe, nëpër litarë, lundrat …
– Si të varrosën të gjallë dhe kush të shpëtoi?
– Po… Pasi fola ashtu në televizor, pas nja dy ditësh, kur po dilja nga banesa ime që e kam… të urdhëroni, zotërote, ta shihni se ku banoj unë. Komunistët ma kanë marrë banesën time të ligjshme. Ata më kanë marrë edhe selinë e partisë që e kam me urdhër të Presidentit të parë pluralist në Shqipëri, Ramiz Taip Alia. Komunistët nuk e kuptojnë se unë i kam xhan. Se unë jam aleati i tyre. Se unë pres në gjoks i pari shigjetat që u vijnë atyre. Komunistët duhet të më japin gjithçka që më kanë konfiskuar.. Unë banoj në një dhomë karizmatike dhe, në vend  të xhamave, kam plasmas të grisur. Xhamat m’i kanë thyer, por komunistët nuk m’i vënë. Dhe unë nuk dua t’i vë xhamat megjithëse… Unë fekalet, me nder jush, i mbledh në gazetë dhe i hedh te plehrat… Unë nuk e ngop kurrë barkun me bukë… Ndonjë ditë do të të tregoj të katër medaljet prej floriri të përgatitura nga ne. E para është me medalja “Enver Halil Hoxha”, e cila ka në proporcione shumë të zvogëluara sipërfaqen e të katër vilajeteve shqiptare…
– Po!… Dole atë ditë në mëngjes nga banesa jote… Pastaj?
– Disa djema të rinj po më prisnin në oborrin tim. Atje, në oborr, ishte e hapur edhe një gropë të cilën e pashë me habi. Djemtë më kapën përkrahësh dhe më futën në gropë. Nisën të më mbulonin me zhavorr dhe me dhe. Më mbuluan deri në fyt. Atje pushuan.
Dhe ndezën nga një cigare.
– Ç’po mendoje në ata çaste, bacë?
– Po mendoja se, kur do të më lironin që të ikja te “Çaplini”, te kjo kafeneja këtu, pra, se kisha lënë takim me intervistuesin tim të përjetshëm, Xaken. Xaken komunistët e kanë çuar të kujdeset për mua. Nganjëherë përpiqet edhe të më vërë në lojë, por ia duroj se i ka pa të keq dhe është usta i mbaruar. Sapo ai ka në fytyrë pamje ëngjëllore, ta dish se është duke vënë dikë në lojë, por me shumë finesë. Dhe, ndaj e dua shumë; ai që ka nderin dhe fatin të vihet në lojë nga intervistuesi im, ka vetëm përfitime prej atij. Personat që ai i vë në lojë me aq elpaze, sa di ta përdorë vetëm ai, kanë gjithëfarë përfitimesh prej intervistuesit tim, përfshirë edhe miqësinë e tij dhe ndihmën e pakursyer të tij në çfardo rast nevoje.
– Nuk pate frikë se ata mund të të mbulonin me dhe? Dhe, për dy minuta do të kishte marrë fund gjithçka?
– Jo, nuk pata frikë. Nuk ishte e shkruar të ishte dita e vdekjes sime ai mëngjes. Ata djemtë më thanë se do të më mbulonin me dhe të tërin, por unë ia ktheva përgjigjen. Unë ua ktheva përgjigjen thjeshtë, por ata qeshën me të madhe dhe më liruan, duke më porositur që të mos bëja më llogje me politikanët e kombit shqiptarë. U thashë se  ata donin të më vrisnin. Se, për të më vrarë mua, atyre u duhej patjetër leja me shkrim e zotit President shumë të nderuar të vendit, që ishte miku im dhe ai, nuk kishte se si ta donte vdekjen time.
– Të ngacmuan më, baca Namik? Ti, bërë gjë që të të ngacmonin prapë ata?
– Po… Edhe na kanë rrahur, edhe na kanë tërhequr rrëshqanë, edhe na kanë goditur me mjete të forta, por ne nuk kemi treguar shenja frike. Ne kemi dhënë pafundësisht intervista në gazetën më popullore në Ballkan, që quhet gazeta “Intervista” dhe kemi miq të panumurt. Mua domosdoshmërisht më ka keqtrajtuar ashtu shërbimi sekret, unë domosdoshmërisht jam gjallë dhe, po kështu, unë domosdoshmërisht, jam shpallur për pesë herë radhazi, “Mistër Intervista”, që është një çmim njëvjetor.
– Të kuptova në përgjigjen tënde, baca Namik. Ti, që në ato vite, ke një delir të lehtë frike, kështu?
– Unë as kam frikë, as dua të më ketë frikë njeri. Unë as dua e as urrej njeri. Unë i përkas përjetësisë… Unë nuk e ngop barkun me bukë, por dorën nuk ia shtrij askujt… Dje kam marrë pensionin e do të të qeras unë… Garson!!
Bardhi ndjeu që po qeshte me një ndjenjë mirësie. Ishte diçka që ai nuk e kishte provuar prej kaq shumë viteve. i erdhi keq për atë plak aq krenar, të ditur dhe zemërbardhë. Ai u gëzua edhe vetë që ndjeu t’i bulonte përsëri ndjenja e mëshirës, që kishte menduar se i kishte humbur përjetë.
– Mirë, dakord, më qeras ti, por, hajt, pra, do të ma tregosh historinë e emrit të babës?
Me këmbënguljen e Namik Vehbi Fadile Hotit, Faqebardhi vendosi të shkonte e të dëgjonte një seancë gjyqësore. Plaku kish kërkuar që të shkonin atje e të shihnin që të dy, ai vetë sidomos, se si kishte avancuar drejtësia dhe ndershmëria e sistemit gjyqësor.
– Dikur nga ndërkombëtarët është ishte ngritur problemi i korrupsionit në sistemin juridik. Disa juristë merrnin bakshishe si në kohën e kadiut, që i pranonte me fort lezet paratë nëpër faqet e qitabit. Ishte një periudhë kohe që edhe avokatët, shumica oficerë të liruar, që kishin marrë me disa provime plotësuese juridikun, bërtitnin, kundrejt parave, se i pandehuri që mbronin ata, nuk kishte asnjë pikë faji. Ka pasë edhe ndonjë rast që, si t’ju them, zoti Et’hem,   ashtu si ndahet mbivlera…
Bardhi mvrejti vetullat. Baca e vuri re menjëherë.
– Mbivlerën e ka zbuluar njeriu i mijëvjeçarit që shkoi, zoti Et’hem… Nuk keni përse të mblidhni buzët… Ashtu… Mbivlera është vlera e re e papaguar që krijohet me forcat që punëtori ripërtirin, duke marrë rrogën. Kjo mbivlerë krijohet në prodhim, ku janë punëtorët…
– Seç deshe të thoje diçka, bacë?
Kryehajduti ndërkombëtar tundi kryet me përçmim.
– Ashtu…Ashtu, si ndahet mbivlera mes kapitalit prodhues, tregtar dhe bankave, ashtu dhe ndahej e ashtuquajtura gjobë në mes të gjithë pjesëmarrësve në gjykim dhe, në ato pak raste, sa ka hulumtuar fondacioni politik “Ekologët e thellë Ramiz Taip Alia”, sekserët kanë qenë avokatët. Mirëpo, tani puna ka ndryshuar. Ejani të shikojmë në praktikë ndryshimin. Nuk duhet të harroni, zoti Et’hem,   se unë mendoj të krijoj edhe fondacionin “Drejtësia mbi dinakërinë”.
Salla ishte përplot.
Sapo hynë të dy miqtë, dy njerëz u ngritën nga radha e parë dhe ua liruan vendin. Sigurisht, për meritë të plakut të njohur të “ekologjikes”.
Bardhi bëri buzën në gaz.
Gjyqi ishte një çështje divorci. Edhe burri, edhe gruaja, banonin në një lagje të kryeqytetit të quajtur “Bathore”, ku ishin vendosur prej rreth tridhjetë viteve njerëz të ardhur nga zonat Verilindore të vendit.
Bardhi fshiu djersët me shami. Ishte prej mëndafshi të kaltër me lulekuqe të ndezura.
Gjyqi po vazhdonte me kundërakuza dhe akuza dhe ai po mendonte me vete se ende në vendin e tij vazhdonin këto budallallëqet e pabesisë bashkëshortore, kur Evropa i kishte zgjidhur me kohë këto punë.
Papritur, mu pranë vendit ku po kuvendnin të dy miqtë, u ndal një makinë e, prej nga shoferi, duke qeshur me dinakëri, iu drejtua Namik Vehbi Fadile Hotit:
– Hë, mor Namik, a vazhdon ta kesh më atë shoqatën e miqësisë “Shqipëri – Sërbi”, atë…
– “At Gjergj Fishta, – Petar i Dytë Petroviq Niegosh”… Ju komunistat, shoku Fatos, e muarët nga unë dhe, ja, sot kemi këtë, “Konfederatën ballkanike”…
– Po, mor Namik, po… Hë, do të vish të shëtisim me makinë? Do të të çoj ku të duash. Po të kesh qejfë, hajt të shkojmë të pimë një birrë te “Sharatoni”. Ti nuk e pi birrën, se je ekologjist, por pi një lëng qershie.
Personi që niste makinën, dukej që ishte një burrë i shkurtër, me mjekër moderne, i shëndoshë dhe që, me siguri që do të dukej shumë gazmor, po qe se do të vishte ndonjëherë xhaketë dopiopet, siç mendoi Bardhi.
– Ky është ish-kryeministri që ka mbajtur rekord në të gjithë Evropën; ka qenë shtatë herë kryeministër i vendit të tij. Një kampion origjinal. Sidoms për këtë e dua shumë unë. Unë i dua fort kampionët e të gjitha fushave… Tani është pensionist, por ende e ruan pasionin për të ngarë makina dhe, para disa viteve, i hyri një aventure të re. Të merrte edhe patentën e ngarjes së aeroplanit dhe e mori. Një herë bile, apo jo shoku Fatos, atij i hyri qejfi për t’u hedhur me parashutë. Dhe, çfar bëri? Apo jo, shoku Fatos? U hodh. Në fillim më deltaplan, pastaj me aeroplan, që nga lartësia tetëqind metra. Në të njëjtin vend, apo jo, shoku Fatos, ku një deltaplanist vlonjat, për t’i hequr frikën nënës që ajo kishte për të, e pat hedhur të jëmën. Kur nuk e kishte mendjen, apo jo shoku Fatos?… Zoti Bardhi! Shoku Fatos, sikurse Jul Qezari, e ka pas shumë qejf seksin e bukur, por, ndryshe nga ai, as ka përdorur dhunë ndonjëherë, përfshirë dhunën e parave dhe as është marrë me sekretare apo socialiste të reja, që mund ta kenë simpatizuar. Një herë e një kohë, apo jo, shoku Fatos, atij i kanë pas pëlqyer shumë pijet e shtrenjta…
– Hë, Namik! Të lejon Partia Ekologjike të pish një kampari, një xhin apo një verë kallmeti? Ta pimë tani?
– Jo, shoku Fatos. Ti e di që unë, jo vetëm nuk pi, po nuk ha as edhe mish, sepse jam vegjtarian.
– Hajde, pra, se kam pak kohë… Po shkojmë ku të duash.
– Jam me këtë mikun tim nga Kosova… Nga shqiptarët e Maqedonisë.
– I the që “Maqedoni -do të thotë ‘Mbaj qe don edhe dhi”? Hihihiiii!…. Hajdeni, hajdeni!
Sapo u futën në veturë, Namik Vehbi Fadile Hoti ndjeu i pari erën e dodorantit.
– Kjo makinë është dhuratë, që zotit Fatos ia ka pas dhënë një biznesmen… Këtë makinë nuk ka pasë para apo, më saktësisht, pat ngurrruar ta blinte vetë drejtuesi i Republikës Demokratike dhe Popullore të Libisë, Muhamet Ghadafi, por një biznesmen shqiptar… E di se si e kemi shqipëruar fjalën “biznesmen” ne të partisë Ekologjike? “Dallaveraxhi!”… Kështuuuuu! Një dallaverexhi shqiptar e pati blerë atë veturë për t’ia dhuruar shokut Fatos dhe ia pat dhuruar… Apo jo, shokut Fatos… Fatos apo “Emphathos”, do të thotë “marr dhimbjen tënde dhe e fut në shpirtin tim”. Vjen nga sanskrishtja. Vetëm unë dhe një tjetër, deputet socialist, më i shëndoshi, nga të gjithë legjislaturat e parlamentarëve që ka njohur vendi ynë, që pat qenë edhe ministër, edhe zëvendësministër, dimë sanskrisht… Ende sot, në të katër vilajetet shqiptare, nuk di sanskrisht njeri tjetër.
Bardhi, që kish gjezdisur botën anembanë, tundi kokën i habitur shumë, pasi askund nuk kish ndeshur kësi fansash, sikurse në Shqipëri, të cilët dhuruakan, për njerëzit që simpatizojnë, edhe kësi dhuratash tejet të shtrenjta. Me sa kujtonte ai, dhurata aq të shtrenjta, zakonisht ishin, ose të vjedhura, që i faleshin ndonjë dashnoreje, ose dhuroheshin për të kompromentuar zëvëndëskryeministër e lart.
“Shoku Fatos”, ia bëri me sy Bardhit gjithë çapkënllëk, megjithëse ai ishte gati te tetëdhjetat.
Ndërsa makina u nis, Namik Vehbi Fadile Hoti vazhdoi shpjegimet e tija:
– Babai i shokut Fatos, që është quajtur, rahmet pastë, Thanas, ka bërë një gabim. Është dashur t’i ngjiste jo një emër, por dy emra… apo jo, shoku Fatos?!
– E ç’emër tjetër të më ngjiste baba, o Namik?
– Është dashur të të vinte edhe emrin “Dashnor”, apo “Lubko”, apo “Agap”, apo “Ashik”…
“Shoku Fatos” qeshi me të madhe dhe mori një kthesë. Kur… papritur ai frenoi menjëherë.
Bardhi arriti ta mbante veten me te shpejtë, por Namik Vehbi Fadile Hoti jo dhe aq.
– U vrave, o Namik? Hajt, hajt, se bën joga ti, por… shiko, o Namik, shiko… Ja, mor, Sala!
Vërtetë, në anë të rrugës, nën blirët e çelur dhe me një gem bliri në dorë, po ecte qetë – qetë Sali Berisha.
– Hajde, o Sali, hip. Po të çoj ku të duash!
– Jo, Fatos, faleminderit, se po ec në këmbë!
– Po hajde, mor burrë, a po e ruan akoma inatin? Po ikën ato punë, he burrë… Hajde, hajde, se kam edhe Namik Hotin me vete.
Pasi kundërshtoi edhe një herë, ish-kryetari i Partisë Demokratike, që tani përbënte “maxhorancën” në Parlamnet, siç i thonin ende “shumicës”, burri shtatlartë dhe me pamje krenare, zuri vend e makina u nis.
Megjithse gati po shkonte te të tetëdhjetat, Sali Berisha mbahej edhe në makinë drejt si lastar plepi dhe me vështrim sokolash…
– Sa vjet kemi, o Namik, pa ndenjur me njëri-tjetrin për qejf?
– Për të më lexuar, sigurisht që më ke lexuar. Unë edhe sivjet, shpresoj të shpallem prap “Mistër Intervista”, si atëherë kur ke qenë ti president.
Sali Berisha qeshi miqësisht
-T’i kam lexuar, Namik, t’i kam lexuar të gjitha intervistat, po nga unë nuk ke patur kurrë asgjë të keqe. Mua, biles, më vinte për të qeshur kur bëje ndonjë shaka në kurrizin tim.
Namik Vehbi Fadile Hoti, iu përgjigj se, në të vërtetë, ai nuk kishte bërë ndonjëherë shaka, por veçse kishte thënë gjithmonë të vërtetën.
– E mban mend që vajte dhe më përktheve edhe emrin e fshatit tim “Viçidol”, me atë mënyrën paksa idiote… më fal, ë, nuk të ofendoj…, që vinte puro nga gjuha shqipe medemek, nga togfjalëshi …. ëëë!? Pra, siç përkthen “Maqedoni” baraz “Mban qe don edhe dhi”, ashtu vajte e ma përktheve edhe emrin e fshatit tim, o Namik. Gjithsesi, unë të kam patur mik gjithmonë, e nuk ta kam marrë asnjëherë për të keq. Në kohën time ti u bëre “Mistër Intervista”, jo në kohën e këtij Fatos Nanos… Namik, dëgjo! Në kohën kur kam qenë unë president, unë e kuptoj dhe ka patur raste dhe është rrahur ndonjë, ndonjë gazetar …
– Ju nuk keni rrahur asnjëherë gazetar të shquar dhe ne e kemi thënë këtë gjë në shtypin tuaj, në shtypin e komunistave. A, po! … Kush ka tentuar të degjeneronte punën e gazetarit, edhe mund të ketë ngrënë ndonjë… ndonjë keqtrajtim fizik… karizmatik. Doemosdoshmërisht ka qenë e nevojshme një veprim i tillë ndaj gazetarëve pa potencial. Ne jemi popull që historikisht i kemi rrahur fëmijët, të cilët, pastaj… pra, fëmijët e rrahur, kur rriten, njohin kryesisht vetëm një zot në kuptimin figurativ…
– Mirë, mirë!… Ama ne kurrë nuk kemi prekur te paratë, te kuleta, te zemra e kapitalizmit, kurse ky, Tosi, ka prekur atje dhe ja shkatërronte gazeta me konkurrencë të pandershme, ja i kthente në tellallë të tij.
– Zoti Sali!… Është djegur një gazetë në kohën tënde. E mban mend?…
– Gazeta “Koha Jonë”… Nuk e kam djegur unë!
Sali Berisha, pas atij pohimi të prerë, po të mos kishte qenë ulur, do të kishte qëndrimin “gatitu”; aq drejt, si në komandën “për nder arm!”
– SHIKU yt. Ali Hoxha – Hoxhë Alia.
– E ke gabim. Gazetarët nuk kanë patur e as nuk kanë për të patur mik më të madh të shtypit sesa unë. Që i ka lexuar dhe vazhdon t’i lexojë gazetat, pa përjashtim, rrjesht për rrjesht. Dhe të reflektojë.
– Ashtu, ashtu!… Ai Nikoll Lesi është treguar pak bukëshkalë ndaj teje.
Sali Berisha ngriti supet.
– Ai është dashur t’i bënte zotërisë tënde një bust mu në mes të oborrit të gazetës “Koha Jonë”…
– Po, jo, mor, jo… Po, përse të ma bënte, o Namik?
– Sepse, duke të sulmuar ty, ai u bë milioner dhe e bëri gazetën e tij në një kohë, në kohën tënde, gazetën më të shitur dhe gazetarët e saj, u vunë në pikat kyçe të gjithë gazetarisë.
– Aaaa… Namik, …Ha-ha-haaaa!… Mirë, mirë e ke…. Kurse ky Tosi yt, e falimentoi “Koha Jonë”, duke i bllokuar paratë… Është më mirë për një burrë t’i këputësh një dajak se …
– Se sa t’i përdredhësh koqet, – ndërhyri që nga timoni shoku Fatos.
– Rri, or, mëshaji makinës, atë bëj!… Xhuxh!… Sa xhuxh i lezeçëm që ke mbetur, more Fatos!
Sali Berisha qeshi dhe i futi në gojë një çimçakëz Fatos Nanos, duke u zgjatur nga një edhe të tjerëve në makinë.
Bardhi, papritur mundi të dallonte që nga pasqyrimi i pasqyrës, fytyrën dinake të “Shokut Fatos”. Ishte një vështrim dinak i shpejtë, i menjëherëshëm dhe me një mister gazmor…
“Nano – Nano – Nano”.
“Shoku Fatos” kish shkelur diku një buton dhe, ja, në vend  të bories, në vend  të “pipi-së” normale u dëgjua një lloj tjetër borieje.
“Nano!…Nano!”.
Sali Berisha ngriti kokën si sorkadh mashkull dhe mbajti vesh.
Boria ra përsëri. “Nano!… Nano!”
Gjithçka ishte e qartë.
– Ore Fatos Nano! Akoma ti… mua më bën karshillëk, more provokator, e kupton? More provokator, nëntë herë nga nëntë, e kupton!”
– Ç’ke, o Sali? Boria është bori. Kështu e ka borien kjo makinë. E imja është. ..
– Kujdes, shoku Fatos, se desh e zure atë plakun, për pak! – u dëgjua zëri i frikësua i Namik Vehbi Fadile Hotit.
Vërtetë, po të mos kish qenë një stopim i menjëherëshëm i makinës, rrezik të qe shtypur një plak që, gjithsesi, kaloi qetë – qetë, duke ngritur dy gishtat lart në formën e germës “V”, një përshëndetje që Bardhi e kujtonte mirë, pasi ai kishte marrë pjesë në mitingjet, qysh kur u bënë ata së pari në qytetin e studentëve, tridhjetë e ca vite më parë. Ai pat shkuar atje, në mitingun e dytë, vetëm se kishte dëgjuar që, në mitingun e parë, kishin shpërthyer, mes brohoritjeve të tjera, edhe “duam liri seksuale!”
Po kujtohej shumë mirë se si atëherë, të dy këta burra, “Shoku Fatos” dhe Sali Berisha shkonin me njëri-tjetrin si macja me miun.
Ndërkohë, makina u fut në një autostradë. Ajo, si të qe veturë dasme, duke njoftuar me buçitje borie njerëzit e dhëndërrit që presin se ja, po vjen për ca minuta, edhe makina e “zotit Fatos” buçiste. Buçiste sa ku mundte “Nano!… Nano!” Shpejtësia tregonte nëntëdhjetë kilometra në orë.
Befas shërtheu një thirrje nga nofullat e forta të Sali Berishës: “Mbaje, mor pizeveng, e kupton!” dhe… makina stopoi plotësisht.
“Zoti Fatos“ përplasi kryet për timon. Po ashtu, iu përplas koka te ndenjësja e pare Namik Vehbi Fadile Hotit. Sigurisht edhe koka e Bardhit. Vetëm koka e Sali Berishës vazhdonte të mbahej përpjetë si një sorkadh mashkull.
Fatos Nano vuri dorën në vendin e vrarë dhe pa që i kishte dalë një xhungë. Namik Vehbi Fadile Hoti vuri menjëherë kapelen që i kishte rënë përdhe, duke nxjerrë, si rrallë herë, kokën e tij sokratike, pa qoftë edhe një qime për shenjë, përjashtuar anekset anësore të flokëve, që i ngjanin shkallëve të një stadiumi.
Sali Berisha kishte futur këmbën e tij me numur 47 mes këmbëve të Fatos Nanos dhe kishte shkelur me sa fuqi që kish patur pedalen e frenave.
– Po, ç’bën, o Sali!? Ç’pate?!… Desh na vrave të gjithëve.
– Ama edhe ju “të gjithëve”… Mund të talleni me kë ju hahet, po ende nuk kanë lindur, e kupton, ata burra që tallin b… me Sali Ram Berishën, e kupton?! Ma hap derën se do të zbres! Haram e paç këtë makinë, o njeri i pandreqshëm, e kupton, o malavita, që nuk të mbajta edhe ca kohë në Bënçë, e kupton!?… Rrugac, e kupton?!… Ty të gjettë atë që ka gjetur gjelin tim!
– E pse më shan, o Sali?
– Hape derën… Hape po të them!
Fatos Nano, si e fërkoi edhe një herë xhungën, duke u përpjekur ta shtypte me dorë me mendimin se dora, duke e shtypur, do ta ulte, pa që Sali Berishës as që kishte në mendje t’i binte inati. Ai mendoi se doktori tani po thoshte për të me vete se ishte një trangull nga mjeksia, sepse nuk e dinte atë gjë elementare që, sado ta shtypësh me gisht një gungë të tillë, ajo nuk ulet fare.
– Sali, a ta merr mendja që unë, tani, bëj që ti të thuash “mos na e ndal makinën askund, por eja të shëtitim gjithë ditën”? Do apo jo? Do Namik? E bëj?
Sali Berisha nuk foli. Heshtja e tij u përkthye nga të gjithë që, pa hë, le ta provonte ai xhuxhmaxhuxh një herë.
“Shoku Fatos”, një të shtypur një buton poshtë timonit dhe… një t’i rënë bories. Mirëpo… Në vend  të tingujve të fortë e të trashë “Nano! …Nano!” shpërthyen këta tinguj: “Nano ik, Nano go.. Nano ik! Nano go… Gogogoooo!”
I pari ia shpërtheu të qeshurës “Shoku Fatos”; me një të qeshur kulimësh që, jo vetëm që nuk e zemëroi doktorin dhe nuk kishte përse ta zemëronte, por, kjo e qeshur, u pasua nga e qeshura prej kreshnikësh e Sali Berishës.
Edhe Namik Vehbi Fadile Hoti qeshi me të madhe. Atij i ra edhe një herë në tokë kapelja nga tulla sokratike.
Bardhit po fshjinte lotët me mëngën e xhaketës se nuk iu gjend shami në xhep.
– O Sali! Po nuk na the se ç’e ka gjetur gjelin tënd që deshe qëpari të më gjente edhe mua.
Fatos Nano ktheu një çast kokën pas, sa për t’ua luajtur syrin miqësisht miqve pas; kuptohet, sidomos Namik Vehbi Fadile Hotit.
– Ta tregoj se ç’e ka gjetur gjelin tim, por kam frikë se mos na e vën edhe një herë atë borien e parë.
Ishte radha e Sali Berishës tani t’ua bënte me sy bacës dhe Bardhit.
– Po tregoje, o Salë, tregoje!
– Ta tregoj, ë?
– Po thuaje, para!
– Zoti Berisha! Komunsiti i shquar Mao Ce Dun ka lënë me shkrim një thënie lapidar. “Po pate gjë për të thënë, thuaje! Po nise ta thuash, thuaje të tërën!”
– Fatosi është komunist, o Namik, kot më thua mua. Ai ka thënë se pas meje do të vijë historia. Vetëm komunistët e përbetuar bëjnë kësi deklaratash.
– Ti ke qenë sekretar  partie, o Salë, jo unë.
– Ashtu? Në rregull, atëherë. Ja se ç’e ka gjetur gjelin tim. Atje, në Viçidol, që aq herë ma ke përmendur, o Namik Hoti, ti edhe ajo paçavurja e Tosit, “Zuska Plakë”, që i ka patur kryeredaktorët nga një metër e gjysëm burra, kur kam qenë i vogël, gjyshja ime vuri një pulë. Të vetmen që kishim, për të nxehur vezë; 13 vezë. Dolën zogjtë e pulës e nisën të ngordhnin njëri pas tjetrit. Vetëm njëri shpëtoi pa ngordhur. Ai nisi të rritej dhe na kishte qenë gjel. Kur gjeli na u bë burrë, donte femër. Pulë tjetër nuk kishte dhe nisi t’i kërcente përsipër së jëmës. Ja, këtë e ka gjetur gjelin tim, o Fatos!
Plasi një e qeshur me lot.
Fatos Nano bërtiste me të madhe me të qeshurën e tij prej kulimësh. Edhe Sali Berisha qeshte me po atë intensitet me të qeshurën e tij prej kreshinku malesh.
Befas, Namik Vehbi Fadile Hoti, sapo mori kapelen që i kishte rënë sërish para këmbëve, vuri re i tmerruar, që Bardhi, në vend  që të fshinte lotët e të qeshurit, kishte varur kokën. Ishte mekur nga të qeshurit.
Fatos Nano e ndali makinën.
– Sali, te cili spital ta çojmë këtë? – pyeti ai duke treguar Bardhin pa ndjenja.
– Ngadalë një herë, prit, Fatos! Ta zbresim në atë lëndinën atje, që t’i japim ndihmën e parë, e kupton.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here